“Peace for Nina” shpalos historinë e një gruaje ukrainase, jeta e së cilës është shkatërruar nga lufta dhe humbja e njerëzve të saj më të dashur. Në fillim të viteve ‘90, burri i Ninës, një oficer në Ushtrinë Sovjetike, vdiq si rezultat i plagëve të marra në luftën në Afganistan. Tridhjetë vjet më vonë, Nina detyrohet të përballet me një humbje të dytë të dhimbshme, kur djali i saj Ihor, pjesëtar në Ushtrinë ukrainase, kapet dhe ekzekutohet nga mercenarët rusë, derisa mbronte aeroportin e Donetskut më 2015.
Jetën plot me sfida të Ninës regjisorja Maksymenko-Dovhych e ka zbuluar në dokumentarin i cili është në fazat e fundit të realizimit. E për ta bërë këtë, ajo ka ardhur në Kosovë.
“Rrëfimi im sjell mënyrat se si Nina ballafaqohet me humbjen e djalit të saj. Ajo është një njeri i veçantë i cili nuk është dorëzuar dhe nuk dorëzohet. Për të është shumë e rëndësishme që vrasja e djalit të saj të shihet ashtu siç është, si krim lufte, në gjykatat e Ukrainës dhe ato ndërkombëtare. Unë e njoh këtë familje dhe në njëfarë mënyre i kam ndihmuar Ninës ta gjejë trupin e djalit të saj dhe me ceremoninë e varrimit. Për mua kjo histori është shumë personale dhe kam konsideruar se është shumë e rëndësishme ta tregoj historinë e Ninas nëpërmjet këtij dokumentari”.
Qëllimi i realizmit të këtij filmi dokumentar për regjisoren mbetet ai me të cilin edhe ka filluar: që zëri i Ninës të dëgjohet përtej kufijve të Ukrainës. Projekti është një prodhim ukrainas e zviceran nga Maksymenko-Dovhych, Lyuba Knorozok dhe Dea Gjinovci, me prejardhje nga Kosova.
“Prej se kam filluar të punoj në këtë film dokumentar, doja që këtë histori ta bëj të dëgjohet ndërkombëtarisht. Fillova të marr pjesë nëpër programe të ndryshme dhe në një nga këto programe e kam takuar Dea Gjinovcin. U takuam e për një kohë edhe kemi punuar së bashku dhe kështu e krijuam një lloj bashkëpunimi të vazhdueshëm”.
Regjisorja thotë se historia e Ninës është unike dhe ka një lloj gjuhe universale dhe i flet realitetit aktual.
“Ky është një film dokumentar, ku protagonistja kryesore është vetë Nina, së cilës i jam shumë mirënjohëse që ma ka ofruar mundësinë që të jem me të, ta xhiroj në përditshmërinë e saj sepse nuk është aspak e lehtë për njerëzit që i kanë humbur më të dashurit e tyre. Historia e saj është unike, por në të njëjtën kohë fatkeqësisht janë shumë familje që po humbin të anëtarë të familjes në luftë”.
Gjatë kësaj jave Maksymenko-Dovhych është duke qëndruar në Kosovë bashkë me montazherin Enis Saraçi. Ajo tregon se montazheri ka rol të rëndësishëm në realizimin e një filmi. Mënyra se si Saraçi ka bërë bashkë pjesëzat për ta finalizuar dokumentarin “Peace for Nina”, sipas saj, është ajo që i është dashur projektit.
“Kam ardhur në Kosovë ta editoj filmin tim. Jam duke punuar me një montazher shumë të talentuar, Enis Saraçi. Tash jemi duke punuar së bashku. Nganjëherë punojmë nga shtëpia. Jemi takuar në Itali, kemi punuar atje dhe tash kemi ardhur në Kosovë”.
Enis Saraçi është njëri prej montazherëve më të shquar në Kosovë, i cili ka punuar në filmat më të njohur të Kosovës, si “Zgjoi” i Blerta Bashollit e “Pa Vend” i Samir Karahodës.
“Peace for Nina” pritet të finalizohet këtë verë dhe të nisë rrugëtimin nëpër festivale.