Në Vjenë, e përtej saj, ka sjellë lojën magjepsëse të kërcimit në majë të gishtave. Bashkë me shpalosjen e profesionalizmit, e ka bërë të njohur edhe emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve nëpër skenat ku ka shkelur. Me lojë solo, balerini i njohur Eno Peçi në mbrëmjen artistike “Ta zbardhi ftyrën” ka sjellë rrëfimin e tij në rrugëtimin si balerin e ka interpretuar fragmente nga vepra bashkëkohore.
Me mjeshtërinë e tij në kërcim, shkathtësitë teknike e artistike, balerini shqiptar Eno Peçi ndër vite ka qenë figurë e shquar e baletit në një prej vendeve të mëdha të artit klasik. Në Vjenë, e përtej saj, ka sjellë lojën magjepsëse të kërcimit në majë të gishtave. Bashkë me shpalosjen e profesionalizmit, e ka bërë të njohur edhe emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve nëpër skenat ku ka shkelur.
Në ngjarjen me të cilën është shënuar edicioni i shtatë i organizimit “Ta zbardhi ftyrën” ai është shprehur se performancat si balerin e krijimet e veprave të reja si koreograf, e kthejnë në rrënjët e tij. Ai është kthyer në Prishtinë – pas realizimit të shfaqjes “Exil” me Baletin Kombëtar të Kosovës – për sekuencat e para të kërcimit të tij në kryeqytetin e Kosovës. Por ngjarja e organizuar nga “KultPlus” ka qenë një lloj gërshetimi i rrëfimit të Peçit drejt profesionit me ilustrimin e talentit të tij.
Me lojë solo, Peçi interpretoi fragmente nga vepra bashkëkohore. Ngjan se sjell një tregim që rrëfen dëshpërimet nën tingujt melankolikë të pianos.
Ai shpesh bie përtokë dhe kjo, pasi është dëgjuar biseda, ngjan se korrespondon me rrëzimet e tij të njëpasnjëshme përtokë në këmbënguljen e tij në fillet e rrugëtimit të Peçit si balerin.
Në bashkëbisedim me moderatoren Fëllënza Çitaku, Peçi ka bërë të ditur se si fëmijë e kishte pasion vallëzimin, por se, megjithatë, baleti ishte diçka e panjohur për të. Hapat e parë të baletit do t’i merrte në Shqipëri e më pas edhe në Austri.
Para publikut në Prishtinë, midis të cilëve ka pasur edhe balerinë, ka kujtuar fillimet e tij të shkollimit për balet në Vjenë.
“Kur u thashë se isha nga Shqipëria, ata ishin skeptikë, por u munduan të mos e tregonin nga shprehjet në fytyrën e tyre. U futa në klasë, kisha dy vjet që nuk ushtroja balet dhe ata të gjithë ishin perfekt. Nisa të ushtrohesha, por nuk isha në formën e duhur dhe nuk e di se sa herë kam rënë në tokë, sepse është një moment kur bën ushtrime tërë kohën, pirueta, nëse nuk e ke kontrollin e trupit totalisht, dëmtohesh. Unë mundohesha të mos dëmtohesha, t’i bëja gjërat në rregull, por nuk funksiononte. Kam rënë rreth 25-30 herë”, tha Peçi.
Një prej roleve të para serioze ka qenë roli titullar në shfaqjen “Spartacus” me koreografi të italianit Renato Zanella, që atë kohë ishte drejtor e koreograf kryesor i “Wiener Staatsoper”, institucionit ku Peçi ishte i angazhuar.
“Ka qenë diçka shumë e veçantë, sepse atëkohë isha gjysmësolist. Kemi pasur një drejtor italian dhe ai më ka ndihmuar shumë, sepse më vëzhgonte gjatë gjithë kohës në shkollën e baletit. Shikonte përmirësimet e mia dhe erdhi një kohë kur ai më dha kontratën të futesha në Teatrin e Operës dhe Baletit në Vjenë. Më dha mundësinë të kërceja dhe pastaj erdhi momenti ta krijoj Spartakun. Unë isha akoma 21 vjeç dhe nuk merrja vesh ndonjë gjë. Normalisht që për ta kërcyer Spartakun duhet të kesh shumë përvojë, sepse ka të bëjë me anën teknike e artistike”, tha Peçi.
Dhe që prej aty nisi të marrë formë profesionalizmi i balerinit Eno Peçi. Ai ka luajtur në shfaqje baleti si “Giselle”, “Sleeping Beauty”, “Onegin”, “Don Quixote”, “Manon”, “Raymonda”, “Sëan Lake”, “Carmen”, “The Nutcracker” e “Romeo and Juliet”, midis tjerash.
Një prej shfaqjeve të tij si koreograf ishte shfaqja “Exil”, e punuar në vitin 2015. Nëpërmjet artit të lëvizjeve të trupit, do ta shtjellonte ikjen e njerëzve nga Shqipëria e fundviteve ’90. Do ta punonte edhe me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës e “Exil” do të jepej premierë në fillimdhjetorin e 2019-s në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
“‘Exil’ ka lindur nga një ide, ka qenë një festival në Zvicër ku drejtori i asaj ngjarjeje donte të dinte për fëmijërinë time, dolëm te trazirat e viteve 1997-1998 dhe ai donte që unë të zhvilloja një koreografi me këtë koncept. Ky ishte fillimi i parë. Premierën e pati në Zvicër, pasi përfundoi, thashë se do ta bëjmë patjetër në Tiranë, pas Tiranës thamë se kjo pjesë patjetër do të shkojë në Kosovë”, deklaroi Peçi.
Organizatorja Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e portalit për art e kulturë “KultPlus”, ka thënë se me këtë ngjarje fokusin e vënë tek artistët shqiptarë që kanë prekur skenat ndërkombëtare.
“I pikasim artistët më eminentë që kanë prekur magjinë e skenave ndërkombëtare. Sivjet patëm fat ta kemi Eno Peçin dhe është hera e parë që në Kosovë është prezantuar si balerin. Kjo është e jashtëzakonshme, sepse nuk e kemi shpesh rastin të kemi në Prishtinë balerinë kaq të rëndësishëm që janë nëpër filharmoni e opera të ndryshme të botës”, tha Pajaziti.
Në fund, Eno Peçit i është ndarë çmimi tradicional i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”. Vitin e kaluar, baritoni Gëzim Myshketa ishte figura e kësaj ngjarjeje.