EXPRESS

“E kaluar e çmuar” me thesaret e trashëgimisë

Galeria “Qahili” hapi dyert për ekspozitën e titulluar “E kaluar e çmuar” si një kompozicion i dyzuar mes veprave të artistëve nga Gostivari, Burhan Ahmeti dhe Nevzat Kica. Ekspozita e përbërë nga një gamë eklektike e pikturave, vizatimeve, printimeve, akuatintave e shumë mediumeve të tjera kishte për emërues të përbashkët trashëgiminë kulturore shqiptare.

“E kaluar e çmuar”, si titull kap mjeshtërisht thelbin e veprave të shfaqura në të. Secila vepër shërben si një narrativë vizuale, duke eksploruar aspekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore, sa kolektive aq edhe personale të cilat ofrojnë një dritare edhe në personalen e vetë artistëve.

Mjeshtërisht e konceptuar nga galeria “Qahili”, kësaj ekspozite iu dha një përshkrim poetik përmes të cilit bëhet ndërthurja e veprave artistike të Ahmetit e Kicës me Sonetin e 30-të nga Shakespearei. Ajo vjen si një reflektim mbi sfidat e jetës dhe kalimin e kohës, fillon me një njohje melankolike të hidhësirave të kaluara në jetë, por më pas gjendet një ngushëllim përmes kujtimeve.

“Shakespearei flet për dashurinë dhe në ekspozitë paraqitet një dashuri në aspektin e trashëgimisë kulturore, shoqërisë, zhvillimin e saj si në aspektin akademik e profesional njëjtë dhe në mënyrat se si ndikohet zhvillimi i shoqërisë nga faktorët e jashtëm. Kjo ka qenë ideja, të vijmë me diçka që dallon nga ekspozitat e tjera dhe me sjellë artistë me stile që dallojnë nga njëri-tjetri dhe ata që vijnë të shohin ekspozitën, të shohin diçka të re”.

Veprat e dyshes paraqesin rrëfime të thella emocionesh njerëzore duke udhëtuar në retrospektivë si indikacione të kujtimeve personale të artistëve, qofshin ato portretizime të figurave që kanë qenë pjesë e jetëve të artistëve apo elemente të tjera universale që përbëjnë një imazh të qartë motivesh shqiptare e nostalgjike.

Kica kap esencën e traditave dhe zakoneve shqiptare në detaje të hollësishme, duke i vendosur elementet tradicionale herë në mënyrë diskrete e herë direkte përmes thëngjillit në vizatim dhe paletës së ngarkuar mes nuancave të tirkizit në pikturë.

Në anën tjetër, Ahmeti shfaq elementet stilistike tradicionale përmes teknikave të ndryshme të shtypit, duke eksperimentuar në mediume të ndryshme që u japin veprave dimensione shtesë, si tentim për t’i përjetësuar këto simbolika kulturore në çdo pikturë e grafikë.

Kjo ekspozitë sjell për dashamirët e artit në Kosovë krijimtari që ka evoluar nga një raport mësimdhënës-student, në një bashkëpunim të barabartë në skenën artistike. Ahmeti qe student i Kicës.

“Vetë titulli i ekspozitës së flet shumë për të kaluarën tonë të çmuar. Kemi fatin që ne si komb të kemi një histori të begatë kulturore duke filluar nga etnografia e deri tek artefaktet arkeologjike. Jam munduar të paraqes ato elemente me kompozicione të grafikës përmes teknikave të ndryshme, kam përdorur si për shembull djepin si detaj, fragmente nga shtëpitë e vjetra të cilat fatkeqësisht nuk ekzistojnë më, por fotografitë apo kujtimet çdo herë do të mbesin”.

Nëpërmjet kësaj ekspozite të përbashkët, ata ndajnë me publikun një pjesë të rrugëtimit të tyre, duke shpalosur ndikimin reciprok që kanë pasur në zhvillimin e tyre artistik, por edhe autenticitetin e tyre artistik. Ky moment shënon një bashkëkohësi dhe përvetësim të trashëgimisë së tyre artistike nëpërmjet detajeve të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke sjellë një përvojë unike për ta dhe publikun.