Tash e një muaj Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka nisur provat për premierën e parë të këtij viti. Në të hyrë të amfiteatrit të Pallatit të Rinisë, dëgjohen edhe urdhrat e koreografit Taulant Shehu. Lëvizjet e ngadalta e të gjata duket sikur pasqyrojnë lëvizjen e kohës. Shfaqja u jep hapësirë balerinëve të dëshmohen edhe individualisht.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin që Trupa e Baletit ka pasur me koreografin nga Shqipëria, i cili jeton e vepron në Gjermani.
“Jemi në fazën finale të premierës ‘Time’, një bashkëpunim me koreografin dhe kërcimtarin shqiptar i cili jeton dhe vepron në Gjermani, Taulant Shehu. Deri sot edhe me Taulantin, por edhe me asistenten e tij, Dileta Antonini, ka shkuar gjithçka për së mbari dhe sigurisht balerinët kanë qenë në krye të detyrës për çka i përgëzoj, duke u përshtatur në mënyrën e punës së koreografit, sepse secili koreograf i ka specifikat e veta dhe kërkesat e tij. Jam tejet i lumtur me rezultatin e një pune njëmujore”.
Teksa ka përmendur mbylljen e objektit të Teatrit Kombëtar tash e nëntë muaj dhe zhvendosjen në amfiteatrin në hapësirat e Pallatit të Rinisë, Kajtazi ka thënë se fatmirësisht shfaqja “Time” ka qenë e përshtatshme për hapësirën ku veprojnë aktualisht.
“Siç e shihni jemi në ambientin e amfiteatrit të Pallatit të Rinisë, sepse skena e Teatrit, aty ku kemi performuar gjithmonë, për momentin nuk mundemi ta shfrytëzojmë sepse është në rinovim të ndërtesës. Për të qenë krejt i sinqertë, kemi pasur fat që stili dhe lloji i shfaqjes që Taulanti i aplikon kanë qenë shumë të përshtatshëm për amfiteatrin këtu dhe na ka ndihmuar edhe neve që të mos shikojmë për alternativa të tjera” deklaroi Kajtazi.
Koreografi Taulant Shehu me “Time” i fut balerinët në terrene pak të njohura.
“Provat po shkojnë shumë, shumë mirë. Unë ka një javë që kam ardhur në Prishtinë. Asistentja ime ka tri javë që punon me balerinët këtu. Jemi duke punuar intensivisht për shfaqjen e së dielës dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. Është në fakt një stil pak i ri edhe për balerinët, kështu që janë në një terren pak të panjohur por besoj do të jetë shumë bukur”.
Edhe titulli i shfaqjes lidhet me stilin e punës. Eksploron jetën në raport me kohën.
“Në fakt janë dy momente që janë vënë edhe diku tjetër, por në këtë konfigurim është hera e parë që vihet këtu. “Time”, sepse secili nga artistët do të ketë një moment kryesor, që do të ketë momentin e vet dhe time është jeta, koha që jetojmë dhe secili do të ketë një moment të veçantë gjatë premierës”, shtoi tutje Shehu.
Balerina Jeta Musolli është shprehur e lumtur për ecurinë e provave dhe bashkëpunimin me Shehun.
“Jemi në ditët e fundit para premierës dhe provave në skenë. Si proces gjithçka ka shkuar mirë dhe në rregull. Jemi kënaqur edhe me asistenten e Taulantit, Diletën, të cilën e falënderojmë shumë, gjithashtu edhe prej se ka ardhur Taulanti për provat më intensive. Pra, gjithçka po shkon shumë mirë dhe jemi shumë të kënaqur”.
“Time” është njëra nga pesë premierat që i planifikon Baleti Kombëtar i Kosovës për sivjet. Pas premierës të dielën, “Time” do të ketë dhe tri repriza gjatë marsit.