Dokumentari që shpalos kulturën e jetën e kosovarëve dhe shfaqja teatrale, që sjell rrëfimin e një shqiptari në Belgjikë, “Balkan Trafik”, promovon jo vetëm përditshmërinë e personazheve, por edhe anën tjetër të këtij vendi. Aty thuren rrëfimet e sukseseve, por edhe sfidat e një emigranti.
Përderisa dokumentari ndjek personazhet në Kosovë, shfaqja zhvendoset në Belgjikë.
I titulluar “Balkan What!” dhe i realizuar nga Nicolas Wieërs në vitin 2003, dokumentari nis e përfundon në vende të ndryshme të Kosovës. Janë personazhet e ndryshme ato që e pasurojnë këtë dokumentar. Takimi i Wieërs me kosovarët ishte shtysa që dashurinë e tij për këtë popull ta përcjellë edhe në vende të tjera. Wieërs është organizator i festivalit “Balkan Trafik”, i cili sivjet në prill mban edicionin e 17-të, por me disa ngjarje tashmë ka ardhur në Prishtinë.
“Prapa dokumentarit jemi mundur të shfaqim diversitetin e Kosovës rreth artit, sportit, aktivizimit e kualitetit. Secila sekuencë e dokumentarit ka një kuptim të veçantë. Për shembull sekuenca e parë është rreth boksit. Unë e dua boksin dhe jam marrë me të në Belgjikë. Dhe kjo ka qenë një lidhje e mirë që të organizoj një takim me boksierët e Kosovës dhe mua si boksier. Pyetja ime ka qenë çfarë eksperiencë mund të merrni jashtë vendit, dhe ata më thanë se nuk mund të marrin gjë sepse nuk kanë liberalizim vizash. Ata janë të detyruar të qëndrojnë në Kosovë dhe të luftojmë në ring me njëri – tjetrin. Pra nuk mund të takohen me boksier të vendeve të tjera dhe shkak të vizave. Ky ka qenë qëllimi i dokumentarit: të paraqitet në Evropë, Bruksel, që t’u tregojmë këtyre komuniteteve çka janë në gjendje të bëjnë vetë këta njerëz gjenialë të Kosovës. Siç tha Bimbima, ju jeni Evropë”.
Krejt baza e këtij dokumentari është takimi i Nicolas Wieërs me kosovarin e emigruar në Belgjikë. Historia e Ilir Sefës u bë shtysë që ai të interesohej më shumë për popullin, e ta paraqesë atë para botës.
“Mikpritja, bujaria e kanë tërhequr aq shumë saqë me materialin që ka ardhur këtu menjëherë si është kthyer në Bruksel ka thënë se duhet të kthehet kjo mikpritje dhe bujari që e kanë treguar me mua në mënyrë tjetër. Dëshironte që edhe të na ndihmonte me vizat. Ka hasur direkt në pengesa, të cilat i kemi sot e kësaj dite. Dëshiron që të bëjë diçka me kulturë. Ta prezantojë kulturën shqiptare, traditën, artet dhe çdo gjë që është shqiptare në ‘Balkan Trafik’”.
Me migrimin lidhet dhe historia e cila mbrëmjen e së martës erdhi si shfaqje teatrore. “Fritland” është shfaqja dhe po ashtu edhe emri i dyqanit me të cilën triumfoi shqiptari Zenel Laçi në Belgjikë. Ani pse të arriturat e tij me dyqanin e patateve të skuqura janë të mëdha, kjo nuk qe ëndrra e tij.
Ëndrra realizohet kur historia e tij shkruhet e pastaj edhe realizohet si shfaqje teatrale nga vetë ai. Zeneli merr titullin e autorit dhe aktorit. Sukseset që prek shtrihen përtej biznesit të tij.
“Kjo është një befasi. Në radhë të parë unë nuk jam aktor. Kam shkruar gjithë jetë. Jam tip që jam shkolluar shumë vonë. Dëshira për të shkruar dhe lexuar ka qenë një ëndërr, diçka e pakapshme. Një drejtor i famshëm i teatrit të Belgjikës pati dëgjuar për një shqiptar që është patatexhi dhe shkruan dhe iu duk interesant. Më takoi, e lexoi tekstin dhe më tha që e ke një perlë në dorë. Unë do ta përditësoj, do ta fus në skenë por me një kusht: Do ta luash vet. Unë thash ky qenka budalla. I thash se nuk jam aktor. Më tha se s’do t’ia di për këtë. Fola me miqtë dhe familjarët. Pastaj më bashkëngjiti e Denisin. Denisi është vet aktorë dhe regjisor dhe kaloi shumë mirë. E kemi shfaqur mbi 100 herë. Janë 60 mijë persona që kanë ardhur si publik. Krejt e dinë historinë e Shqipërisë ose të Kosovës përmes meje. Tash që ata të vijnë këtu dhe ta shohin vetë Kosovën janë kënaqur dhe janë befasuar”.
Zeneli në fund të shfaqjes pos regjisorit francez Denis Laujol, në skenë ftoi edhe pjesëtarë të publikut për t’iu bashkuar në qërim patatesh. Në mesin e tyre edhe ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
“Jam shumë e lumtur që arrita ta shoh këtë shfaqje për të cilën para 2 vitesh Zeneli vetëm më ka folur në tavolinë derisa e kishim pauzën e drekës në mes të xhirimeve. U gëzova shumë që e pash më në fund. Po e shkëpus një fjali prej shfaqjes që më mbeti në mendje: ‘Fjalët që nuk jetohen bëhen hi’. Kështu që unë e përgëzoj jashtëzakonisht shumë që fjalët dhe rrëfimin e tij na i riktheu aq bukur në vendin tonë në këtë mënyrë sonte, Denisi bashkë me Zenelin. Rrëfimi i tij nuk u bë hi por dha shumë dritë sonte këtu”, deklaroi aktorja Ilire Vinca.
Edhe “Balkan What!” e edhe “Fritland” u shfaqen për herë të parë para audiencës vendore me “Balkan Trafik”, i cili promovon diversitetin dhe një rrëfim tjetër për Kosovën.