EXPRESS

Filharmonia e solistja Shkreli sjellin virtuozitetin e veprave romantike

Me dy kryevepra të literaturës botërore të muzikës klasike, Filharmonia e Kosovës e ka përthekuar koncertin e dytë dhe të fundit të këtij muaji. Orkestra ka evokuar emocione të fuqishme nëpërmjet “Koncertit nr.1” të Frédéric Chopin dhe “Simfonisë së 5-të” të Felix Mendelssohn, duke sjellë epokën e muzikës romantike nën drejtimin e skocezo-italianit Dario Salvi dhe me soliste pianisten e talentuar Alba Shkreli.

Filharmonia e Kosovës dhe publiku janë palë që asnjëherë nuk e zhgënjejnë njëra-tjetrën. E para me programin e lojën mjeshtërore në koncerte, tjetra kur i qëndron përherë besnike institucionit shtetëror të muzikës klasike.

“Koncerti nr.1 për piano” i Chopinit ka sjellë thellësinë emocionale, meloditë lirike e lojën e ndërlikuar të pianos. Aty sjellin qindra vjet pas ndjenjat e emocionet e kompozitorit.

Melodive të ndjeshme e emocionale, por edhe dinamike e harmonike të Orkestrës u ka shtuar sharmë loja e Alba Shkrelit në piano. Ajo e ka vlerësuar intime veprën e polakut Chopin.

“Vepra është shumë intime. Chopin e ka shkruar kur ka qenë 20 vjeç, pak më i ri se unë tash, ai e përcjell një energji tek unë. Për atë e kam zgjedhur këtë vepër. Koha e dytë mendoj se është më e bukura që e ka”.

Për këtë vepër dirigjenti skocezo-italian Dario Salvi ka thënë se jep mesazhe të fuqishme.

“Koncerti i Chopinit është një pjesë që më pëlqen shumë. Mendoj që është pjesë përplot lumturi dhe jep mesazhe për ndriçimin e së ardhmes. Mendova se ishte gjë e bukur të filloja bashkëpunimin me Orkestrën, me një vepër kaq të fuqishme. Koha e dytë është një vallëzim, një vals gjerman, por e para është shumë magjike dhe pastaj vazhdon pjesa e famshme që luhet në ‘Andante’. Lëvizja e fundit është shumë e bukur”.

Një pjesë e instrumentistëve kishin punuar edhe më parë me të. Në shënim të Ditës së Forcës ishte dirigjent në koncertin e përbashkët të Orkestrës Frymore të Filharmonisë dhe asaj të Forcës së Sigurisë të Kosovës. Nën dirigjimin e tij, formacioni kishte sjellë repertorin botëror të veprave solemne më 27 nëntor. Me to ishin gërshetuar edhe kompozimet shqipe.

“Simfonia nr.5” e kompozitorit gjerman Felix Mendelssohn ka qenë gjysma tjetër e koncertit. Ka ardhur si rrëfim muzikor më vete. Një lloj elegance në ritëm e përcjellë me ekspresivitetin romantik midis tingujsh. Pasuria harmonike e ndjeshmëria krijonin imazhe muzikore.

Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se kjo vepër është rikthyer në repertor pas shumë vjetësh.

“Simfonia e pestë e Mendelssohn kemi konsideruar që është e nevojshme të rikthehet në këtë kohë pas shumë vjetësh si një prej veprave që ka lënë gjurmë në literaturën e muzikës klasike. Kështu e kemi bërë pjesë të këtij sezoni”.

Ndërsa për veprën e Chopinit ka bërë të ditur se ishte luajtur rreth dy dekada më parë. Në vitet e para të institucionit.

Koncertin e radhës Filharmonia e Kosovës do ta mbajë më 11 maj, ku Orkestrën do ta drejtojë dirigjenti britanik Chris McCraken.

Filharmonia e Kosovës koncertet e fundit ia ka kushtuar repertorit me muzikë klasike romantike. Është e dallueshme që ajo është e dashur për publikun. Edhe të shtunën ka evokuar emocione tek ata duke i shëtitur në botë të ndryshme përmes melodive.