EXPRESS

“Fajin e ka Bill Gates” retrospektivë satirike

Është një lloj rebelimi ndaj bashkëthemeluesit të kompanisë botërore “Microsoft”, Bill Gates, thuren sharje e hidhen akuza e kritika. Shumë herë në shfaqje përmendet se “...fajin e ka Bill Gates”, kur përfliten shumë teori konspirative të gjendjes me izolimin si masë e parandalimit të përhapjes së pandemisë tash e katër vjet më parë. Të pandara janë shprehjet eksplicite në shfaqjen “Fajin e ka Bill Gates”.

Agresiviteti vjen si pasojë e gjendjes së rënduar të tyre. Temperamenti është i përhershëm. Dramaturgu e regjisori i shfaqjes, Shpëtim Selmani, i vë ata në kundërshti me secilin detaj e temë.

Kur flitet për teoritë konspirative, se fajin për pandeminë e ka Bill Gates, assesi nuk shmangen ato për dyshimet e vendosjes së çipit në trupin e njeriut nëpërmjet dhënies së vaksinës anti-Covid. Kjo pjesë i përforcon përçarjet e çiftit bashkëshortor në shfaqjen që është dhënë premierë të hënën mbrëma në teatrin “Oda”.  

Ata ndikohen nga gjithçka që dëgjojnë. Ekziston frika se ata do të jenë disa prej një pjese të njerëzve se “nuk do të merren në planetin Mars” për t’u shpëtuar. E shajnë dhe mallkojnë Bill Gatesin duke iu referuar si autor i gjithë ndodhive.

“Paranojat, gjërat e çuditshme që vijnë gjatë gjithë kohës, përmes kësaj e sjellim më shpejt gjendjen e krijuar. Gjithçka është bërë për shkak të izolimit dhe frikës se çfarë do të ndodhë që kemi menduar se do të zgjasë për dy javë, gjë që ceket edhe në tekst, por ka dalë edhe më shumë. Kur kanë thënë njerëzit se do të zgjasë dy vjet dukej e pabesueshme. Këto paranoja dhe gjithçka që u vjen e pabesueshme vjen si shkak i izolimit”.

Aktori Dukagjin Podrimaj për tematikën e shfaqjes “Fajin e ka Bill Gates” ka thënë se shkon përtej pandemisë.

“Shfaqja nuk e trajton vetëm pandeminë, por pak edhe jetën martesore, edhe faktorët e jashtëm që ndikojnë në një çift apo në një relacion njerëzor çfarëdo që është. Nuk është e një kohe të lartë dhe ende po i ndiejmë pasojat me atë se është bërë shumë prezente puna nga largësia. Është një impakt i madh i pandemisë edhe në ditët e sotme”.

Dramaturgu e regjisori i shfaqjes, Shpëtim Selmani, i vë ata në kundërshti me secilin detaj e temë.

“Është një tekst që ka të bëjë me një çift bashkëshortor në kohën e pandemisë, ndikimi i saj, konspiracioni, izolimi, ankthi, paranojat, të gjithat kanë prodhuar një lloj efekti jo aq të këndshëm gjatë pandemisë. Ka qenë një temë që ka pasur influencë të njëjtë tek të gjithë, i ka futur njerëzit në ujëra që nuk kanë qenë më parë, se çfarë po ndodh me këtë situatë. Edhe tash nuk e dimë se nga ka qenë prejardhja e asaj gjendjeje izolimi”, ka thënë regjisori e autori i shfaqjes”.

Shaqja me gjithë kontradiktat e luftës për mbijetesë zbulon edhe shpresat e dashurinë e dy personazheve të pasigurt nën strehën e tyre.

Diskutohet edhe për kriminalitetin në vend. Ata bëhen paranojakë për gjithçka që i rrethon. Paragjykimet janë edhe për artistët se ata shtiren liberalë, por janë skajshmërisht konservatorë.