EXPRESS

Filharmonia me kontrastet simfonike krahas elegancës së koncertit për fagot

Magjia e veprave klasike është sjellë në koncertin e radhës të Filharmonisë së Kosovës të shtunën mbrëma. Atraktive ka qenë loja e fagotit në qendër nga solisti Meriton Ferizi krahas Orkestrës në interpretimin e një prej veprave më të njohura të shkruara për këtë instrument. Simfonia e 8-të e çekut Antonín Dvořák ka qenë tjetri kapitull i shpalosur për publikun nën drejtimin e britanikut Chris McCracken.

Në adresën e kahershme të provave e koncerteve të Filharmonisë së Kosovës, me kushte të njëjta, programi është ai që e bën diferencën. Është e ditur se secili koncert është rrëfim i veçantë muzikor më vete. Programi i radhës të shtunën në Atelienë e Pallatit të Rinisë ka nisur me “Koncertin për fagotë Nr.2” të kompozitorit gjerman Franz Danzi si premierë për publikun në Prishtinë.

Orkestra bashkë me fagotistin e parë të Filharmonisë së Kosovës, Meriton Ferizi, kanë sjellë meloditë shprehëse e pasazhet virtuoze të veprës.

Dirigjenti britanik Chris McCracken ka konsideruar se vepra e Danzit është koncerti i duhur për të sjellë në qendër fagotin. E ka vlerësuar lojën e Ferizit në këtë instrument.

“E kemi zgjedhur Danzin që është luajtur nga Meriton Ferizi, një instrumentist i mrekullueshëm, ku sonte e pati rastin të shkëlqejë së bashku me kolegët e tij. Danzi është zgjedhja e duhur për të shfaqur këtë instrument. Ishte një simfoni me shumë kontraste. Tingujt janë shumë të këndshëm, klasikë, elegantë, të fuqishëm, sjellin shumë emocione. Është një udhëtim nga një ndjenjë në tjetrën”.

Kapërcimet e shpejta në “Koncertin për fagot Nr.2” të Franz Danzit kanë shpërfaqur veprën sfiduese në interpretim. Rrjedhimisht edhe aftësitë teknike të Meriton Ferizit, për çka është vlerësuar nga publiku. Si shpërblim ka interpretuar në bis kohën e fundit ku ka sjell meloditë e gjalla e harmonike.

Për fagotistin Meriton Ferizi, zëvendësues i drejtorit të Operës së Kosovës e anëtar i Filharmonisë së Kosovës, ka qenë hera e parë si solist me këtë institucion. Ka thënë se ka qenë emocion i veçantë për të.

“Për mua ishte emocion pasi jam mësuar të luaj prapa si fagotist dhe jo këtu si solist. Ishte emocion i veçantë, publiku na priti mirë. Një vepër atraktive, kemi zgjedhur të jetë e mirë pasi rrallë dalim, të jetë e stilizuar, e mirë për veshin e publikut, për mua dhe përcjelljen e Orkestrës”.

“Simfonia Nr. 8” e kompozitorit çek Antonín Dvořák ka qenë kapitulli tjetër i koncertit të parë për këtë muaj. Vepra me ritme folku që gërsheton meloditë, ritmet dhe harmoninë e saj në përgjithësi, çon në mendje inspirimin e kompozitorit në muzikën popullore. Muzika magjepsëse sjell edhe ngrohtësi e nostalgji në tingull.

Në programin e koncertit të së shtunës ishte paraparë të interpretohej edhe “Koncerti për flaut Nr.1” i francezit André Jolivet. Si soliste do të paraqitej flautistja Erëmira Çitaku, por për shkak të gjendjes shëndetësore të saj vepra është planifikuar për sezonin e ardhshëm të Filharmonisë.