EXPRESS

Gjenerata e animatorëve të rinj vendorë

Ka qenë viti 2017, kur organizatorët e festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar” hodhën hapin e parë që lidhjen e të rinjve në filmin e animuar ta çojnë në një tjetër hap. Një vit më vonë hapën “Akademinë e animacionit” e cila tashmë ka nxjerrë gjeneratën e gjashtë, një seri filmash prodhime të Kosovës e që në programin e sivjetmë qenë katër animacione vendore. Njëri prej tyre – “Ninulla K” i Flaka Kokollit – mori edhe çmim. Triumfoi në garën e video-animacionit muzikor. Kjo është shenja e radhës se filmi i animuar ka të ardhme në vend. Punëtoritë janë dëshmia më e mirë. Aty shihen krejt etapat e futjes në botën e animacioneve.

Në njërën prej punëtorive që solli sivjet “Anibari”, fëmijë të moshave prej 8 deri në 10 vjeç duke i pikturuar gurët e bardhë nisin përpjekjet për të provuar botën e animacionit. Ata pak më të rritur formësojnë kukulla në mënyrë që të bëhen personazhe të animuara. Të tjerë – që veç kanë bërë hapa në këtë zanat më herët – merren me detajet e fundit të filmave ku shpalosin storie nëpërmjet animacioneve.

“Është interesante. Në fillim kam pritur që do të marrin shkopinj e t’i veshim si kukulla. E para, nuk e kam pritur se do të na i marrë katër ditë t’i bëjmë disa kukulla. Dhe e dyta, ka shumë procese. Kemi përdorur fije të aluminit për strukturë bazike, më pas sfungjer e elemente të tjera. Që do të thotë shumë interesant”, deklaroi Lisian Urcan.

Nën përkujdesjen e Alma Mimicas kukullat janë finalizuar në pak ditë. Procesi nuk është i lehtë, pasi aty hyjnë disa forma të artit.

“Mendoj që kurrë nuk është herët të fillosh përpjekjet. Është e dukshme që ata janë shumë të motivuar dhe të interesuar për animacionin. Kështu që nuk është asnjëherëherët të fillosh të mësosh”.

Nxënësja e shkollës së mesme Uma Ahmeti, që e ka përvojën e Akademisë së bashku me të tjerët, gjatë “Anibarit” ka punuar në dizajnin e zërit të filmave dhe në postproduksion. Filmat e tyre janë prezantuar në ditët e fundit të edicionit të sivjetmë që përfundoi javën e kaluar.

“Jemi duke punuar që të kompletojmë filmat tanë nga Akademia edhe t’ia shtojmë zërin në mënyrë që të jenë gati të prezantohen në fundjavë. Është një eksperiencë shumë interesante. Kjo është hera ime e parë që jam në ‘Anibar’. Plus jam edhe studente e Akademisë”

Për këta studentë është kujdesur tutorja Lisa LaBracio. Ka thënë se qëllim i punëtorive është që pjesëmarrësit ta përsosin edhe më shumë punën me animacione.

“Kemi punuar me softuerë të zërit që ta bëjmë editimin e tyre. Por në të njëjtën kohë kemi punuar në teorinë e dizajnit të zërimit në storie të animuara duke shoshitur se cila nga idetë e tyre të zërimit mund të jetë ajo që e përfshijmë. Pastaj funksionimi i ekipit i ndihmon ata si filmbërës të ardhshëm në animacion. Ideja që janë duke u marrë me ekipe të zërit ua shton eksperiencën se si të merren me këtë pjesë”

Koordinatorja e programit të edukimit në kuadër të “Anibarit” ka treguar se sivjet kanë qenë pesë punëtori, dhe se interesimi për pjesëmarrje ka qenë i madh.

“Ne kemi uorkshope që ndahen në bazë të moshës. Kemi uorkshope prej moshës 8 vjecare deri në 20 e më shumë. Këtu afër kemi pjesën 8 deri në 10 vjecarë. Sipër kemi 10 deri në 15 vjec. Mandej I kemi edhe tri workshope të tjera të cilat njëra është ai për muzikën, workshopi “storywalk”, dhe workshop “pitching” që janë artistë që kanë për qëllim të shtyjnë përpara një projekt të tyre”.

Sekuencat filmike që nxënësit i krijuan gjatë një jave në punëtori, u shfaqen në mbyllje të edicionit të 14-të të Festivalit. Ngjyrat, lëvizjet, personazhet, dhe artistët teksa i shikonin ato nga publiku, dëshmojnë se janë krijuar me shumë dashuri. Aty është gjenerata e re e animatorëve vendorë.