EXPRESS

Bienalja e vizatimit shkrin kultura në gjuhë të përbashkët artistike

Skena ndërkombëtare e artit, përkatësisht vizatimit si medium, shkrihet me artin shqiptar në edicionin e tretë të Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit në Prishtinë. Ngjarja, e cila po merr përherë më shumë formë në secilin organizim, sivjet ka dëshmuar jehonën e saj përtej kufijve. Rrëfimit të sivjetmë të ngjarjes i janë bashkuar gjithsej 34 artistë.

Aty janë fryma e stile të ndryshme. Por arti pamor si medium i bashkon. Si tradicionalisht në natën hapëse të ngjarjes janë shpallur edhe tre fitues për veprat e tyre.

Çmimin e madh që mban titullin “Gjelosh Gjokaj” e ka fituar artistja Aleksandra Gieraga. Aq sa abstrakte duket edhe poetike vepra e artistes shumëdimensionale polake. Në sfondin e bardhë ndërtohet i gjithë rrëfimi me shenja të zeza.

Edhe polaku Andrzej Brzegoëy dhe kroati Igor Modriq janë shpërblyer për veprat e tyre. Vepra e të parit është si një hartë vizash. Vepra e Modriqit në anën tjetër shfaq dy trupa njerëzish të ndryshëm. Teknika është vizatim i pastër në veprat e të dy artistëve.

Në disa prej veprave ka pasur kombimin teknikash, të cilat sipas jurisë, nuk kanë mundur të merren parasysh në vlerësimin e tyre.

Juria ka qenë në përbërje prej artistit kroat Marion Richter, profesori i dizajnit grafik Agim Salihu dhe profesori i skulpturës Artan Peqini.

Ky i fundit ka thënë se shumë prej veprave që kanë qenë të punuara goxha mirë, nuk janë marrë parasysh në vlerësim, pasi kanë shkuar përtej teknikës së vizatimit.

“Mendoj se është një ekspozitë shumë interesante, shumë delikate, sepse mbështetet në vetëm një medium, që është vizatimi. Ne si juri jemi përpjekur t’i përmbahemi këtij mediumi. Këtu ka punë shumë të mirë, por që nga pikëpamja e shprehjes, mediumit, dalin përtej teknikës së vizatimit dhe kjo është arsyeja që nuk kanë qenë fituese. Në këtë rast, kemi respektuar teknikën e vizatimit, jemi përpjekur që në bazë të vlerësimit tonë, të gjykojmë tri teknikat më të spikatura të vizatimit dhe ato që kanë qenë edhe tri veprat e zgjedhura”.

Secila vepër e ekspozuar në kuadër të Bienales së Vizatimit në Galerinë e Fakultetit të Arteve ka qenë rrëfim unik.

Disa ngjajnë në konstruksione arkitekturore e në ato që tentojnë të dalin nga sipërfaqja e punimit me anë të përdorimit të tekstilit. Krejt kjo e bën të qartë se disa prej veprave në fakt nuk e kanë vendin në një bienale të tillë që i kushtohet krejtësisht vizatimit si medium.

Veprat duket se komunikojnë, por edhe përplasen me ato të artistëve ndërkombëtarë. Janë 19 artistë të huaj dhe 15 vendorë.

Artisti Albulen Neziri ka ekspozuar në Bienale veprën “Vibrimi”, punim abstrakt i punuar këtë vit.

“Një teknikë e kombinuar akrilik në pëlhurë, por edhe grafikë si dhe disa lloje të ndryshme të markerave. Është temë abstrakte. Vibracioni është një prej temave që e trajtoj kohëve të fundit, por me dimensione më të mëdha. Kjo është një prej veprave me dimensioneve më të vogla”.

Ekspozita ka pasur dy kuratorë. Nysret Gjurkaj është marrë me veprat e artistëve ndërkombëtarë, ndërsa Zeni Ballazhi me ato të artistëve vendorë.

Ballazhi në skenë është shprehur se puna me dy kuratorë në një koncept ka qenë e vështirë. Ka thënë se hapësira e Galerisë së Fakultetit të Arteve në Prishtinë i ka kufizuar ata në përfshirjen e një numri më të madh artistësh.

Edicionin e kaluar, Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit kishte zënë vend në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Kamuran Goranci, kryetar i Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës që e organizon Bienalen Ndërkombëtare të Vizatimit, ka thënë se sivjet, GKK-ja e ka refuzuar ngjarjen, por ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës e ka bërë Asociacionin me shtëpi, duke i siguruar një hapësirë në Pallatin e Rinisë.

Goranci ka thënë se sivjet është vërejtur një lloj jehone e ngjarjes nëpërmjet pjesëmarrjes më të madhe në numër të artistëve ndërkombëtarë.

“Sivjet është rritur jehona e kësaj bienaleje. E ka marrë një nivel shumë më të gjerë ndërkombëtarisht. Sivjet kemi 23 artistë ndërkombëtarë dhe 11 janë të Kosovës. Ky numër tregon se bienalja është duke e marrë ndërkombëtarizimin e saj. Vizatimi është një ndërtim i ndjeshëm, nuk është pikturë. Aty studiohet viza, shumë krijues e njerëz nuk e kuptojnë, por juritë profesionale e potencojnë dhe e vlerësojnë”.

Një vepër e tij është ekspozuar po ashtu, por qe jashtë garës së Bienales.