Edhe pse mban emrin e njërit prej gjenive botërore të muzikës klasike, “Chopin Piano Fest” nuk e kursen publikun edhe nga zhanret e tjera. Shkon përtej klasikes duke dhuruar stile të tjera muzikore. Kështu ngjau me koncertin e katërt të edicionit të 14-të, të shtunën. Mbrëmja ka qenë e rezervuar ekskluzivisht për jazz-muzikë.
Kuarteti i Fabrizio Bossos erdhi nga Italia për herë të parë para publikut në Kosovë me plot gjallëri dhe me repertor të veçantë. Vetë Fabrizio Bosso në trumbetë, Julian Oliver Mazzariello në piano dhe sint, Jacopo Ferrazza në kontrabas dhe bas-kitarë, si dhe bateristi Nicola Angelucci luajtën një album të tërë të kuruar nga këngët e legjendarit Stevie Wonder.
Koncerti i titulluar “We Wonder” – sipas albumit të kuartetit me po të njëjtin titull, të lansuar në vitin 2022 – erdhi në Kosovë si bashkëpunim mes Ambasadës italiane në Prishtinë dhe Institutit të Kulturës Italiane në Tiranë.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello de Riu, ka thënë se “Chopin…” e sheh si një mundësi të mirë për talentët e rinj që të njihen me artistët e afirmuar nga vendet e ndryshme të botës.
“Ky festival natyrisht që kishte filluar me muzikën klasike, por tani hapet dhe me kontribute të tjera të veçanta nga stile të tjera muzikore, duke u ofruar një platformë artistëve të rinj të talentuar, muzikantëve dhe studentëve që të bashkëpunojnë me artistë të nivelit ndërkombëtar”.
Repertori i mbrëmjes ishte i mbështetur në një periudhë nga fundi i viteve ’60 deri në publikimin e fundit në vitin 2004 të ikonës Stevie Wonder me këngët “Another Star”, “Isn't She Lovely”, dhe “My Cherie Amour”.
Vetë Bosso jep përshtypjen se lidhja e tij me muzikën është e dukshme në çdo notë teksa përdor një sërë teknikash gjatë performancës.
Për bateristin Nicola Angeluccin duartrokitjet e publikut janë tregues se ata po sjellin një performancë të mirë.
“Audienca ishte shumë energjike, duartrokiste pas çdo pjese. Kjo gjë gjithmonë na jep forcë të dalim përballë një audience të tillë që na shtyn të performojmë më mirë”.
Ftesën e Fabrizio Bossos për albumin dedikuar muzikës së Stevie Wonder ai e kishte pritur me entuziazëm.
“Unë e dua Stevie Wonder, por kur na tha Fabrizio se çfarë mendoni që të regjistrojmë një album me këngët e tij, unë natyrisht që pranova, menjëherë i kam thënë: ‘Po patjetër, menjëherë, sot!’ Normalisht e dua shumë Stevie Wonder dhe muzikën e tij, ka qenë shumë ndjenjë e mirë të jem pjesë e këtij projekti. Luajmë bashkë tash dhjetë vjet dhe kemi pasur një sërë projektesh, por më duhet të them se Stevie Wonder është në zemrën time”.
Edhe për festivalin “Chopin Piano Fest” kjo mbrëmje ka dalluar nga të tjerat në disa aspekte. Por synim i organizatorëve është që publikut t’i sjellin mbrëmje të këndshme dhe të pasura për nga përmbajtja.
“Në aspektin organizativ ka qenë pak më e vështirë për shkak se është dashur të mendohet mirë për instrumentet ekstra, për hapësirën, mirëpo fatmirësisht kjo sallë e ka akustikën e mirë edhe pa zërim. Por sonte me pak më shumë përkushtim është dëgjuar edhe më mirë. Ne jemi shumë të hapur dhe për zhanre të tjera të muzikës, sidomos kur ato i organizojmë së bashku me partnerët tanë. Kështu që punojmë të gjithë së bashku për me dalë një natë e këndshme si kjo e sotshmja”.
Një rikthim te klasikja ka ndodhur të kenë edhe në mbrëmjen e së hënës me koncertin e duos Catalina Butcaru në paino dhe Lucy Hall në violinë.