EXPRESS

“Diagonal” godet realitetin e çakorduar

“Hani i Dy Robertëve” dikur shërbente si një entitet i vogël, i cili bënte bashkë artistë, gazetarë e diplomatë të kohës. Rezistenca ndaj pushtetit represiv në vitet ’90 kishte qenë mision i pashkruar për ta, e tash me një trashëgimi 35-vjeçare mbi supe kjo hapësirë vazhdon të jetë shtëpi e artistëve.

Këtë zgjedhje e bënë dhe Sokol Maloku dhe Doruntinë Berisha Maloku, çift artistësh kosovarë që jeton në Zvicër. Ata të dy në këtë ekspozitë për publikun prishtinas sjellin një koleksion të pasur veprash, që ka një shtrirje të gjerë për nga mediumet dhe stilistikat e përdoruara.

Ata të dy përmes kësaj ekspozite të përbashkët paraqesin individualitetin e tyre të dallueshëm artistik, pavarësisht se qëndrojnë të strehuar në tema të njëjta të cilat i trajtojnë. Këtë radhë përmes artit ata pasqyrojnë këndvështrimet e tyre mbi kakofoninë, si dukuri në qytetërimet moderne. Kjo kakofoni përgjatë kësaj ekspozite shfaqet nëpër pikturat e Sokol Malokut, të cilat karakterizohen në dukje si tip kolazhesh, por paraqesin teknika të përziera, të cilat mbështeten në rreshta të shtypit gjerman me tituj pompozë që ironizojnë me ideologjitë. Ai përdor në disa nga kompozicionet e veta dhe pjesë nga shtypi shqiptar gjatë komunizmit, teksa vend i bën dhe portretit të Ramiz Alisë. Në anën tjetër çarçafët e Doruntinë Malokut përtej mesazheve të kakofonisë, të cilat ajo i ka përdorur si kanavacë duke inkorporuar në disa prej tyre dhe qëndisjen, ajo niset edhe nga indice të tjera, aty ajo trajton temat me këndvështrime konceptuale. Përmes vizatimeve në këta çarçafë ajo krijon narrativa unike për kaosin urban teksa tenton të fusë në binarë një realitet të shthurur. Vëmendje të veçantë në ekspozitë krejt natyrshëm e merr një çarçaf i prerë në formë rrethore i vizatuar e ngjyrosur nga Doruntinë Maloku, si një kontrast me të bardhën ku vend u bën edhe disa vargjeve të ndjera, të cilat ftojnë në intimitet.

Shkëlzen Maliqi, kurator i kësaj ekspozite, veprimtarinë e dyshes si një interpretim i kakofonisë në artet pamore, sipas tij, veprat e tyre trajtojnë gjendjen postmoderne dhe ballafaqimin e njerëzimit me tempin e shpejtë që karakterizohet nga prodhimtaria e shpejtë.

“Më duket si një përpjekje interesant e tyre me reflektu aktualitetin që unë po e lidhë me fundin e modernizmit dhe kakofoninë në të cilën jemi tash aktualisht si botë, me shumësinë e ngjarjeve, imazheve dhe ndodhive”.

Veprat e ekspozuara nën titullin “Diagonale” vijnë si një përthyerje këndvështrimesh, që transmentojnë herë-herë edhe tone pesimiste të mbështetura nga një realitet vështirë i procesueshëm, por vend në to gjen edhe shpresa. Diku si metaforë përmes ngjyrave plot jetë e diku dhe si mesazhe direkte, si referenca edhe nga muzika.

Përdorimi i një game të gjerë teknikash bashkë me detajet e shumta, për vizitorët krijoi një përvojë dinamike, e cila i kushtëzonte ata që të kalonin kohë të konsiderueshme duke analizuar veçmas çdo vepër.

Këtë e vlerësoi edhe Zake Prelvukaj, artiste, e pranishme në ekspozitë, e cila në një analizë për veprat e ekspozuara vlerësoi se ato paraqesin një veprimtari të pasur.

“Sonte prezantohen dy artist shumë të mirë, që e kanë njëfarë dallimi në motiv dhe në shkrirjen artistike që e kanë përzgjedhë, gëzohem kur shohë artista relativisht të ri që i qasen kësaj pune karakteristike, dhe përveç mediumeve që kanë treguar sonte ata na kanë ofruar njëfarë arti të këndshëm, të fuqishëm dhe që komunikon një motiv njerëzor”.

Kjo ekspozitë vjen si një fuzion dinamik, i cili gërsheton ndikimet e çiftit nga formimi i tyre në Perëndim dhe rrënjët kosovare, teksa i përgjigjen saktë realitetit universal të bashkëkohësisë, në të cilin mund të reflektojnë të gjithë.