EXPRESS

Festa e çlirimit me kryevepra shqipe e botërore

Koncerti në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ka qene festë e shpalosje e nivelit të skenës së muzikës klasike në vend. Ka nisur me korin e burrave që në direktivat e dirigjentit të njohur, njëherësh akademik Rauf Dhomi kënduan njëra pas tjetrës disa potpuri arbëreshe. Pas kësaj, skena i takoi sopranos Zana Abazi-Ramadanit, e cila nën tingujt pianistikë të Pranvera Hoxhës interpretoi “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.

Në Sallën e Akademisë janë bërë bashkë sopranot Adelina Paloja, Arta Jashari, “Zanat”, si dhe instrumentistët, përfshirë pianistet: Lirika Pula, Syzana Jakupi e Alba Muçolli, violinisti Visar Kuçi e violonçelisti Antonio Gashi. Artistët luajtën vepra kompozitorësh të njohur shqiptarë, si ato të Rauf Dhomit, Zeqirja Ballatës e Trimor Dhomit. Nuk kanë munguar as disa prej kryeveprave botërore, si “Song to the moon” e operës “Rustikala” të kompozitorit çek Antoni Dvorzhakut, e cila u interpretua fuqishëm nga sopranoja Besa Llugiqi.

e fundit solli në skenë Orkestrën Kamertale të Operës së Kosovës, e cila së bashku me “Zanat” interpretuan trio operën “Goca e Kaçanikut”. Interpretimi erdhi nën dirigjimin e Arbër Dhomit, i cili është shprehur i lumtur që tashmë Dita e Çlirimit festohet me këngë.

“Më së pari është kënaqësi që për këtë ditë të bukur mundemi të festojmë jo vetëm me vajtur. Natyrisht na ka kushtuar me disa jetë njerëzish që kanë dhënë jetën e tyre. Përgëzime të mëdha për performues të shumtë, fantastikë natyrisht, me gjithë këta instrumentist të ri që po shtohen çdo ditë e më shumë. Përgëzime që Opera e Kosovës ka vazhduar prej 2003-tës e deri tani që është një institut me themel të bukur”.

Pianistja Pranvera Hoxha, teksa ka kujtuar faktin që gjenerata e saj e kishte përjetuar luftën, ka thënë se rëndësia e kësaj dite vjen çdoherë e duke u rritur.

“Shumë bukur. Gjithmonë është kënaqësi kur luajmë bashkë në një skenë së bashku me artist të ndryshëm të vendit e posaçërisht për një festë e cila për ne është kaq e rëndësishme, Dita e Çlirimit të Kosovës. Ngaqë ne si gjeneratë edhe e kemi luftën, çdo herë që festohet kjo ditë ia ndijmë edhe më shumë rëndësinë dhe është shumë bukur që këtë ditë tashmë ta festojmë me muzikë, përmes profesionit që ne e kemi zgjedhur, artit. Po shpresoj që ka me vazhdu me u festu çdo ditë më bukur e më bukur”.

Sopranoja Besa Llugiqi është shprehur e lumtur me organizimin e një mbrëmjeje të tillë, të cilën e konsideroi si shumë të rëndësishme.

“Sigurisht shumë bukur. Mendoj që i gjithë program ka qenë jashtëzakonisht i bukur. Një organizim i mirë nga ana e profesor Rauf Dhomit dhe Rreze Kryeziut që kanë bërë një gërshetim të shumë kompozitorëve dhe pikave interesante edhe kosovare edhe botërore kështu që ka qenë një laramani dhe një feste e bukur muzikore në një ditë shumë të rëndësishme për ne”.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës i ka shndërruar në traditë shënimet e ngjarjeve historike me organizime të tilla.