Janë me qindra kilometra larg njëri-tjetrit, por bashkë u bënë në një mbrëmje e cila ka rezervuar shumë muzikë, e mbi të gjitha shkëmbim kulturor: njëra anë nga bërthama mesdhetare e Italisë, tjetra nga veriu i Kosovës, Mitrovica. Arbëreshët nga Shën Sofia e Epirit të Kalabrisë u mirëpritën nga mitrovicasit në qytetin e tyre me një manifestim të veçantë. Arbëreshët përfaqësojnë njërin nga grupet etnike më të mëdha matanë Adriatikut. Prej shekujsh ky komunitet, i pranishëm kryesisht në jug të Italisë, ka arritur të ruajë elemente të veçanta që ndërtojnë vetë identitetin arbëresh. Veshjet, ritet kulturore e fetare, gatimet, por ajo e cila vazhdon e vlerësohet ende edhe në ditët e sotme është gjuha, arbërishtja. Në fakt, ruajtja e saj duket edhe si një mision i përbrendësuar në mes të komunitetit. E gurë të çmueshëm të këtij mozaiku u shpalosën edhe për publikun në Kosovë me një koncert të organizuar pikërisht për t’i nderuar arbëreshët dhe gjuhën arbëreshe. Kjo ngjarje e cila u realizua të premten mbrëma në pishinë publike në Mitrovicë dhe të shtunën në sheshin “Isa Boletini”, erdhi nën sloganin “Gjaku i shprishur s’u harrua”, në kuadër të projektit “Arbëreshët në Mitrovicë ‘24”.
Kori polifonik “Sofioti Cantores” e hapi mbrëmjen duke interpretuar dhjetë pika muzikore tradicionale arbëreshe në shoqërimin e pianos dhe oboas. Ky kompozicion zërash veç vlerave estetike nga ngjyrime të ndryshme tingullore, shfaqi edhe njëfarë mallëngjimi të nënvetëdijshëm në interpretim. “Kopile moj kopile” ka qenë kënga e cila nga publiku u mirëprit si një befasi. Është melodi e tekst në arbërisht i njohur për veshin. Në fund ia thanë dhe vargjeve “Jemi vëllezër e motra” në unison derisa vashat nga grupi arbëresh i valltareve “Shqiponjat” u ngjitën në skenë. Të veshura me veshjet tradicionale zunë skenën të kapura në rreth, duke hedhur hapa bashkërisht. Por krejt e veçantë ishte lidhja mes tyre me anë të një shamie teksa hidhnin hapat.
Kjo është vizita e parë në Kosovë për ansamblin e valleve arbëreshe “Shqiponjat”. Por njëra nga valltaret, Maria Teresa Conte, vjen në Kosovë për herë të dytë. Lidhjen historike me shqiptarët ajo e ka vazhduar edhe duke studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Itali.
“Mitrovica për ne është një qytet shumë i bukur, mikpritja që kemi gjetur këtu është shumë e madhe, ju falënderojmë me gjithë zemër, të gjithë banorët e Mitrovicës dhe Kosovës, faleminderit shumë për gjithçka”.
Me t’u afruar orët e vona në skenë u shfaq “Peppa Marriti” rock-grupi i parë arbëresh në Itali i njohur ndërkombëtarisht për stilin unik. Rock-arbëresh e mbiquajnë zhanrin anëtarët e “Peppa...”, që konsiderohet një model në ruajtjen e arbërishtes. Grupi ndër vite ka qenë mysafir jo vetëm në skena muzikore, por edhe në auditorë universitarë.
Trajtimin e muzikës grupi e bën si një formë homazhi për rrënjët, identitetin kompleks arbëresh. Në fakt, detajet shënjuese nisin që nga repertori. Lidhja e anëtarëve të grupit me gjuhën arbëreshe është gati emblematike. Të gjitha këngët janë në arbërisht, por para publikut mitrovicas akullin e thyen me një version unik të përpunuar të këngës “Xhamadani vija vija”.
Qëllimi i pesëshes është edhe më sublim: synon të mbrojë, nëpërmjet muzikës rock, gjuhën dhe kulturën e arbëreshëve pesëshekullorë në Italinë e Jugut.
Për frontmenin e grupit Angelo Conte, paraqitjet në vendet ku ka shqiptarë janë gjithmonë të veçanta. Edhe Mitrovica duket t’i ketë pëlqyer. E konsideron qytet të bukur.
“Për ne që flasim arbërisht kur vijmë te Shqipëria, te Kosova, jemi shumë të gëzuar, zemra na mblidhet plot me mall për vëllezërit e motrat te Kosova e Shqipëria” “Nuk flitet shume gjuha jonë, të rinjtë e flasin pak, e muzika mund ta mbajë këtë gjuhë”.
Për basistin e grupit Demetrio Corino kjo histori është shumë prekëse. Ka njoftuar se bateristi dhe një kitarist i bendit munguan këtë radhë dhe rrjedhimisht performanca zhvillohet në një stil, siç e quan ai “semiakustik”. Pos frontmenit dhe basistit prej formacionit origjinal në Mitrovicë ka qenë edhe violinisti Pino Murano.
Misionin për ruajtjen e gjuhës arbëreshe përmes muzikës e bëjnë ka një kohë të gjatë, e me Kosovën e lidhin disa gjëra.
“Na këndojmë këtë muzikë me fjalët arbëreshe sepse në Itali gjuha arbëreshe është e vdekur dhe ne mendojmë që në muzikë fjala është e rëndësishme, ne e bëmë këtë gjë që 30 vjet, punojmë kështu, kemi shumë kënaqësi, por sot këtu Kosova për ne është... e kemi te zëmra, është një gjak, një gjuhë”, the Corino.
Përmbylljen e këtij manifestimi e bënë nikoqirët e mbrëmjes. Rock bendi mitrovicas, ikonikët “TNT”, duke performuar disa nga rock hitet e tyre të viteve ‘90. “Moj bjondinë”, “200 ditë” e “S’ka me shqipen tonë” i dhanë fund një mbrëmjeje të veçantë.