Në një botë të trazuar luftërash, romani grafik ngjyros realitete, synon të thyejë paragjykime, të krijojë ura lidhëse. Me këtë mision ka ardhur edhe edicioni i sivjetmë i “GRANFestit” që për temë ka pasur “Pasojat e ëndërrimeve”.
Ëndrrat shpesh thurin narrativat jetësore. Ngjashëm veprohet edhe nga një artist kur realizon një roman grafik. Skenë për skenë ndërtohet një histori. E pikërisht filozofinë prapa këtij procesi dhe jo vetëm, që prej vitit 2019 e ka shpalosur për herë të 5-të “GRANFest”, festivali ndërkombëtar i romanit grafik në Kosovë, i mbajtur në tri ditët e fundit të javës së kaluar. Hapja zyrtare, të premten e kaluar ka sjellë në Kosovë emra botërorë të këtij arti.
Gani Jakupi, drejtor artistik i Festivalit, do ta niste këtë iniciativë si një jetësim të ëndrrës së tij fëmijërore. Ndërkaq tash, pesë vjet prej themelimit, vazhdon të mbetet ende si ndër festivalet më të shquara të romanit grafik në rajon. Emra si Hermann Huppen, Frank Margerin, Dave McKean, Marcello Quinatanilla apo Fumio Obata prekën Kosovën me veprat e tyre nëpërmjet “GRANFestit”.
Ekspozita e artistëve ndërkombëtarë, e hapur në të parën ditë të Festivalit, ka qenë njëra prej ngjarjeve që i ka prirë serisë së aktiviteteve. Nën temën bosht “Pasojat e ëndërrimeve” kanë ardhur dhe tre libra të botuar në shqip nga autorë ndërkombëtarë, siç ndodh tradicionalisht tashmë. Duke i qëndruar besnik temës së sivjetme Clément Baloup ka sjellë romanin e tij grafik të titulluar “Ikja nga Saigoni” i cili trajton komunizmin në Vietnam. Romani tjetër grafik që tash flet edhe në shqip është ai i Michel Kichkas, artisti nga Izraeli, “Falafeli me salcë djegës”. Në “triptikun” që plotëson bibliotekën e romaneve grafike në shqip është edhe “Palestina” i Mohammad Saba’aneh, i cili trajton realitetin e jetës të popullit palestinez.
Drejtoresha organizative e Festivalit, Ensara Haliti, ka thënë se edhe qëllimi i Festivalit në këtë edicion ka marrë përmasa të tjera duke u zgjeruar përtej gjeneratave.
“Këtë vit kemi një numër të madh të punëtorive duke filluar nga shkollat fillore në Pejë, pastaj në shkollat e mesme në Mitrovicë si dhe në universitetet private edhe publike në Kosovë. Mirëpo, këtë vit pjesë e edicionit është edhe një masterklasë me profesorë të artit, pasi që qëllimi këtë vit është jo vetëm edukimi i gjeneratave të reja, por edhe i trupit docent, personave profesionistë të kësaj fushe në Kosovë”.
Masterklasa është udhëhequr nga autori suedez, Fredrik Strömberg, i cili është kryeredaktor i revistës së dytë më të madhe dhe më të vjetër të romanit grafik në botë “Bild&Bubbla”, si dhe themelues i “Scandinavian Journal for Comic Art(SJoCA)”.
Sipas Strömberg, kuptimi i romaneve grafike vjen dhe me shumë keqkuptime, e në punëtorinë e tij ka synuar që të shtrojë diskutimin pikërisht duke u nisur nga perceptimi i romaneve grafike nëpër botë.
Ka qenë hera e parë që ka ardhur në Kosovë.
“Më pëlqen shumë të shkoj në festivale në vende të reja dhe të mësoj kultura të reja, sepse romani grafik është një formë arti shumë ekspresive dhe të tregon shumë për vendin, për detajet, kulturën”.
Një shembull i thyerjes së paragjykimeve është edhe “Palestina” i Mohammad Saba’aneh. Ai e potencon fuqishëm rolin e një romani grafik karshi edukimit dhe rezistencës nëpërmjet artit. Duke ndërtuar një tregim vizual, ai synon të ngrejë vetëdijen e audiencës në raport me realitetin e jetës së popullit palestinez. Boshti i narrativit qëndron te kolonializmi si çështje e thellë dhe shpesh e anashkaluar e cila minon realitetin në diskursin politik global. Me romanin e tij grafik, ai me ironi dhe satirë ekspozon padrejtësitë dhe i flakë ato në ndërgjegjen e lexuesit.
Michel Kichka, karikaturisti dhe ilustratori me origjinë belge, nëpërmjet romanit të tij grafik, për audiencën e Kosovës ndan fragmente nga jeta e tij e nuancuar nga zhvillimet e vazhdueshme politike që nisin nga vendosja e tij në Izrael më 1974. “Falafeli me salcë djegës” që ishte botuar në frëngjisht në vitin 2018, u realizua gjatë tre vjetëve nga autori, duke e shkruar tregimin për dy vjet, ndërkaq vizatimi i kishte zgjatur një vit.
Rëndësinë e romanit grafik si shprehje artistike ai e sheh më të zhvilluar në këtë shekull. Edhe demografia e lexuesve të këtij zhanri, sipas tij, ka ndryshuar.
“Romani grafik është zhvilluar shumë në shekullin XXI, ka qenë i dedikuar për lexuesit më të rinj dhe adoleshentët, por të rriturit kanë filluar të interesohen më shumë për të dhe ky zhvillim ka ndodhur natyrshëm. Dhe sot për shkak të globalizmit ti mund të tregosh tregime nga këndvështrimi personal, siç janë konfliktet apo problemet botërore dhe i ndan ato, dhe kushdo nga bota mund t’i shohë. Pastaj është edhe anglishtja e cila mundëson që shumë njerëz ta lexojnë veprën tënde. Ju mund ta ushqeni veten dhe nga veprat e të tjerëve. Dikur duhej të udhëtoje, ndërkaq sot ulesh në kompjuter dhe e kupton se je pjesë e një lëvizjeje botërore”.
Romanet grafike janë pasioni i tij, nëpërmjet tyre ai shfaq copëza nga jeta e tij. Ndërkaq artin e sheh si levë për të arritur synime kolektive për kohë më të mira.
“E dua këtë profesion me pasion. Unë jetoj në Izrael dhe tregimet që i rrëfej janë autobiografike, njerëzit mund ta shohin jetesën nga dikush që jeton atje. Unë nuk jam zyrtar, nuk jam ambasador, por mendoj që arti është ambasadori më i mirë dhe urë mes njerëzve që çon në një botë më të mirë” .
“GRANFesti” i sivjetmë ka ardhur edhe me dy lajme për talentet e reja. Dy marrëveshjet me dy festivalet më të mëdha të romanit grafik në Francë, “Angoulême” dhe “bd BOUM”, do t’i hapin rrugë krijimit të dy rezidencave artistike, ku artistë nga Kosova mund të shkojnë në folenë e artistëve të romanit grafik në Francë e të zhvillojnë talentin dhe potencialin e tyre.
Lajmi tjetër vjen nga Amerika Latine. Biblioteka Kombëtare e Brazilit, pas një konkursi ka vendosur që të financojë botimin në shqip të librit me titullin “Lovistori” me autor brazilian, Lobo. Ky zhvillim, sipas organizatorëve, shënon dhe bashkëpunimin e parë kulturor midis dy vendeve.