EXPRESS

Christophe Meyer i këndon jetës edhe në Kosovë

Dashuria, jeta, rinia, tinitusi apo sëmundja e veshit, janë temat që albumi “NøMad”i shtjellon. Që të gjitha këngët pa përjashtim janë në gjuhën frënge. Megjithatë, Meyer ka vendosur që klipet e tyre t’i realizojë nëpër vende ku nuk flitet kjo gjuhë. Edhe turneun e ka fokusuar në këto vende dhe “NøMad” e solli në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Meqenëse pjesa më e madhe e publikut nuk e kuptonte frëngjishten, komunikimi u bë nëpërmjet anglishtes. Këtë e kishte menduar qysh para se të niste turneu nëpër vendet ballkanike. Në ekranin përballë publikut qëndronte një ‘QR code’ që çonte në ueb-faqen e artistit. Në ballinë janë gjashtë vjegëza në gjuhë të ndryshme ballkanike, përfshirë edhe shqipen. Aty Meyer ka vendosur përkthimin e këngëve në secilën gjuhë.

Ardhja në Kosovë i kishte lënë përshtypje tejet të mirë. Kjo, për shkak të pritjes që i kishin bërë njerëzit qysh në momentin kur kishte mbërritur në kufi.

“Është hera e parë që unë luaj në Kosovë dhe ishte si një ëndërr. Kjo për dy arsye. E para: njerëzit. Ishte mënyrë se si njerëzit na pritën në kufi kur erdhëm në Kosovë: ‘Hej ju jeni muzikanti zviceran! Mirë se erdhe në Kosovë! Posa hyra në Kosova thash: ëoë, bukur! Pastaj ishte publiku këtu dhe vendi. Kjo akustikë e kësaj kinemaje për mua ishte perfekte. Kështu që ishte shumë lehtë të performoje këtu”.

Meyer ka ardhur në Kosovë si rezultat i bashkëpunimit midis Ambasadës së Francës dhe asaj të Zvicrës në Kosovë. Në koncert ka qenë e pranishme edhe zëvendësambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Pauline Menthonnex- Gacaferri.

“Në Zvicër më shumë se 20 përqind e popullatës flet frëngjisht dhe për ne është një kënaqësi që sivjet, sikurse edhe vitet e tjera, ne kemi mundësi me promovu edhe gjuhën edhe kulturën zvicerane dhe NoMad, Christoph Meyer është një muzikant shumë i njohur nga Zvicra. Me ardhë jo vetëm në Kosovë por edhe në Pejë, me bë një koncert për një publik që është shumë entuziast ishte një kënaqësi dhe mundësi shumë e veçantë”.

Meyeri ka folur edhe për titullin dhe tematikën e albumit të tij “NøMad”, sepse turneu i tij u ngjan nomadëve, njerëzve pa shtëpi që bredhin sa në njërin vend sa në tjetrin. Për krijimin e tij ai kishte bashkëpunuar edhe me Clive Deamer, bateristin e rock-grupit të njohur “Radiohead” dhe “Portishead”.

“E incizova këtë album të quajtur ‘NøMad’ nëpër Evropë gjatë periudhës me COVID dhe si vazhdimësi e kësaj unë desha të mbaja koncert si një nomad, duke luajtur gjithandej nëpër vende të vogla, me pak njerëz, në vende siç është kjo kinema. Albumi flet pak për dashurinë, ne gjithmonë duhet të flasim për dashurinë në këngë, rreth jetës, udhëtimeve, shumë udhëtime. Unë pata nderin ta incizoja këtë album së bashku me bateristin e ‘Radiohead’ dhe ai më dha shumë informacione për zërin, por tekstet flasin pak për jetën time dhe jetën në përgjithësi”, ka bërë të ditur Mayer”.

Vullnet Sanaja, themelues dhe drejtor i “Anibarit” që menaxhon edhe kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, është shprehur i lumtur për bashkëpunimin me Ambasadën e Zvicrës dhe artistin Meyer.

“Koncerti që kemi pasur sonte me christofin dhe projektin e tij NoMad ka ardhur me përkrahjen e Ambasadës zvicerane. Ne kemi qenë shumë të lumtur t’i mirëpresim në kinemanë “Jusuf Gërvalla. Domethënë edhe pse në gjuhën frënge publiku pat mundësi me i përcjellë këngët sepse ishte përcjellë vazhdimisht me material vizual që e lehtësonte kuptueshmërinë. Por edhe një detaj shumë interesant, sepse shumica e këngëve vetëm se kishin qenë përkthyer nga Kristofi dhe edhe kjo e lehtësonte këtë problem. Por në përgjithësi kur jemi te muzika, ajo dëgjohet kështu që gjuha nuk po ka shumë rëndësi”.

Meyer do të vazhdojë promovimin e albumit “NøMad” edhe në vende të tjera.