“Prishtina International Vocal Festival” ka pasur një hapje të fuqishme me zërin e shquar, mexosopranon Flaka Goranci. Interpretimi i saj ka qenë një përzgjedhje e qëlluar për një ngjarje e cila promovon fuqinë e zërit. Ajo çfarë ka sjellë Goranci – ka qenë një atmosferë magjike. Është rikthyer para publikut vendas pas një mungese prej dy vjetësh. E ka pritur salla plot në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës.
Mbrëmja nën dirigjimin e Kushtrim Gashit solli program të larmishëm e të ngjeshur. Nisi me vepra të kompozitorit italian Luciano Berio, këngë folk të interpretuara nga Goranci, për të vazhduar me këngë të grupit “Beatles” e për të përmbyllur krejt programin e natës së parë po ashtu me muzikë folk nga vende të ndryshme të botës.
Edhe këtë edicion për të tretën herë radhazi është hapur thirrje për inkurajimin e krijuesve të rinj, ku edhe u shpallën kompozitorët fitues në dy kategori. Në kategorinë e parë për vepër për kor të përzier çmimin e mori Dea Ahma e në kategorinë e veprës për solist çmimin e mori Ersan Januzi.
Mexosopranoja Flaka Goranci ka thënë të jetë e lumtur në mbrëmjen e hapjes së këtij edicioni të “Pri Vocal Fest”. Programi që ka sjellë në festival, ka qenë premierë.
Netët e muzikës vokale do të vazhdojnë kur të premten do të jetë koncerti i Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në bashkëpunim me korin e përzier të Selanikut, i cili në prillin e sivjetmë qe nikoqir i institucionit nga Kosova.