Më 17 shkurt 2008, koncerti i Filharmonisë së Kosovës ishte njëri prej aktiviteteve kryesore festive. E, kështu vazhdoi në çdo përvjetor. Filharmonia është rritur, përherë sjell premiera, por kushtet mbesin reprizë. Sonte, prej orës 20:00, Filharmonia sjell koncertin për 17-vjetorin e Pavarësisë e aty do të luhen disa vepra premierë që shpalosin nëpërmjet tingujve rrugëtimin deri te shtetësia. Në storien në vazhdim do të shihni edhe pamje nga koncerti historik i 17 shkurtit të vitit 2008
Ditën e parë të Kosovës si shtet i pavarur, Filharmonia e Kosovës do ta shënonte patjetër me koncert. Qenë emocione dhe tensione të shumëfishta për interpretuesit në skenën e sallës “1 Tetori” në Prishtinë.
Në mungesë të hapësirës, institucioni shtetëror muzikor u pozicionua aty. Salla u vesh me ngjyrat e flamurit të shtetit më të ri. U interpretuan veprat e Rexho Mulliqit, Fahri Beqirit, Guiseppe Verdit, si dhe “Oda e gëzimit” e Ludvig van Beethovenit.
E, 17 vjet prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në skenën muzikore të vendit është fotografia me imazhin e njëjtë. Premierë janë veprat. Kushtet reprizohen.
Sivjet, për koncertin tashmë tradicional, institucionit i duhet të zhvendoset në Sallën e Kuqe, disa metra prej Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ku rëndom i mban koncertet. Dhe nuk ka asnjë përparësi më shumë përpos hapësirës më të gjerë për publikun që, në secilin koncert është i shumtë në numër.
Dirigjenti e kompozitori Baki Jashari ka thënë se në koncertin e 17 shkurtit për 17-vjetorin e Kosovës shtet, do të jenë rreth 120 performues, që me kapacitetet e Ateliesë i bie që veç formacioni i Filharmonisë mbush një të tretën e hapësirës së sallës.
“Problem është që zakonisht në koncertet për nder të pavarësisë angazhohet i tërë stafi artistik i Filharmonisë, e që kjo do të thotë se në skenë janë rreth 120 performues, duke llogaritur këtu Orkestrën e madhe simfonike dhe Korin. Imagjinoni në një sallë që i ka maksimumi 400 ulëse, nga ato, 120 janë vetëm të performuesve. Kjo anatemon numrin e publikut, atyre që duan ta përcjellin koncertin”, tha Jashari.
Ai dirigjon koncertin e sivjetmë që mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës ku ka punuar me orkestrën, korin dhe solistët. Të premten paradite, KOHA ka qëndruar në prova.
Prapaskenat e një koncerti të Filharmonisë së Kosovës karakterizohen me përpunimin e secilës notë të një vepre.
Baki Jashari, ish-drejtor i këtij institucioni, ka qenë duke trajtuar tingujt e secilit grup instrumentistësh, e deri tek individët. Aty vërehet përkushtimi dhe rrugëtimi i një pune të madhe që bëhet deri te produkti final që i prezantohet publikut.
Ky përkushtim e profesionalizëm i muzikantëve është i vetmi dallim që vërehet 17 vjet pas. Jashari e ka kujtuar koncertin e parë të institucionit në Kosovën e pavarur.
“Që nga dita e shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008, Filharmonia besoj ka qenë i vetmi institucion që në atë kohë ka realizuar një agjendë kulturore atë ditë mjaft delikate, të panjohur për ne deri atëherë. Ka qenë një tension i shumëfishtë për secilin anëtar të Filharmonisë. Ai koncert u pat mbajtur në sallën ‘1 Tetori’ për shkak të mungesës së hapësirës dhe ne prapë dalim te ky moment. Edhe 17 vite pas shpalljes së Pavarësisë jemi me të njëjtin problem. Kësaj radhe, koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe”, tha Jashari.
Por ajo çfarë është premtuese, është zhvillimi i muzikës klasike në vend. Në koncertin e së hënës, pos një vepre nga Verdi, ato që do të interpretohen janë nga kompozitorët vendorë. Shumë prej tyre do ta kenë premierën në këtë koncert. Ky është një lloj imazhi dhe festë e muzikës klasike në vend në Ditën e Pavarësisë.
Koncerti do të nisë me veprën “Suita ilire” nga Mark Kaçinari dhe do të përfshijë tri vepra premierë: “Fantazi për piano” nga Blond Krasniqi me solist Shkëlzen Baftiarin në piano, poema simfonike “Mizer – Reçak” nga Liburn Jupolli dhe kantata “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri me soliste mexosopranon Flaka Goranci.
Tejet e ndjeshme e me emocione të fuqishme karakterizohet kjo e fundit. Të tillë e konsideron edhe mexosopranoja Flaka Goranci që është soliste e koncertit në interpretimin e kësaj vepre.
“Një vepër mjaft kërkuese edhe nga ana interpretative, por mbi të gjitha është vepër shumë e ndjeshme dhe i përshtatet tamam koncertit të Pavarësisë. Është vepër premierë e kompozuar nga Korab Shaqiri, me tekst të Ilir Shaqirit. Zgjat diku 20 minuta, me kor, orkestër dhe unë jam soliste e veprës, që është nder për mua”, deklaroi Goranci.
Nga zbërthimi i partiturave është e qartë se ky koncert ilustron momentet historike me emocione shumëngjyrëshe. Aty janë heroizmi, liria, gëzimi, por edhe sakrifica, dhimbja, lemeria, tmerri. E tillë është edhe vepra “Mizer – Reçak” e Liburn Jupollit që me tinguj ilustron imazhet e Masakrës së Reçakut.
Ai është shprehur se poema simfonike është si homazh dhe mjet edukimi për këtë ngjarje historike.
“Vepra është në stilin e poemës simfonike. Disa pjesë në këtë cikël që jam duke e shkruar tash e tri vjet, janë të kësaj natyre. Në këtë rast, pjesa i ka shtatë seksione në të cilat jepet një impresion i ditës kur ka ndodhur masakra, nga mëngjesi deri te ardhja e William Walker në skenë, deri te të mbijetuarit. Kjo është pak a shumë krejt ngjarja. Kështu janë të gjitha pjesët që jam duke i shkruar. Ose janë vetëm homazh, ose nëse ka hapësirë që në mënyrë edukative ta jap një impresion muzikor të ngjarjes, edhe ajo bëhet”, tha Jupolli.
Në koncert do të interpretohen gjithashtu pjesa “Dies Irae” nga “Messa da Requiem” e Giuseppe Verdit dhe vepra “Vendi im” nga Valton Beqiri, e kompozuar mbi temën e këngës “Mallëngjimi”.