Prej të martës mbrëma, pak nga historitë e të mbijetuarve të dhunës seksuale janë bërë artefakte muzeale. Muzeu i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë – “Çast” është një hapësirë solide – katër dhoma të vogla – por ofron ndjeshmëri të lartë e të njëmendtë. Nismë e konkretizim i fondacionit “Jahjaga” që udhëhiqet nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, ky muze do të jetë i përhershëm. Në katër dhomat që janë konceptuar si instalacion ofrohet pak nga historia e traumat e armës më të keqe që njeh lufta – dhunës seksuale. Krejt ata që duan të njohin pak nga copëzat e këtyre historive, adresa tash është në qendër të kryeqytetit.
Muzeu posedon ambient që paraqet një pyll, e artefakte që janë njëfarë skenografie e tragjedisë. Pastaj një ilustrim i të dhunuarave që reflekton edhe në dysheme. Në një tjetër hapësirë artefaktet flasin me kohë e vend, përderisa historitë e treguara janë varur në dhomën e katërt që quhet edhe “Dhoma e kurajës”.
Me kuratore Eliza Hoxhën e ekip artistik Zake Prelvukajn, Ylber Cërrvadikun e vetë kuratoren, Muzeu është një copëz e vogël në mozaikun e rreth 20 mijë vetave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë, numër ky i llogaritur nga organizatat ndërkombëtare. Si Muze është i pari i këtij lloji në vend.
Kuratorja Eliza Hoxha, njëherësh deputete e Kuvendit të Kosovës, ka sqaruar titullin e muzeut, “Çast”.
“Jeta jonë është njëfarë grumbulli i momenteve dhe ato mund të jenë të këqija, të bukura, të hidhura...Ka qenë një moment që këtyre të mbijetuarve ua ka ndryshuar jetën përgjithmonë. Por, kanë qenë shumë momente që ne i kemi bërë të ndihen me faj, pa qenë me faj”.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, si funksionare e shtetit ishte marrë shumë me të mbijetuarit e dhunës seksuale. Edhe pas përfundimit të detyrës nuk i është ndarë kësaj kauze. Është zëri më i fuqishëm për të mbijetuarit.
“Jam e lumtur pasi sot po hapim dyert e një hapësirë që do të shërbejë si një gur themeltar në ndërtimin e kujtesës sonë kolektive. Muzeu është një dëshmi e vuajtjes së atyre që për një kohë të gjatë janë lënë në harresë. Kjo hapësirë është më shumë se një muze. Është një amanet që ua lëmë brezave që vijnë pas nesh”.
Ajo ka bërë thirrje që Muzeu të jetë pjesë e rrjetit muzeor në Kosovë. Për këtë edhe ka marrë një garanci verbale nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Ai ka thënë se momenti i inaugurimit të kësaj hapësire shpreson që të shndërrohet në një monument të kujtesës dhe rezistencës.
“Kjo hapësirë krijon një hap domethënës drejt asaj se çfarë duhet të bëjmë bashkë në të ardhmen duke integruar këtë hapësirë muzeale në një koncept më të gjerë të një muzeu të krimeve të luftës ose të gjenocidit, ku dokumentohet në mënyrën më të mirë e kaluara jonë e afërt dhe gjenocidi që ka ndodhur në vendin tonë”.
Projekti është përkrahur nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë. Ambasadori Jörn Rohde ka thënë se viktimat ishin të shumta e të kulturave e nacionaliteteve të ndryshme. Sipas tij, e kaluara duhet të kujtohet dhe drejtësia duhet të veprojë.
“Me këtë hap Kosova po ndërmerr një hap të madh të përballjes me të kaluarën dhe në promovim të pajtimit. Ne duhet të flasim për krimet dhe krimet e luftës që kanë ndodhur këtu dhe duhet të sigurohemi dhe dhunuesit duhet të dalin para drejtësisë”.
Vend emocional hapësirat i përshkruan kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Sipas tij, është po ashtu vend reflektues e shërues.
“Si shoqëri duhet të reflektojmë mbi të kaluarën. Proceset nëpër të cilat ka kaluar shoqëria jonë kanë qenë traumatike e tragjike. Traumat kanë qenë të mëdha dhe edhe sot anëtarë të shoqërisë sonë i ndiejnë në të gjitha dhomat e këtij instalacioni”.
Muzeu gjendet aty ku e ka selinë fondacioni “Jahjaga” në ndërtesën e ndërmarrjes publike “Sport marketing”, në një pjesë të së cilës funksionon edhe Filharmonia e Kosovës.