“Erkand Morina Trio” ka thurur rrëfime magjike jazzi në natën e tretë të “Prishtina Jazz Festival”. Melodi unike të mbështjella me muzikë klasike e ritme tradicionale, e kanë bërë koncertin e trios një përjetim të thellë muzikor. “Gypsy jazz” ka sjellë lojën e bukur të Erkand Morinës e Hugo Rehman Langemar në kitarë dhe të Xavier Nikçit në kontrabas.
Jazz me klas ka qenë ai që është sjellë të shtunën mbrëma në teatrin “Oda”. Treshja e instrumentistëve ka luajtur meloditë e pastra, të thjeshta e të buta, ku loja e secilit instrument është e dalluar.
Është muzikë e vjetër që vlen maksimalisht në kohë moderne. Kthejnë pas në kohë. Njëra prej veprave ka lidhje me Amerikën. E këtu Morina ka nisur interaktivitetin me publikun, gjë që e ka bërë edhe më interesant e më të pasur koncertin e tij me përplot informacione për historinë e “gypsy jazz” dhe jazzit në përgjithësi.
Në veprën me titull “Artillerie Lourde” të kompozitorit belgo-francez Django Reinhart, loja improvizuese e kontrabasit është e theksuar, ndërsa dy kitarat krijojnë ritme të njëjta. Morina ka treguar nga skena që vepra ishte shkruar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Treshja ka interpretuar edhe veprat e Erkand Morinës, “Randez-vous français” që ka qenë tejet tërheqëse, ritmike, me folklor francez, si dhe “Bossa nostra” me ritme ‘bosa nova’ të cilën e kishte shkruar për muzikantin e shquar të jazzit, Mozes Rosenberg.
Sipas Morinës, në Kosovë “gypsy jazz” luhet pak.
“Ne muzicientët e dimë që luhet në botë dhe e ka një pjesë të rëndësishme në histori, por tek ne nuk ka pasur asnjë tentativë më herët për ta luajtur, edhe pse e kemi dashur, por nuk ka pasur as publik dhe as njerëz të interesuar që janë thelluar ta studiojnë, sepse është një mënyrë ndryshe nga rocku dhe jazzi tjetër që luhet. Tani që m’u dha rasti të vij, vendosa të luaj edhe disa pjesë të miat, por edhe të disa të tjera shumë të njohura që luhen nëpër festivale të zhanrit të ‘gypsy jazz-it’ në Evropë dhe Amerikë”.
Ka thënë se këtë lloj të muzikës jazz e karakterizon ana ritmike e melodike.
“Këtë degë të jazzit e karakterizon ritmika konstante dhe melodike, është jazz shumë melodik dhe depërton e tretet lehtë në mosha të ndryshme për shkak të ritmikes dhe melodive të kapshme dhe të tretshme për dëgjuesin. Nuk duhet të jesh ekspert jazzi për ta dëgjuar ‘gypsy jazzin’, mjafton ta duash muzikën. ‘Gypsy jazz’ e ka atë magji që nuk të lë pa lëvizur, e ka atë fuqi dhe atë puls të ngërthyer në muzikën e vet”.
“Erkand Morina Trio” ofron tingull unik e melodik të ‘gypsy jazzit” akustik me origjinë në Francën e viteve ‘30.
Kontrabasisti me rrënjë nga Kosova që jeton e vepron në Francë, Xavier Nikçi, ka thënë se thelbi i muzikës së tyre është pastërtia e melodive.
“Ideja kryesore e kësaj muzike është se është krijuar vetëm për instrumente harkore, nuk ka bateri, nuk ka trumbetë, as saksofon, pra nuk është bërë me instrumente të ndryshme, duke krijuar diçka ndryshe. Është muzikë që mund ta luash kudo, është shumë e këndshme”.
Kitaristi argjentinas Hugo Rehman Langemar ka thënë se veprat e Reinhart janë pjesë e pandarë e repertorit të ‘gypsy jazz”.
“Django Reinhardt e ka dashur muzikën klasike dhe i ka regjistruar këto vepra duke qenë të interpretuara në formë të muzikës klasike. Ato ndër vite janë bërë pjesë e pandarë e repertorit të ‘gypsy jazz’. Shihet se njerëzit ishin të lumtur që ishin pjesë e koncertit, mund ta ndjenim entuziazmin e tyre”.
Veprat e Reinhart të cilat i ka luajtur treshja, kanë qenë me përplot tema tradicionale. Në repertor kanë pasur edhe vepra nga Debussy e Ravel.