Atmosfera në promovimin e librit “Bashkëbisedim muzikor me Ilir Bajrin” nga Liburn Jupolli përkonte lezetshëm dhe me vetë metaforën e librit i cili ndërtohet nga rrëfime të ndryshime nga figura që kanë qenë pjesë e rrugëtimit artistik të Bajrit. Para promovimit të librit luheshin kompozime të Bajrit, si overturë në botën e tij që priste të shpalosej në momentet në vazhdim. Por, këtë herë, jashtë kornizave të librit, bashkëbisedimi u realizua në kinon “Armata” nga vetë Ilir Bajri, autori Liburn Jupolli, Olisa Çekaj si asistente e hulumtimit, dhe Besa Luzha dhe Dardan Selimaj, bashkëpunëtorë të Bajrit gjatë karrierës së tij. Ky libër, i cili në gjykim të parë na prezantohet si një monografi e rëndomtë, qëndron larg normave konvencionale të të bërit monografi, pasi që e tërë përmbajtja e librit ndërtohet nga bashkëbisedimet me subjekte të ndryshme për Ilir Bajrin.
Në kontekstin e historisë së muzikës në Kosovë, dokumentimi i veprimtarive të artistëve si Ilir Bajri është thelbësor dhe del si i domosdoshëm për të kuptuar dhe ruajtur një trashëgimi artistike.
Për kompozitorin Liburn Jupolli, njëherësh autor i librit, puna me këtë monografi kishte nisur e inspiruar nga kompleksiteti i identitetit muzikor të Bajrit.
“Unë fillimisht kam pasë rastin me msu prej Ilirit dhe me bashkëpunu me të në raste të ndryshme. Ndërkaq, për këtë libër e kam pas përparësinë sepse i kam njohur shumë gjëra në plan të parë, si rezultat i diskutimeve të gjata me të përgjatë viteve”.
Olisa Çekaj, historiane dhe hulumtuese, tek libri tregoi se synimi parësor i ekipit ishte konsolidim i një biografie për Ilir Bajrin.
“Jemi mundu me sjellë një qasje të re, një format të ri që shpresoj që në të ardhmen do të kthehet në njëfarë standardi. Në të njëjtën kohë libri përmban dhe historitë gojore, përmes intervistave duke e krijuar ndjesinë përnjëmend se jeni duke e bë një bashkëbisedim me Ilir Bajrin, duke fillu nga fëmijëria e tij e deri më tutje”.
Si pjesë e panelit, profesoresha e Universitet të Prishtinës, Besa Luzha, e vlerësoi lart Ilir Bajrin duke iu referuar edhe si ikonë e Jazzit.
“Iliri gjithmonë ka qenë ikonë e jazzit. Gjenerata ime kur e kemi mendu jazzin fillimisht e kemi mendu Ilirin, kur është përmend jazz muzika është përmend dhe ai paralelisht”.
Në bashkëbisedimin e promovimit të librit, Bajri, i njohur si modest për nga natyra, zgjodhi që të ishte fjalëpak.
“Të gjithë e vërejmë besoj se sa shumë flasim për të kaluarën, dhe besoj kjo nuk është e mirë, mirë është me marrë parasysh atë dhe me e trajtu si një bibliotekë te përvojave por jo ndoshta me trajtu atë emocionalisht, ardhmërinë duhet me trajtu emocionalisht sepse ajo është abstrakte, ndërkaq kombinimi i te dyjave besoj që ndihmon më shumë që me kap të tashmen”.
Takimin e parë me Ilir Bajrin, producenti Dardan Selimaj e kishte pasur para më shumë se dy dekadash.
“Për mua si nxënës i shkollës se mesme ka qene ballafaqimi i parë me një koncert që ka qenë në një dimension tjetër në raport me gjithçka çka kam pasur mundësinë të shoh në atë kohë”.
Libri është mundësia për t’u njohur me universin e Ilir Bajrit.