EXPRESS

Festivali mbarëkombëtar me frymë traditash

Për gati dy vjet me radhë, qyteti prej ku rri hijerëndë busti i Bajram Currit, ka jetuar nën heshtjen pandemike.

Në sheshin e qytetit, përveç rutinës normale, kanë munguar edhe organizimet kulturore të këtyre anëve.

Për kërcimet e valleve, nën ritmet tradicionale shqipe, i kishte marrë malli edhe vendasit.

Mirëpo, viti 2021 shënoi një kthesë dhe gjallëroi Tropojën. Pamja gri u zëvendësua me të kuqen e flamujve, me veshjet kombëtare të krahinave të ndryshme dhe mindilët e vajzave që përshkuan sheshin për disa ditë, derisa qielli kumboi nga tingujt e çiftelisë, tupanëve e surleve.

Të gjitha këto u ndien në edicionin e 18-të të Festivalit tashmë tradicional, “Sofra Dardane”, organizuar nga “Unioni Artistik i kombit shqiptar”.

Tradita e nisur qëmoti u rikthye. 43 ansamblet e valleve e këngëtarët folkloristikë bënë që Bajram Curri për tri ditë të kthehet në kryeqendër të kulturës tradicionale shqiptare.

Kosova, Shqipëria, Çamëria, Presheva, qytete shqiptare nga Maqedonia e Mali i Zi, si dhe pjesëtarë nga diaspora u takuan në një vend.

Laramani kulturash krahinore, zëra të bukur të këngëtarëve të rinj e të moshuar, buzëqeshje fëmijësh, përmbushën atmosferën aq të pritur në këto ditë jo të lehta për këtë rajon.

Festivali treditor filloi me parakalimet e pjesëmarrësve në shesh, kombinuar me muzikë dhe valle.

Tropojanët Sokol dhe Petrit Morina i dhanë hijeshi organizimit përmes fuqisë së tupanëve të tyre.

“Sivjet jam duke i rënë me gjithë shpirt se janë bërë dy vite pa e prekur tupanin me dorë”, tha Sokoli. “Na ka munguar shumë ‘Sofra Dardane’, jemi gjithë gëzim duke e bërë këtë organizim. Ndjej shumë kënaqësi”, shtoi Petriti.

Pjesëtarët simpatikë të qendrës kulturore të fëmijëve “Bajram Curri” prezantuan veshjet e tyre të Tropojës.

“Është veshja tradicionale e vajzave të Tropojës që ka jelekun, këmisha, shoka, pështjellaku, çorapet, tutat, shamia dhe kryesisht këto”, u shpreh Edona Gjitia, valltare.

Ajo që rrëqethi publikun me zërin e saj ishte vokalistja e ansamblit “Xheladin Zeqiri”, Melisa Loki nga Tetova.

“Është një eksperiencë me të vërtetë e bukur, janë emocione që nuk përshkruhen. Të kesh shansin të shkosh në këtë moshë nëpër shumë vende është me të vërtetë shumë bukur”, deklaroi Loki.

Organizatori Azgan Haklaj tha se ky Festival është një ngadhënjim kulturor mbi Covid-19.

“Kemi zgjedhur si titull të këtij Festivali ‘Jam dardan i Malësisë së Gjakovës’ sepse ‘Unioni artistik i kombit shqiptar’ është mbrojtës i trashëgimisë kulturore të kombit, e përcjellë te brezat e rinj, e si motiv ka edhe kthimin në identitet. Ne duam heqjen e emrit ‘Tropojë’ që është sllave dhe ia kemi propozuar edhe autoritetve lokale të Tropojës e Qeverisë shqiptare heqjen e topononimeve të huaja e kthimin në identitet”, u shpreh Haklaj.

Një aktivitet tjetër ishte edhe inaugurimi i lapidarit në ditën e Çlirimit të Kosovës, në kujtim të luftës së burrave të fisit Gashi dhe kontributit që dhanë nga viti 1970 deri në vitet ’90.

“Ky lapidar përfshin shumë burra shqiptarë, kryesisht zonën e Gashit, ku është bërë një betejë e fuqishme në atë kohë. Gjaku i atyre dëshmorëve dhe lufta e tye bëri që ky lapidar gjithmonë të ngelet i gjallë para shqiptarëve”, tha organizatori tjetër, Can Tahiri.

Ai që ia shtoi emocionin Festivalit ishte karakteri i tij garues. Juria në përbërje prej Mond Dizdorit, Skender Doshlanit, Ali Mulës, Muahamet Rogazës, Deli Metolijajt, vlerësuan punën dhe profesionalizmin e pjesëmarrësve teksa ndanë çmimet.

“Brezi i ri shquhet për pjesëmarrje në këtë Festival dhe pika tjetër e rëndësishme është kostumografia, instrumentariumi i pasur, tradicional i popullit tonë, harmonizohen shumë bukur”, tha anëtari i jurisë, Skender Doshlani.

Ky organizim u vlerësua për kontributin e dhënë në aspektin e turizmit të zonës veriore të Shqipërisë.

“Përveç se e hapëm sezonin turistik veror në Valbonë dhe u inaugurua një memorial në qafë të Gashit, sot po marrim pjesë në ditën e dytë të këtij organizimi. Është shumë i rëndësishëm, larmishëm, bashkon të gjithë njerëzit si këtu edhe nga Kosova”, deklaroi qytetari Shefki Cena.

Organizatorët përmbyllën festivalin me shpresën se vitin që vjen do ta organizojnë sërish atë në rrethana tërësisht normale dhe pa ethet e pandemisë.