Mjeshtërinë në pikturë e ka të dëshmuar kaherë. Por seria me porta e piktorit Esat Valla bëhet çdo ditë e më kuptimplotë. Janë porta të oborreve a shtëpive qytetare. Për nga pamja dëshmojnë histori të vjetër. I ka bjerrë koha. E në kontekstin aktual marrin përmasën e simbolikës së braktisjes së vendit.
Krejt elementet e paraqitura rrumbullakojnë dëshminë e braktisjes së vendit. Lajmet për ata që ikin nga Kosova për të jetuar në shtetet evropiane janë përditshmëri. E Esat Valla nuk ka heshtur. Flet në mënyrën e tij: nëpërmjet penelit.
“Në këtë ekspozitë kam përfshirë shpërnguljet, mundin, demolimin të cilin e ka përjetuar populli jonë. Në secilën derë është shpreh intensiteti i asaj familje, karakteri dhe historia e kohëzgjatja kohore e brezave në atë familje. Nëse përmendim shpërnguljet, ato kanë filluar para luftës, gjatë saj dhe pas saj. Edhe sot e kësaj dite nuk pushojnë. Kjo temë më ka prekur tepër. Dyert po mbyllen, po mbet dryni dhe bari po mbin para derës. Të gjitha ato gjurmë dhe të gjitha ato elemente mua më kanë lënë mbresë që të shprehi një ditë në këto tablotë e mija”.
Me këtë ekspozitë është treguar se Valla dokumentoi historinë e Kosovës, duke mbërthyer vuajtjet, luftën për liri, eksodin. Por, në këtë cikël të cilin ka thënë se e ka punuar qysh në vitet e para të pasluftës deri pak ditë para hapjes së ekspozitës, ka dokumentuar edhe çlirimin.
Me ngjyra të përziera ndër të cilat dominon e kaltra, në një mënyrë krejt abstrakte, Valla ka konkretizuar çlirimin dhe pavarësinë e popullit që i takon.
“Është një pikturë të cilën e kam quajtur “Dita e Çlirimit, Dita e Pavarësisë”. Është një shqiponjë krahëhapur me lloj-lloj ngjyra. Nuk është vetëm kuq e zi siç është në flamur, por është një shqiponjë e lirë që viziton hapësirën. Ajo është në katalog, por këtu ka qenë numri i kufizuar. Janë dashur 4 vepra t’i kthej në shtëpi, në studio”.
Me kurator, akademik Eqrem Bashën, ekspozita personale e Vallës shpërfaq mjeshtërinë e tij prej krijuesi. Nxjerr në pah frymën artistike e deri tek emocionet që e prekin si krijues.
“Janë disa nga to që kanë histori në vete. Normalisht kanë biografinë dhe identitetin e vet, ose ngjarjet që kanë ndodhur para asaj shtëpie janë të veçanta. Ka një temë atje që është temë historike dhe unë e kam quajtur “historia e ngrirë”. Historia e jonë është akoma e ngrirë, nuk është e shprehur. Kjo është një e metë e gjithë popullit tonë dhe mbarë kombit që nuk bëjnë zhurmë më tepër, ose të bëjnë një jehonë që të vijë në shprehje historia jonë dhe ashtu të vijë në piedestalin e duhur”.
Përderisa tash ka në qendër portat e mbyllura dhe shtëpitë e braktisura, dikur Valla kishte të tjera objekte në veprat e tij. Për këtë ka ndikuar periudha e para dhe pas luftës.
“Para luftës i kisha ciklet demat dhe fluturën. Me demë e personifikoja armikun ndërsa popullin tim me një flutur që nuk ka kurrfarë arme. Është një insekt shumë i lehtë dhe që vritet shumë kollaj në krahasim me ato që na rrethojnë ne si popull. Pra, asokohe armikun e paraqisja si demë, si një sulm i demave mbi në krijesë të bukur”.
Ekspozita e Esat Vallës u hap në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës më 17 maj, dhe do të jetë e hapur deri të mërkurën e kësaj jave.