Si shëtitje nëpër kulturën portugeze vjen shfaqja “Correr o fado”, ka qenë premiera e Baletit Kombëtar të Kosovës me të cilën në fund të javës së kaluar ka mbyllur sezonin. Nën direktivat e koreografit portugez, Daniel Cardoso, balerinët kapin ritmin e fados, një muzikë tradicionale portugeze që shquhet nga melankolia e me temë për detin dhe jetën e varfër. E pasur në skenë është “Correr o fado” premiera e dytë e këtij viti.
Janë tetë balerinët – Jeta Musolli, Mërgime Morina, Vjollca Llugiqi, Fatmir Smani, Kreshnik Musolli, Sead Vuniqi, Fisnik Smani dhe Leonora Rexhepi – që nëpërmjet lëvizjeve të shkathëta e kërcimeve delikate vjedhin vëmendjen e publikut. Fillimisht e gjejnë harmoninë bashkë e më pas u japin hapësirë edhe lojës në dyshe. Përfundimi i një pjese konfirmohet me fikjen e dritave pas së cilave në sallë shpërthejnë duartrokitjet. Pjesa e dytë e lejoi trupën që të vijë në performanca dyshe. Ndonëse shfaqja në përgjithësi shquhet nga nota sentimentale, të buta e plot melankoli, vallëzimi në çift sjell edhe momente romantike, shoqëruar edhe me betejë për të arritur dashurinë e tjetrit.
Koreografi nga Portugalia, Daniel Cardoso, është shprehur i lumtur me bashkëpunimin me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës. Teksa ka treguar që nuk kishin pasur edhe shumë kohë për prova, Cardoso ka lavdëruar ekipin për arritjen e madhe në realizimin e kësaj shfaqjeje.
“Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Isha shumë i lumtur veçanërisht me rezultatet përfundimtare. Kemi punuar vetëm për një muaj e pak, nuk ishte një kohë e gjatë. Ata kanë punuar shumë dhe intensivisht që të arrijnë t’i kapin lëvizjet e mia, të kapin kualitetin tim dhe mënyrën e punës sime. Kjo ishte hera e parë që punuam bashkë. Tani që po i shoh rezultatet përfundimtare, jam shumë, shumë i lumtur. Kanë bërë një punë të mirë dhe e përgëzoj ekipin”.
Balerina Vjollca Llugiqi solli njërin ndër interpretimet më të veçanta të vëna në skenë nga Baleti Kombëtar i Kosovës. E shtyrë nga dy balerinë, Llugiqi zhytet brenda objektit në ujë. U deshën pak sekonda që të niste performanca e cila zgjati rreth pesëmbëdhjetë minuta. Llugiqi lakohet, zhytet e spërkat nëpër sallë. Ende nënë emocionet e skenës, Llugiqi ka treguar se vallëzimi nën ritmet e muzikë fado ishte një gjë që ajo e kishte ëndërruar për një kohë të gjatë.
“Ka qenë një proces shumë i mirë qysh nga fillimi. Ka qenë një emocion i veçantë sepse ne veçse e kemi ditur me çfarë muzike kemi të bëjmë, të paktën unë që kam dëgjuar goxha shumë muzikë fado para se ta kuptoj se kjo shfaqje është me muzikë fado. Unë e adhuroj muzikën fado dhe gjithmonë e kam pasur ëndërr që një herë të bëj diçka me këtë muzikë. Mendoj që ëndrra ime më është realizuar me këtë performancë sonte, publiku e priti mirë”.
Në publik ka qenë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Është shprehur i lumtur me performancën e balerinëve.
“Ishte një performancë pak më ndryshe se herët e tjera. Sonte kisha ftuar edhe shumë mysafirë këtu. Ishin këshilli iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kishte edhe shumë figura eminente të artit të Kosovës dhe jam shumë i lumtur që u bëmë pjesë e një performance shumë të bukur, shumë të veçantë, me ca stërpika uji që erdhën edhe deri te publiku në fund”, ka thënë ai.
Teksa ka përmendur vështirësitë e një shfaqjeje të tillë, balerini Sead Vuniqi është shprehur krenar me punën që kanë bërë balerinët.
“Ne po ndihemi shumë të lumtur pas asaj që e pamë. Duartrokitjet e publikut janë ai frymëzimi ynë që ne gjithmonë luftojmë për ato. Secili prej balerinëve sot ndihet shumë i mrekullueshëm dhe shumë krenar, duke e ditur që sfidën që e kemi pasur në këtë shfaqje, ka qenë një sfidë goxha e madhe. Duke e parë vullnetin e secilit prej nesh, jemi merak ta sfidojmë vetveten dhe gjithmonë mundohemi ta japin maksimumin dhe të arrijmë synimin e secilës shfaqje, secilit projekt”.
“Correr o fado” pas premierës ka pasur vetëm një reprizë përderisa do të rikthehet në vjeshtë në repertor. Por deri atëherë Baletin e presin edhe udhëtime jashtë Kosovës. Italia pritet të jetë destinacioni i trupës nga mesi i korrikut.