Janë më shumë se imazhe të profileve të dhjetë grave. Secila prej fotografive bart rrëfimet e sfidave deri në rrugën që i bën ato të jenë disa prej figurave të dalluara në shoqëri. Në ekspozitën “Gratë udhëheqëse në fokus”, organizuar nga “Integra”, me fotografi të Arben Llapashticës dhe e kuruar nga Eliza Hoxha, zënë vend si portrete grash novatore që shprehin kreativitetin e mendimet jashtë kutisë. Jashtë patriarkatit të shoqërisë, në rastin e Kosovës.
Lidere të profileve të ndryshme mblidhen në një platformë. Vëmendja shkon te shikimet e tyre plot vetëbesim e optimizëm. Janë vlerësuar si frymëzim e shembull në hapje të ekspozitës në qendrën kulturore “Barabar” në kryeqytet, të enjten e kaluar.
Si pishtarë kanë qenë dhjetë ekranet e vendosur nëpër muret e hapësirës së “Barabar” në hotelin “Grand”. Prej portreteve duket një siluetë. Ndriçohen me t’u afruar dhe qartësohen imazhet.
“Së pari i sheh, duken të zymta nga larg, si në mjegull, sikur i lëmë ne, në harresë diku. Kur afrohesh, ndizen. Ideja është të njihen ato, sepse edhe ne ndriçohemi kur i njohim më mirë dhe më shumë. Është fantastike të dëgjohen rrëfimet e tyre, të kuptojmë se sa mund të mësojmë prej tyre dhe të krenohemi me to”.
Nga një shirit i verdhë theksohet secila fotografi duke e pozicionuar si sfond krejt atë që paraqitet në formë bardhezi. Vështirësitë, paragjykimet dhe gjithçka tjetër lihet anash. Është vetëm pozicionimi i tyre si gra lidere, i përcaktuar si lidership i verdhë. Ky shirit virtual qëndron pranë atij fizik në të cilin sillet një pjesë rrëfimi, frymëzimi a mesazhi nga secila protagoniste.
Ish-diplomatja Teuta Sahatqija, artistja Mirjeta Qehaja e Majlinda Kelmendi i nxisin gratë për të ndjekur ëndrrën e tyre.
Imazhi i portretit të Feride Rushitit, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, duket motivues kur kompletohet instilacioni edhe me fjalët e saj. Ajo thërret për t’i fuqizuar viktimat. Të enjten kur është hapur ekspozita ka thënë se gratë protagoniste në të kanë bagazh në promovimin e barazisë gjinore.
“Të gjitha këto gra që janë radhitur në këtë ekspozitë, gjatë veprimtarisë së tyre kanë lënë një bagazh prapa në adresimin dhe avokimin e çështjeve të ndjeshme, në veçanti në promovimin e barazisë gjinore. Më ka bërë të ndjehem mirë për faktin që 25 vjet këtë vit bëhen që vazhdojmë të punojmë me të mbijetuarat e dhunës seksuale, por edhe me çështje të tjera gjinore që kjo kauzë të avancohet edhe më tej tutje”.
Gazetarja Jeta Xharra, aktivistja për të drejtat e njeriut e kontribuuesja e kampanjave për të drejtat e njeriut Hiljminjeta Apuk, analistja politike Mimoza Gavrani i udhëzojnë gratë të jenë të guximshme e të punojnë fort. Politikania e inxhinierja e ndërtimtarisë, Kaqusha Jashari, me fjalët e saj të vendosura në shiritin e verdhë i fton të arsimohen.
Këshilltarja për çështje gjinore në zyrën e Bashkimit Evropian, Reyes Charle, ka thënë se gratë në Kosovë janë të forta dhe për këtë ato kritikohen.
“Është privilegj të jem këtu me gjithë këto gra të mrekullueshme lidere në Kosovë. Shumë prej jush, jeni miket e mia, kam qenë këtu gjatë dhe kam pasur privilegjin t’ju takoj. Kur po mundohesha të krijoja një fjalim për kapacitetin, lidershipin dhe resiliencën, mendova se nuk i dua asnjë nga këto fjalë. Por shpejt kuptova se këto fjalë janë në vendin e duhur këtu”.
Zëvendëspërfaqësuesja e sekretarit të përgjithshëm të misionit të UNMIK-ut në Kosovë, Barrie Lynne Freeman, ka thënë se ky institucion i shfrytëzon burimet e tij që t’i mbështesë gratë dhe t’i fuqizojë ato.
“UNMIK-u është shumë i lumtur ta përkrahë këtë ngjarje dhe do të vazhdojë t’i shfrytëzojë burimet që t’i mbështesë gratë dhe t’i fuqizojë ato. Gratë që janë të ekspozuara në këto fotografi kanë lënë shenja në shoqëri, të guximshme dhe dominuese që kanë sfiduar normat e patriarkatit dhe kanë dhënë shembullin e grave të fuqishme në publik. Jeni inspirim për të gjithë ne këtu”.
Ekspozita “Gratë udhëheqëse në fokus” qëndron e hapur për një javë. Ajo ilustron rëndësinë e të qëndruarit pranë grave dhe të kuptuarit e rolit të tyre në shoqëri.