Janë 80 karikatura që emërues të përbashkët kanë mesazhe paqeje e bamirësie. Të gjitha karikaturat i ka bashkuar në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës “Kosova 2023”.
“Portreti i Nënës Terezë” dhe “Bamirësia” kanë qenë dy temat në të cilat u është kërkuar të punonin karikaturistët. Nënë Tereza duket se ka qenë edhe lidhja më e fortë midis Kosovës dhe vendeve të tjera.
Në edicionin e sivjetmë që është kurorëzuar me ekspozitën e hapur javën e kaluar, kanë marrë pjesë karikaturistë vendesh të ndryshme si: Algjeria, Armenia, Austria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Kolumbia, Kina, India e shumë të tjera. Prej më shumë se 600 aplikimeve juria vendore, në përbërje të Zef Shalës, Agim Krasniqit, Samedin Latifit, Sabri Behramajt dhe Krenare Sylejmanit, ka përzgjedhur 80 karikaturistë. Veprat e tyre janë pjesë e ekspozitës.
Sipas vendimit të jurisë, vendin e tretë e ka marrë Walter Toscano nga Peruja, të dytin Mastaneh Fatemi nga Irani dhe i pari mbeti në Kosovë. E mori Gëzim Pozhegu. Përveç këtij të fundit, dy fituesit e tjerë nuk ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes dhe të ndarjes së çmimeve.
Pas përfundimit të ceremonisë, nën emocione të shumta, Pozhegu ka thënë se konkurron në secilin edicion dhe çmimi ka qenë befasi për të.
“Po ndihem shumë mirë, pasi ky është shpërblimi i parë për vendin e parë në karrierën time. Kam marrë pjesë në shumë festivale, por kam pasur shpërblime si ‘karikaturisti i muajit’, ‘karikaturisti i nderit’ e kështu me radhë, por për vendin e parë jo”.
Të tre fituesit e garës kryesore për temë kanë pasur “Nënë Terezën”, ndërsa për temën “Bamirësia” u dhanë dy çmime nderi. Të parin e mori Endri Beqo nga Shqipëria, ndërsa të dytin Darko Drleviq nga Mali i Zi.
Themeluesi i festivalit, Agim Krasniqi, ka thënë se juria ku bën pjesë edhe vetë ai, ka pasur jo pak punë.
“Prej këtyre 600 karikaturave më së vështiri e ka pasur juria lokale. Juria lokale e ka pasur një punë që prej 600 karikaturave t’i zgjedhë ato që janë më të mirat, të cilat dallohen prej të tjerave dhe të cilat kanë vlerë. Ashtu që mund të them se karikatura që nuk ka një mesazh të fortë ajo nuk është karikaturë”.
Albenita Gashi, bashkëpunëtore e këtij festivali dhe anëtare e organizatës “KrAgi”, e cila e organizon, ka thënë se festivali tashmë ka një shtrirje të gjerë.
“Ky është edicioni i pestë që po mbahet në Kosovë. Domethënë organizata ‘Kragi’ është organizuese e këtij festivali dhe po e paraqet Kosovën në mënyrën më të mirë ndërkombëtarisht. Kanë marrë pjesë 636 karikatura gjithsej, por janë përzgjedhur vetëm 80 prej tyre. Ka qenë paksa e vështirë, por më shumë kemi qenë të motivuar ta prezantojmë Kosovën sa më mirë në një festival të tillë ndërkombëtar”.
I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte edhe Dom Lush Gjergji, i cili ka çmuar vendimin që temë e Festivalit të jetë portretizimi i Shën Terezës.
Ekspozita e Festivalit do të qëndrojë e hapur deri të mërkurën.