Monodrama që bën thirrje për të mos e lëshuar vendin, “Arka” e Mentor Zymberajt, ka hapur edicionin e 15-të të festivalit “MonoAkt”. Festivali që i kushtohet një prej zhanreve më të vështira dramatike, monodramës, është nikoqir i pesë shfaqjeve të ndryshme të cilat janë edhe pjesë e garës për çmimin kryesor.
Ceremoninë e hapjes e përcollën zërat melodikë të Diellza Dedushit, Ardiana Mehmetit dhe Qendresa Spahiut, të cilat njëra pas tjetrës kënduan këngët: “Back to Black” të Amy Whinehouse, këngën popullore “Nji lule” dhe “Bareshën” e Pagarushës. Për t’i dhënë edhe më shumë kuptim nisjes së edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtarë të Monodramës, aktori e regjisori i njohur, njëherësh edhe drejtor i festivalit, Mentor Zymberaj, dha shfaqjen “Arka”. Premiera e saj ishte dhënë në qershor të vitit të kaluar.
Nëpërmjet rrëfimit të historisë tragjike të familjes së kryepersonazhit, monodrama “Arka” synon të përçojë te publiku mesazhin për të mos e braktisur vendlindjen. Një gjë të tillë e pohon edhe vetë autori i saj.
“Arka është vërtet ajo që ne ende e kemi. Kjo është pjesë e familjes gjithashtu. Ajo na ruan kujtimet. Kujtimi është gjëja më e shtrenjtë në këtë botë dhe mundohet që në njëfarë forme ta shtjellojë edhe problemin e madh të cilin e kemi pasur kur ne kemi sakrifikuar shumë në jetën tonë për njëri-tjetrin, por që ndonjëherë në pamundësi, tash po kalojmë në këtë izolimin politik të Evropës, pak a shumë ka ndikuar që të mos e kemi atë lirinë që e meritojmë”.
Zymberaj është shprehur i lumtur me rrugëtimin që festivali ka bërë tash e pesëmbëdhjetë vjet. Ka thënë se regjisorët, aktorët e skenaristët tashmë kanë nisur të mos kenë më frikë nga monodrama, si një zhanër tejet i vështirë.
Regjisori i teatrit, Matthias Gehrt, do të jetë pjesë e jurisë së festivalit. Në rolin e regjisorit të shfaqjeve teatrale, Gehrt ka folur edhe për vështirësitë dhe karakteristikat e monodramës.
“Jam regjisor teatri. Kam punuar në teatër pjesën më të madhe të jetës sime profesionale, por kam qenë regjisor i vetëm një monodrame. Udhëheq shfaqje të mëdha si ato me Shekspirin, kështu që jam mësuar të punoj me shumë njerëz. Por kjo është shumë interesante sepse duhet të fokusohesh në një njeri, në një subjekt dhe secili thotë që monologu është më i vështirë se dialogu. Kështu që monodrama është një disiplinë shumë e vështirë dhe unë kam parë shumë monodrama”.
Shfaqja e radhës në programin e festivalit “Monoakt” ishte “Bodas de Sangre” e regjisorit spanjoll, Pati Domenek.
Skena është e errët kur nis shfaqja. Është monodramë dhe aktorja spanjolle, Maria Vidal shfaqet e veshur në të bardha. Në këtë shfaqje ndërdisiplinore ndërthuren tri histori tragjike.
Mes skenave këndon e vallëzon me këngë e nën tinguj të ndryshëm. Nga këndimi i një ninulle e deri te mallkimi i hënës, shfaqja kthehet në një rrugëtim nëpër histori, duke shpalosur vuajtjet e martesës që më së paku për bazë e ka dashurinë.
Shfaqja erdhi në gjuhën spanjolle dhe për publikun nuk pati përkthim. Por, emocionet e gjalla që Vidal i përçoi, i takojnë çdonjërit, përtej secilit kufi.
Regjisori spanjoll, Pati Domenek, ka thënë se shfaqja me tekst dhe regji të tij është e inspiruar nga “Bodas de Sangre” e poetit dhe regjisorit spanjoll, Federico Garcia Lorcas.
"Shfaqja që do ta prezantojmë sot është një shfaqje e cila është e inspiruar nga 'Bodas de Sangre' e Federico Garcia Lorcas që do të thotë 'Dasëm Gjaku'".
Drejtori i festivalit, Mentor Zymberaj, ka thënë se shfaqjen “Bodas de Sangre” e ka parë para 3 – 4 vjetëve dhe që atëherë, ka filluar bisedimet që ta sjellë në festivalin e tij.
“Këto udhëtimet tona përpos anës së promovimit të kulturës sonë, po na e mundësojnë edhe neve që të shohim shfaqje të bukura. Këtë shfaqje e kam parë në Ukrainë para 3 - 4 vjetëve, kur kam qenë me shfaqjen 'Andrrat e Hamletit' dhe më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Kështu që tani i erdhi radha, sepse unë që atëherë kam biseduar me regjisorin dhe me aktoren, të cilët kanë një mori suksesesh nëpër botë. Jeta e tyre është vërtete shumë artistike, secila shfaqje e tyre është më e mirë se tjetra. Tani e kam edhe ofertën nga Spanja që të bashkëpunoj me ta, kështu unë vërtet isha i nderuar që gjetën kohë të bëhen pjesë e festivalit dhe besoj se edhe ata janë ndarë të kënaqur. Po ashtu besoj se i kemi arritur pritshmërinë e shikuesve të cilët patën rastin ta shohin një lojë specifike, një zhanër e kulturë të veçantë".
Aktorja Maria Vidal, ka thënë se tema që shfaqja e trajton dhe fakti se ajo e interpreton, si diçka të cilën e bën më shumë dashuri dhe përkushtim, e dyfishon rëndësinë që shfaqja ka për të.
“Për mua është shumë e rëndësishme. Flet shumë për barazinë gjinore dhe mbi të gjitha për gruan, vendin në të cilin gruaja do të duhej të ishte. Për mua ajo është shumë e fortë dhe e rëndësishme, sepse mbi të gjitha në skenë unë bëj atë çfarë dua të bëj, kështu që për mua është dyfish e rëndësishme”.
Nga po i njëjti regjisor, me aktor Sergoi Novo, të mërkurën pjesë e programit të festivalit “Monoakt” është shfaqja “Parajanov, a Celebration of Life”. Në këtë shfaqje Novo ka thënë se shikuesi do të ketë mundësi të mësojë për jetën dhe punën e filmbërësit të njohur armen, Sergei Parajanov.
“Monoakt” do të zhvillojë aktivitetin deri më 15 qershor, kur edhe do të bëhet ndarja e çmimeve.