Shfaqja “Deni dhe deti i thellë i kaltër” u bë pjesë e edicionit të sivjetmë të “FemArtit”. Kjo shfaqje ka sjellë të premten mbrëma në teatrin “Dodona” sfidat e jetës sociale dhe rëndësinë e krijimit të empatisë ndaj të tjerëve.
I është dashur një vit që Prizreni të vijë në Prishtinë e ta zbërthejë rrëfimin për shtigjet e shpëtimit të njeriut. Shfaqjen “Deni dhe deti i thellë i kaltër” e ka sjellë në kryeqytet festivali “FemArt”. Në formatin e teatrit kamertal, tragjikomedia vë në qendër rëndësinë e marrëdhënies mes dy gjinive për funksionimin jetësor. Trajton marrëdhënien mes dy individëve të thyer shpirtërisht e sallën teatrore e mbush me të qeshura dhe emocione, por mbi të gjitha, lë aty një të vërtetë të hidhur të shoqërisë: vuajtjen dhe dhimbjen prej gabimeve.
Ditës së pestë të festivalit feminist, kjo shfaqje i dha edhe një tjetër shembull të mirëqenies së personazhit grua, atë të bashkëveprimit dhe kuptimit me të tjerët. Ndonëse personazhi kryesor vjen me bashkëveprimin e dy gjinive, kjo shfaqje pati boll për t’i dhënë këtij festivali, dhe këtë e beson edhe regjisorja e shfaqjes, Ana Bateva.
“Është një pyetje interesante, sepse kur shfaqja u bë pjesë e këtij festivali, më herët nuk kam ditur rreth ‘FemArtit’. Isha duke e menduar pikërisht këtë pyetje. Thashë me vete pse jemi ne me këtë shfaqje, pse jemi pjesë e këtij festivali? Jemi këtu, sepse Roberta si vajzë, është shumë e fuqishme. Ajo ka shumë fuqi të godasë dhe ajo nuk ndalon. Nuk thotë: ‘Unë jam këtu dhe nuk do të shkoj më tutje’”, tha Bateva.
Mbresat e thella që ka lënë në paraqitjen e parë, ishin ato që shtynë organizatorët e “FemArtit” ta ftonin atë të bëhej pjesë e festivalit.
“Specifikisht në kontekst të ‘FemArtit’ dhe politikave të ‘ArtPolisit’ shfaqja trajton përdhunimet që ndodhin brenda familjes, si në rastin e Robertës, personazhit që e ka luajtur sonte Liridona. Besoj që kjo është pika ku përputhen ‘FemArti’ dhe shfaqja “Deni dhe deti i thellë i kaltër”, tha Butrint Pasha.
Shfaqjen e sjellë në Prishtinë për ditën e pestë të “FemArtit” erdhën për ta parë edhe të tillë që e kishin parë më herët. Erdhi edhe Fatos Berisha, që është njëherësh edhe udhëheqës artistik i teatrit “Bekim Fehmiu” të Prizrenit. Ajo çka ai pa në të premten mbrëma ka thënë se qenë progresi e përsosja.
“Mendoj që është një ndër shfaqjet më të mira që i kam parë unë kohëve të fundit. E di që jam subjektiv, por po flas edhe si regjisor edhe si koleg. Bile kjo shfaqje sonte që e pamë është më e mira e kësaj shfaqjeje. Unë i kam parë edhe provat, e kam përcjellë edhe procesin dhe i kam parë disa repriza. Mendoj që kjo sonte me publikun e Prishtinës dhe të ‘FemArtit’ ka qenë më ndryshe në kuptimin që ka qenë më emocionale. Publiku ka reaguar shumë mirë. Në vendet kur ka qenë komike ka reaguar, në vendet kur ka qenë dramatike ka reaguar po ashtu”, tha Berisha.
Nata e pestë e “FemArtit” pos shfaqjes nga Prizreni, solli edhe shfaqjen nga Polonia “Gruaja dhe jeta”.