EXPRESS

Dyshja me piano e violinë me tinguj të rrëfimeve jetësore

Harmonia e pianos dhe natyra melankolike e violinës bëjnë që të jetë kombinimi ideal në një koncert kamertal. Është prej përshtatjeve më të shpeshta. Sikurse ka ngjarë në koncertin e radhës në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike “Chopin Piano Fest”. Dyshja Catalina Butcaru dhe Lucy Hall nga Austria kanë sjellë rrëfime nëpërmjet muzikës nga veprat romantike.

Pianistja Burcaru dhe violinistja Hall praktikisht kanë qenë të parat që kanë shpalosur programin në atë që ngjan si seri e koncerteve në të cilat pianoja vjen në dimensione të ndryshme. E ka nisur me violinë, ndërsa në koncerte të tjera tingujt i harmonizon me violonçel, zë, e madje edhe me orkestër. Por pianoja është e pazëvendësueshme në ngjarjen që ka në qendër instrumentin.

Pianistja rumune që jeton e vepron në Austri, Catalina Butcaru, ka thënë se veprat e Clara e Robert Schumann janë shpesh pjesë e repertorit të tyre për shkak të historive që kanë përbrenda.

“Kohëve të fund e kam goxha shumë në program Clara Schumann, e cila kishte bashkëpunuar ngushtë me Robert Schumann dhe ishin të lidhur jo vetëm personalisht, por edhe si kompozitorë. Qëkur ishin të rinj e njihnin njëri-tjetrin mirë dhe punonin shumë së bashku. Ajo ka shumë ndikim sidomos me veprat e saj që njihen si ‘Romanza’”.

Këtë pjesë e ka veçuar edhe violinistja kanadeze, e cila po ashtu jeton dhe vepron në Austri.

“Mendoj se ishte program i vështirë. Clara Schumann ishte gruaja e Robert Schumann, i cili në fund të jetës së tij u çmend dhe kjo përfshihet në këtë muzikë që nuk është shumë melodike. Por ajo e Straussit ishte shumë operistike. Shumë e vështirë për t’u luajtur, sidomos pjesa e pianos”.

Ka pasur “Sonata nr.1 in A-minor op.105” për violinë dhe piano nga kompozitori gjerman Robert Schumann. Tingujt ekspresivë vijnë mrekullueshëm nga pianoja. Ata romantikë marrin formë që në nisje të veprës. Në pjesën e fundit dyshja ka luajtur “Sonata in E-flat major op.18” nga Robert Schumann. Është luajtur gjithashtu edhe “Lo ci darem la mano” nga Chopin ndërsa krejt në fund, si shpërblim ndaj publikut për vlerësimin, dyshja ka interpretuar një “nocturno”, po ashtu nga Chopin.

Pianistja Butcaru, e cila ka studiuar në Akademinë e Muzikës në Vjenë dhe në Graz me pianistë të shquar të skenës muzikore, është shprehur e nderuar të luajë në skenën e “Chopin Piano Fest”, siç ka thënë, aty ku kanë qenë të ftuar muzikantë të shquar.

“Jam shumë e prekur nga entuziazmi dhe konfirmimi i organizatorëve se gjithçka ka shkuar mirë. Kuptova se në këtë skenë ka pasur muzikantë të shquar dhe mund të ndjehet kjo gjë nga audienca. Është hera e parë që unë interpretoj këtu, por ishte publik shumë i vëmendshëm. Më pëlqen të interpretoj në një vend që është mësuar me këto lloj koncerte”.

Ndërsa violinistja, Lucy Hall, ka thënë se në përgjithësi karakteristikë e koncertit kanë qenë vijat e gjata melodike si dhe harmonia që sjell pianoja, derisa është shprehur e lumtur të shpalosë përvojën e saj në skenën muzikore të Kosovës për herë të parë.

“Për mua është shumë kënaqësi të luaj në vendet e Ballkanit perëndimor sepse njerëzit janë të dashur dhe e vlerësojnë muzikën. Kënaqësi të luaj për një publik që e njeh dhe e vlerëson muzikën”.

Drejtoresha artistike e festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike “Chopin Piano Fest”, Lejla Pula, ka thënë se koncerti solli ngjyra të veçanta muzikore.

Sipas saj, publiku ka pasur rastin të dëgjojë vepra që rrallë interpretohen në skenën vendore të muzikës klasike, por edhe Sonatën e Straussit për të cilën ka thënë se është luajtur për herë të parë në kryeqytet.

“Publiku i ka shijuar disa vepra që nuk janë dëgjuar shumë herë në skenën tonë. Sonata e Straussit është luajtur në fakt për herë të parë në skenën e Prishtinës e të ‘Chopin Piano Fest’. Ne i falënderojmë që kanë gjetur mundësi dhe kanë shprehur dëshirë për të ardhur në Prishtinë. Edhe pse e dimë se artistët vërtet më me shumë vullnet shkojnë aty ku kanë kushte të shkëlqyeshme, por ato ishin shumë modeste”.

Koncerti i së mërkurës, i gjashti me radhë, sjell në skenën e “Chopin Piano Festit” një tjetër dyshe. Pianistin Philipp Scheucher nga Austria dhe violonçelistin Konstantin Manaev nga Gjermania.