Nuk është fort e zakonshme që një ndejë përshëndetëse për përfundimin e një misioni të një diplomati të huaj në Kosovë, të ngjajë në një ekspozitë arti. Por kjo nuk ishte çështje të enjten mbrëma, kur në galerinë e arteve “Qahili” në Prishtinë ndeja përshëndetëse për Shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Prishtinë, Rastislav Kostilnik, u dyzua bashkë me ekspozitën e tij personale të titulluar “Arti përmes këndit të një diplomati”. Ishte përmbyllje e rrugëtimit të tij pesëvjeçar si diplomat i Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë.
Ekspozita e pikturave, si rrallëherë e dendur nga kori diplomatik dhe bartës të institucioneve të ndryshme qeveritare të vendit, ishte dhe si një parakalim konsujsh nga vende të ndryshme të botës. E shtrirë nëpër tablo të dimensioneve të mëdha, “Arti përmes këndit të një diplomati” në shikim të parë vjen si një ndërthurje e qartë midis ambicies për të treguar talentin artistik dhe sfidave nga mungesa e përvojës në pikturë. Megjithatë, në thelb, pikturat e tij reflektojnë një përpjekje të sinqertë për të shprehur ndjenjat dhe perceptimet personale, nisur edhe nga fakti se koha kur ai kishte kapur penelin sefte, kishte qenë 2020-ta, viti i pandemisë. Mbi të gjitha është art diplomatik.
Nita Qahili nga galeria “Qahili” ka treguar se takimi me Kostilnik në një ndejë përcjellëse të ambasadorit norvegjez, një vit më parë dhe shprehja e dëshirës nga ai që të paraqitej me një ekspozitë, rezultoi që një vit më vonë kjo ide të bëhej realitet. Ka ndarë detaje dhe nga hera e parë kur kishin parë veprat e Kostilnikut në studion e tij.
“Të jesh artist autodidakt dhe të bësh punime në dimensione aq të mëdha është shumë problem, sepse është problematik menaxhimi i hapësirës, hulumtimi me ngjyrë. Dhe kur i kemi parë, kemi menduar se nuk po duket sikur është hera e parë që ai ka punuar me ngjyrë. Dhe a ka më mirë se të bësh një ndejë përcjellëse me vepra arti ku politika e arti gërshetohen në kuptimin e plotë të fjalës, nuk është vetëm arti i të folurit, por edhe arti vizual që e bën dhe më intrigues komplet procesin“.
Por në këtë hibrid prej ekspozite e ndeje diplomatësh, natyrisht që nuk kishte se si të mungonte politika. Vetë Kostilniku në një fjalë rasti shkurtimisht përmblodhi copëza nga koha që ai ka kaluar në Kosovë, por nuk i la anash as porositë. Ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia ta zbatojnë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Por nuk ngeli pa përgjigje as nga kryeministri. Albin Kurti e komentoi këtë analizë të Kostilnikut me humor, duke e inkuadruar edhe stilin në pikturat e tij, teksa e bëri dhe përzgjedhjen e veprës, të cilën Kostilnik vendosi ta dhuroj për popullin kosovar.
“Këtu paraqitet një qasje impresioniste. Struktura pa kontura. Këtë mund ta vëreni dhe në pikturat e tij këtu, dhe pasi që duhet ta prezantoj tani dhe zgjedhjen time, unë vendos për pikturën në të majtën time, me ngjyrë të kuqe në qendër, që duket si pa kufij”.
Në konceptin kuratorial nga galeria “Qahili” shkruhet se me “me anë të ‘Artit..’ ju përjetoni dialogun e thellë të Kostilnik mes përvojave të tij diplomatike dhe shprehjeve të tij artistike”, por i pyetur rreth motivit të artit të tij, procesit dhe kuptimit që ka arti për të, diplomati sllovak u shpreh fjalëpak.
“Është e thjeshtë, e blen kanavacën, i blen ngjyrat, e gjen kohën dhe e lë dorën tënde të bëjë pjesën tjetër. Nëse mund ta bëj unë, gjithkush këtu në Kosovë mund ta bëjë të njëjtën. Nëse doni ta sfidoni veten blijeni një kanavacë dhe disa ngjyra”.
Pikturat të cilat prekin ngjyra të ndryshme, në shikim të parë nuk përkojnë me një temë të veçantë, secila nga to ka vend për interpretim unik. Anojnë nga stili bashkëkohor, përpiqen të identifikohen si të tilla, ani pse me tis të mungesës së origjinalitetit që kërkon shpesh arti.
Ekspozita në fjalë do të jetë e hapur për vizitorët deri më datën 28 të këtij muaji.