Gala-koncerti “Gratë artiste për komunitet” ka ardhur si dëshmi e aktivizmit me art. Presidentja Vjosa Osmani, gazetarja e aktivistja Kristale Rama dhe profesoresha e artistja Besa Luzha kanë qenë bartëse të këtij organizimi me një kauzë të fuqishme e të qartë: në ndihmë të viktimave të trafikimit.
Mesazhet janë përcjellë nëpërmjet muzikës e me poezi. Të gjithë ata që qenë të pranishëm, me biletat e blera kontribuuan në ngritjen e fondeve për Qendrën për mbrojtjen e këtyre viktimave.
Koncerti nisi me fjalimin e presidentes Osmani, e cila ka bërë thirrje për mbështetje të vazhdueshme të kauzave të tilla.
“Ky aktivitet i sotëm është në ngritje të vëmendjes të shoqërisë sonë për këtë dukuri të rrezikshme jo vetëm për shoqërinë tonë por edhe për të gjithë globin. Nisma e artistëve për të kontribuar për komunitetin e viktimave të trafikimit vjen në kohën e duhur dhe është tejet e çmuar. Për aktivitete bamirësie dhe për kauza që e ndihmojnë shoqërinë asnjëherë nuk është vonë. Gjithnjë është momenti i duhur. Çdo ditë duhet të jetë në funksion të krijimit të një ambienti të sigurt për qytetarët tanë pa dallim. Për këtë arsye sonte jam para jush për të kërkuar që t’i ndihmojmë ata dhe ato që në këto momente nuk mund ta ndihmojnë veten e tyre për shkak se u është rrëmbyer liria”.
Bashkimi i nëntë artisteve e bëri mbrëmjen të larmishme në performancë. Programi ishte i pasuruar me vepra të muzikës klasike. Me to edhe u vallëzua përderisa edhe poezia kishte vendin e vet. Gruaja ka qenë kryefjalë e vargjeve poetike.
“Edhe programi është i tillë që iu ka përshtat temës. Në fillim është pak më dhimbshëm, më butësisht, për të ardhur në fund tek një ‘gëzuar’. Ky është edhe një mesazh që këto viktima do t’ia dalin, do të tejkalojnë dhimbjen, vështirësitë dhe do të mund të arrijnë deri në fund që edhe të gëzojnë jetën përkundër të gjitha dhimbjeve që i kanë pasur. Kështu që edhe artistikisht, edhe përmes simbolikes, edhe përmes ftesës, përmes bashkimit të forcave të Presidentes, Kristalës, grave artiste kemi dashur që këtë mesazh me përçojmë. Ato nuk janë vetëm dhe po shpresoj se do ta vazhdojmë një traditë të tillë”, deklaroi Besa Luzha.
Organizimit iu bashkua edhe Kristale Rama, bashkëshortja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Ndonëse organizon ngjarje të rëndësishme arti çdo vit, marrja pjesë në “Gratë artiste për komunitet” ka thënë se është privilegj duke veçuar kauzën që ka.
“Jam shumë e nderuar. Besa është duke e bërë këtë për shumë vjet me radhë. Secilën herë ajo bashkon talentët më të mrekullueshëm nga e gjithë bota. Ajo dëshmon një platformë të lartë për audiencën. Është e mrekullueshme të kombinosh qëllimet për të mbështetur atë që po mbështetim ne në këtë mbrëmje, viktimat e trafikimit njerëzor. Shumë nga ta besoj që janë vajza dhe gra nga Kosova. Plotësimi i saj me muzikë dhe shtimi i argëtimit është shumë i mirë. Shpresojmë se do të vazhdojmë në vende të ndryshme gjithandej Prishtinës”.
Për sopranon Ulpiana Aliaj ishte hera e parë e paraqitjes para publikut në Kosovë, ndonëse shquhet për çmimet ndërkombëtare.
“Ishte një pjesëmarrje me shumë dëshirë, shumë e ndjerë dhe shumë me zemër, jo vetëm për kauzën që përcillte ky event kaq i rëndësishëm por mbi të gjitha për të bërë bashkë të gjitha ne zonjat apo femrat të artit të cilat nëpërmjet përçueshmërisë të tingullit tonë duam të përcjellim atë mesazh: për të mbrojtur, për të qenë më dinjitoze dhe më të pavarura, të lira në fund të gjithçkaje”.
Me tinguj të pianos gala-koncertit iu bashkua edhe pianistja Lejla Pula. Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest” mbrëmjen e pasuroi me veprën e përzgjedhur enkas e që përçon mesazh.
“Unë mendoj se vërtetë edhe ne si artistë e kemi parë që duhet të jemi pjesë e eventeve të tilla. Ishte kënaqësi për mua. Ishte vepra të cilën e kam përgatit enkas për këtë rast, Polonaise Heroic nga Chopin. Mendoj se ajo e ka një porosi në vete që mund të flasë përmes tingujve muzikorë”.
“Gratë artiste për komunitet” u organizua në kuadër të Asociacionit Kosovar “Chopin”.