EXPRESS

Bajar Berisha - muzikanti e intelektuali i rrallë

Dirigjenti dhe profesori Bajar Berisha vdiq të martën në moshën 73-vjeçare.

Berisha kishte qenë udhëheqës artistik-dirigjent i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit të Prishtinës, dirigjoi edhe me Filarmoninë e Beogradit, Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar Kroat të Zagrebit, Orkestrën ‘Camerata” të Prishtinës, Orkestrën dhe Korin e Fakultetit të Arteve.

Berisha kishte kryer studimet në Fakultetin e Arteve në Beograd në vitet 1972/73, ndërsa studimet e magjistraturës i ndoqi në Sarajevë, derisa provimin e magjistraturës e kreu në Beograd me Filarmoninë e Beogradit.

Kompozitori dhe dirigjenti, Rafet Rudi, e ka vlerësuar lart Berishën. Ka thënë se ishte njëri prej dirigjentëve më të talentuar të gjeneratës së tij në regjion.

“Natyra e tij e mospërshtatjes së rregullave të domosdoshme për një dirigjent në punën me orkestër dhe gjithashtu rrethanave fatkeqe që pati ky vend për një kohë të gjatë, bëri që ai mos të bëj një karrierë ndërkombëtare për të cilën ai kishte predispozicione të padiskutueshme”.

Pasi kishte përfunduar studimet, Berisha kishte nisur punën në shkollën e mesme të muzikës në Prishtinë, e pas hapjes së degës muzikore pranë Akademisë së Arteve në Prishtinë më 1975/76 u bë ligjërues për lëndën “Dirigjim dhe Kor” dhe pas një mandati ai u rizgjodh dhe mori titullin docent.

Berisha në vitet 1982/83 kishte vijuar specializimin në Shkollën e Lartë të Artit në Berlin. Ndërsa në vitin 1987 u bë udhëheqës artistik-dirigjent i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit të Prishtinës.

Sopranoja Elbenita Kajtazi e ka përshkruar Berishën si një talent të rrallë, profesor e njeri që ka punuar me zell duke qëndruar pranë atyre që kanë dashur të mësojnë më shumë nga ai.

“E kam shumë të vështirë të flas për profesorin Bajar, sepse e kam dashur shumë, edhe profesori Bajar e luan një rol shumë të rëndësishëm në rrugëtimin tim artistik. Krejt çka mundem të them për profesorin është që ka qenë ndër të vetmit profesorë të Universitetit të Arteve që ka punuar pa kushte, që ka punuar me përkushtim të jashtëzakonshëm për artin dhe kulturën e mirëfilltë. Ka qenë një dirigjent aq i ndjeshëm saqë puna me të gjithmonë ka qenë shumë interesante dhe kam mësuar aq shumë prej tij”.

Berisha ishte dalluar me interpretime kreative të veprave të autorëve tanë të shquar. Ai po ashtu shkroi edhe “Fjalor enciklopedik muzikor-terminologjik”, që u botua në vitin 2014 nga Botimet “KOHA”.