Nuk bëhet fjalë për një koncert standard të Filharmonisë së Kosovës. Kësaj radhe në përvjetorin e 25-të të çlirimit, ky institucion ka vendosur që të mos jetë vetëm interpretues i muzikës klasike. Ka mbushur sallën e djegur të Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
“Strings of life” është koncerti që ka shëtitur gjithandej botës për një dekadë. Ideja është të bashkohen ata që e duan muzikën klasike dhe atë elektronike. Dhe qëllimi arrihet me tre virtuozë në skenë bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.
Kur zhanret shkrihen, publiku futet në një rrugëtim miks ku elektronika e klasikja thjesht nuk përplasen, por ecin paralelisht duke i bërë vend njëra -tjetrës.
E në raste të tilla atmosfera është tjetër.
“Një prej arsyeve të realizmit të këtij projekti është që kemi koncerte me audiencë që nuk kanë qenë kurrë në ndeja të vallëzimit, në ndeja të muzikës elektronike e po ashtu audienca që nuk kanë qenë kurrë për të parë një koncert me muzikë klasike. Kësisoj lidhen dy botë muzikore që janë krejtësisht të kundërta dhe bëhen një. Ideja kryesore është si t’i lidhim njerëzit dhe të synojmë dashuri dhe paqe, dhe këtë ta bëjmë me audienca gjithandej botës. Kjo është ideja kryesore”, tha dirigjenti e kompozitori, Dzijan Emin.
Emin me bashkëpunëtorë ia kanë dalë ta bëjnë këtë. Madje suksesshëm edhe në Kosovë. Ata që pëlqejnë muzikën klasike kanë qenë më të heshtur edhe në platformat e sipërme të sallës. Kurse të tjerët në platformën bazë kanë përjetuar muzikën edhe me vallëzim.
“Kemi punuar shumë me këtë projekt nëpër botë. Është gjë tejet e bukur të punosh me Filharmoni pasi ajo çfarë bëj është shumë eksperimentale, është gjë e lirë pa restrikcione dhe u jep muzikantëve mundësinë që vërtet të jenë tërheqës dhe ata e duan këtë, njëjtë siç e dua edhe unë”, deklaroi DJ Derrick May.
May është muzikant që e ka shëtitur botën dhe ka lënë gjurmë gjithandej.
E pianisti Francesco Tristano e ka provuar të luajë veç klasike e po ashtu edhe koncerte hibride sikurse ai i së martës mbrëma.
“Në shekullin 20 kemi dashur që të ndajmë gjërat, të ndajmë klasiken nga elektronikja e DJ nga instrumentet. Kurse shekulli 21 është i bashkimit të të gjitha këtyre. Nuk na duhen ndarjet”.
Për Filharmoninë e Kosovës ky koncert ishte një lloj debutimi me diçka të re. Nuk mund t’i bëhej vend në ndonjë rast tjetër pos në ditë festash, si përvjetori i 25-të i çlirimit.
“Është projekt hibrid midis klasikes dhe elektronikës, është një material që tërheq audiencë, që nuk i përcjell koncertet e Filharmonisë, ndonëse Filharmonia nuk e ndien mungesën e publikut, por gjithmonë duhet gjetur forma për të ofruar tek orkestra edhe publikun që ndodh të hezitojë të ndjekë koncertet e Filharmonisë”, tha Dardan Selimaj, zëvendësues i drejtorit.
Për një institucion të muzikës klasike nuk është edhe e lehtë që të provojë diçka të tillë. Por, dinamizmi i këtij shekulli shtyn drejt eksperimenteve.
“Jemi duke jetuar në kohën kur gjithçka është në zhvillim dhe një projekt si ky është tendencë për të gjetur forma shprehëse që mund ta definojnë kohën në të cilën jetojmë. Konsideroj që përgjigjja e publikut sot e konfirmon këtë”.
Filharmonia në këtë rast ka provuar një formë shprehëse që e ka bërë publikun për vete. Ka joshur për muzikë klasike edhe prej atyre që kurrë s’kanë ndjekur asnjë koncert. Kurse si risi në skenën vendore muzikore, koncerti përmbajtësisht është ngjarja kryesore e çerekshekullit të çlirimit.