Është një triler dinamik, me shumë ngjarje, por në thelb i jep peshë momentit a një veprimi që ka fuqinë t’i japë jetës një kthesë të fuqishme. Në rastin e “Escort”, kahu jetësor kapërdihet për të keq. Personazhit kryesor i tjetërsohet jeta tek i shndërrohet në përpjekje të vazhdueshme për ta rikthyer në binarë. Bashkëprodhimi midis tri shteteve të Ballkanit – Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës – ka ardhur me një rrëfim si ky edhe në Prishtinë, në edicionin e 15-të të festivalit ndërkombëtar të filmit, “PriFest”. Të premten mbrëma, në “Kino Armatë”, publikun e ka futur në botën e errët të nëntokës, si një paralajmërim të pasojave të zhytjes në të. Shfaqjes i ka paraprirë një paralajmërim prej bashkëproducentit e aktorit nga Kosova, Fatmir Spahiu, se filmi është për audiencë +18.
Premiera kosovare vjen pas asaj të korrikut të sivjetmë në Festivalin e Filmit në Pula të Kroacisë, që sivjet shënoi edicionin e 70-të.
“Escort” me regji nga Lukas Nola, emër i shquar i kinematografisë kroate dhe jo vetëm, pos Spahiut, ka në kastë dhe aktorët Fiona Gllavica, Ilir Prapashtica e Dukagjin Podrimaj nga Kosova dhe Bashkim Alajn nga Mali i Zi.
Aktori e producenti Fatmir Spahiu ka thënë se ka qenë pikërisht regjisori arsyeja që e shtyu të jetë bashkëproducent në këtë prodhim. Ka thënë se premiera në Kosovë jep tjetër ndjesi. Në “PriFest” si bashkëproducent ai ka ardhur me dy filma.
Krejt ngjarja zhvillohet pas një feste, e cila merr një kah krejt tjetër, një festë mes tre miqsh, e cila shndërrohet në tragjedi. Miro, një biznesmen 40-vjeçar, futet në kthetrat e botës së krimit kur kalon natën me një prostitutë, të cilën më pas e gjen të vdekur në dhomën e hotelit ku po qëndronte. Duke u munduar që të mos e shkatërronte jetën e tij të lumtur e gjithashtu edhe biznesin e tij, me ndihmën e stafit të hotelit ia arrin ta fshehë vdekjen e prostitutës, por krejt kjo i kthehet dhe shndërrohet në tmerr. Burri deri atëherë i lumtur e familjar shantazhohet e rrezikon jetën e lumtur, të cilën e kishte para natës së tmerrshme.
Aktori Dukagjin Podrimaj vjen në rolin e një regjisori kroat, i cili jeton në Angli. Ka thënë se komentet e para pas filmit nuk janë kurrë reale e as përshtypjet e tij personale.
“Escort” është një film plot adrenalinë, skenat janë kontraste botësh, pikërisht siç mund të transformohet jeta brenda një nate të vetme.