EXPRESS

“Çështja D’Arc” për heroinën franceze

Jeta fëmijërore e Zhan d’Arc, marrëdhëniet me babanë, nënën, lidhja e saj me religjionin e të tjera, janë ato që përbëjnë thelbin e monodramës, “Çështja d’Arc” të regjisores nga Gjermania, Maja Deleniq. Kishte qenë dashuria e madhe që aktori Filip Zomer kishte pasur ndaj kësaj heroine të njohur franceze ajo që kishte sjellë në jetë këtë shfaqje. Ai kishte vizituar e kishte shkuar gjurmëve të kësaj gruaje të njohur të historisë, shenjtore franceze e gjykuar dhe ekzekutuar për herezi në vitin 1431 kur ishte 19-vjeçare.

Shfaqja tenton të shfaqë dy anët e Zhan d’Arc. Ajo nis qysh nga mosha e hershme, kur mendimet e saj janë të ndryshme me ato të shoqërisë që e rrethon. Magjepset pas një gruaje me flokë të shkurtra dhe gëzohet shumë kur më në fund babai i saj nis ta trajtojë si një luftëtare të guximshme. Me anë të një videoje, në monitor monodrama shfaq edhe gjykimin e Zhan d’Arc, e cila vendos të mos martohet. Videoja zhvillohet pa zë. Është zëri i aktorit në skenë ai që imiton dhe tregon për publikun atë se çfarë ndodh në gjykatë.

Pjesa e dytë e shfaqjes merr një pamje krejt tjetër. Në bazë të veshjes, skenës dhe mënyrës së thurjes, ngjarja tani ka një natyrë shumë më moderne. Duket sikur në këtë fazë rebelimi i saj është edhe më i madh, teksa shpesh shfaqen edhe dromca çmendurie. Ngjarja sikurse edhe jeta reale e Zhan d’Arc përfundon me vdekjen e saj.

Aktori Filip Zomer ka pohuar se një rol i tillë nuk është aspak i lehtë për t’u luajtur. Ka folur edhe për dashurinë dhe përkushtimin ndaj Zhan d’Arc.

“Në fakt do të gënjeja nëse do të thosha që është e lehtë për t’u luajtur, sepse është një rol tejet kompleks për një grua tejet komplekse në histori. Varet se çka lexoni për të, sepse ka një sërë mendimesh të ndryshme. Ka historianë që thonë se ajo nuk ishte aspak një grua pasionante, por ishte mbretërore, sepse një vajzë pasionante nuk do të mund të arrinte çka ka arritur ajo. Kështu ka variante e variante të ndryshme, por kjo e bën atë misterioze, sepse ju nuk mund të thoni se kjo është Zhan d’Ark, sepse karakteri i saj ka disa shtresa dhe kjo e bën atë komplekse”.

Shfaqja u dha e tëra në gjermanisht dhe për publikun nuk pati përkthim. Në këso raste aktori gjerman Filip Zomer ka thënë se tenton të japë shpjegime edhe nëpërmjet gjesteve.

“Është e çuditshme, sepse ti si aktor e di që 90 për qind e njerëzve në publik nuk e kuptojnë se çfarë po thua. Ne kemi qenë në Kajro, unë dhe Maya dhe ishte e njëjta gjë. Mendoj se kishte diku rreth 15 njerëz që kuptonin pak gjermanisht, por jo të gjithën. Por në këso rastesh bëj pak më shumë pantomima, sepse i imitoj disa gjëra që ta shpreh kuptimin e tyre, pasi ata nuk i kuptojnë fjalët dhe unë mundohem t’i shfaqi pak, punoj më shumë në formën fizike”.

Regjisorja e shfaqjes, Maja Deliniq, ka folur për procesin e krijimit të kësaj monodrame. Ka thënë se kishte qenë vetë Zomer ai që kishte marrë iniciativën për të inskenimin.

“Është një shfaqje që flet për Zhan d’ark, heroinën franceze dhe është një shfaqje që vetë aktori Filip Zomer deshi shumë ta bënte dhe më pyeti si regjisore që të punonim së bashku performancën dhe ne e shkruam tekstin për rreth tre vjet, kështu që ishte me të vërtetë një proces i gjatë. Filipi ishte në Francë duke udhëtuar ngado që kishte shkuar Zhan d’Ark dhe kështu erdhëm deri te kjo performancë dhe ky tekst. Ne veçse e kemi dhënë shfaqjen në Luksemburg, Kajro dhe tani në Prishtinë. E kemi shfaqur disa herë në Gjermani, kështu që mendoj që ishte shumë e suksesshme”.

Për regjisorin gjerman Mathias Gehrt kjo nuk është hera e parë që po e sheh këtë shfaqje. Gehrt, i cili është edhe anëtar i jurisë së festivalit “MonoAkt”, ka folur për ecurinë dhe ndryshimet që kjo shfaqje ka pësuar me kalimin e kohës.

“Shfaqjen e kam parë edhe më parë. Kam parë disa versione të saj. Produkti origjinal në Gjermani ishte shumë më kompleks, me një aset më të madh e të tjera. Më pas ata bënë një version më të shkurtër për në Luksemburg e pastaj një ende më të shkurtër në Kajro dhe ky këtu është diku në mes. Pra ishte pak më ndryshe. Në esencë është historia e Zhan d’Ark nga koha e fëmijërisë e deri në vdekje”.

Festivali “MonoaAt” do të mbyllë aktivitetet sot me shfaqjen “Fëmija yll” nga Bullgaria. Në fund do të bëhet edhe shpallja e fituesve të festivalit.