EXPRESS

Dhoma e reve artistike të Laureta Hajrullahut

Laureta Hajrullahu është një prej artisteve më të reja në listën e emrave që bienalja nomade “Manifesta14” ka përzgjedhur për këtë edicion.

Instalacioni i saj të fton në katin e nëntë në hotelit “Grand”. Aty ku punët artistike janë rrëfime mbi spekulimin. Muret e betonit të artistes Laureta Hajrullahu janë transformuar në një hapësirë me re.

Artistja me punën e saj shkrin botën fizike e virtuale dhe kështu e fut shikuesin midis “ëndrrës e makthit në të njëjtën kohë”. E gjithë puna e saj ka qenë e ndikuar nga pandemia Covid-19.

Ndërhyrja artistike e Laureta Hajrullahut ka sjellë butësinë në muret e dhomës. Ajo nëpërmjet tri ekraneve e shëtit mendjen e vizitorëve në pjesë të ndryshme gjeografike.

Në dhomën e saj ndjesia e përjetimit të qiellit është pushtuese. Katër ulëse të buta ofrojnë rehatinë e botës, e gjithë pamja që ofrohet janë retë, përveç tri ekraneve të renditur vertikalisht.

Ndërhyrja artistike “2D Plants/Flat Options” është hapësira intime e artistes dhe pjesë e një vëllimi më të madh të punës së saj.

Instalacioni i saj së bashku me veprat e tjera që e përbëjnë tërësinë e instalacioneve mbi spekulimet do të qëndrojë e hapur për vizitorë deri në fund të tetorit.