EXPRESS

“Ëndërr” në lojë me ngjyrat gjen harmoninë

Imagjinata e fuqishme, gjethet, format gjeometrike, ngjyrat e shumta, dhe figura e gruas, janë vetëm disa nga aspektet që e ndërtojnë pikëpamjen artistike të artistes Edona Blakaj. Në secilën tablo ajo krijon universe në vete, të cilat nuk deshifrohen dot me shikim të parë. Duke përdorur dhe metaforë, ajo në kanavacë hedh ngjyra e bën lëvizje me brushë teksa ndërton botë idealiste të drejtuara në një cak të vetëm. Synon harmoninë, dëshiron që filozofia e saj për jetën të jetësohet dhe në pikturat e saj. Javën e kaluar, në kryeqytet, në “Galeri 4”, u prezantua ekspozita “Dream” (Ëndërr) e artistes. E vendosur në një apartament të rëndomtë në shikim të parë, por me kushte optimale për ta realizuar një ekspozitë, në këtë galeri familjare zunë vend rreth 30 piktura të artistes.  

Në këtë ekspozitë zor që vëmendja të pushojë tek ndonjë vepër e vetme. Gjithsecila të fton në një udhëtim unik, në secilën nga to transmetohen copëza nga bota e artistes, të cilat njëjtë si në kanavacë kishte vendosur t’i sillte, ashtu si të fragmentuara edhe nëpërmjet disa poliptikëve.

“Mua më pëlqen shumë harmonia, edhe në jetë. Mundohem gjithmonë t’i neutralizoj ngjyrat, t’i shtjelloj ato me njëra tjetrën të mos kenë kontraste shumë të mëdha. Dua që t’i flenë njëra tjetrës. Kjo gjë më përkufizon dhe mua si femër, jam munduar që edhe ngjyrat dhe temat e trajtuara të pasqyrojnë brishtësinë. Abstraksioni në to është i shprehur me disa forma ovale, nganjëherë duken si portrete, gjithë apo gurë të vegjël që në tërësi e formojnë një shkëmb të tërë”.

Blakaj, e cila studimet për pikturë i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës,  gjatë studimeve postdiplomike në vitin 2002 u shpërblye për “Rezultate të Arritura në Pikturë”. Karriera e saj artistike nis me ekspozitën e saj në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në vitin 2005. Ajo gjithashtu ka qenë pjesë e ekspozitave kolektive të organizuara në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Është evidente edhe në pikturat e ciklit “Dream”, se ajo procesit të pikturimit i kushton rëndësi të madhe. Për të besnikëria ndaj identitetit të saj është e qenësishme, por spontanitetit ia lë prekjen e fundit. Pikturat e saj epilogun e arrijnë duke e jetësuar atë që e ndien vetë artistja. Qoftë ajo ndonjë gjendje momentale, apo preokupim i kamotshëm. Këtë qasje të saj, gjatë studimeve e kishte vënë re dhe një mjeshtër i pikturës.

“Dhe në fakultet kur isha gjithmonë profesori im Rexhep Ferri me thoshte se ti në pikturën tende paraqet fragmentet e tua, edhe këto piktura paraqiten ashtu, si fragmente por në kompozicion bëhen një, është e natyrshme, natyra, qenia femërore e harmonizuar mua. Këto janë elemente që më pëlqejnë dhe ashtu e ndjej veten kur pikturoj”.

Pasioni dhe bota e brendshme e Edona Blakajt jetësohen në secilën pikturë. Ato mund të interpretohen lehtazi edhe si fragmente të jetës së artistes. Ashtu siç ndodh me disa të cilat janë të dendura me ngjyra plot jetë. Nga ato ku dominojnë të kaltrat me të gjitha nuancat e tyre e deri tek ato bardhezi, ku mbretëron melankolia.

Për ta parë punën e Blakajt në tërësi i pranishëm në ekspozitë qe dhe piktori Esat Valla. Edhe pse kishte pasur rastin që veprat e artistes t’i shihte nga afër disa herë, në ekspozitën “Dream” gjeti rastin që të thellohet në analizimin e tyre.

“Po e shoh që ka disa tablo me premisa te katrorëve dhe gjetheve të cilat i veshë si elemente shprehëse personale, ajo është ne rrugën e formimit te shprehjes se një bote individuale. Posaçërisht   me pëlqejnë këto gamat bardh e zi të pikturave.  Lënë shumë mbresa, janë të realizuara bukur. Edhe këto tjerat janë me kolor të kërkuar, të shuar, jo tepër intensive, ka harmoni në to”.

I tërë kompozicioni i fragmentuar i artistes, nëpërmjet ngjyrave dikton humor të ndryshëm, por bëhen bashkë teksa lidhen në mënyrë poetike nëpërmjet motiveve të përbashkëta. Siluetat e femrës shfaqen shpesh, lëvizjet specifike me brushë fillojnë e bëhen tregues i stilit të saj. Ndërsa i tërë tregimi del si një përkthim i botës së brendshme, i idealit dhe i një synimi të cilin ajo arrin ta transmetoj, së paku nga tablotë e saj.