EXPRESS

“Back to the Gorges of Balkan” me artin e 2003-tës

Ishte viti 2003 dhe një grup artistësh të gjeneratës së re komunikonte fort nëpërmjet gjuhës së artit bashkëkohor. Kishte qenë kuratori gjerman René Block ai që kishte vendosur të hapte ekspozitën “In den Schluchten des Balkan” (In the Gorges of Balkan), ku morën pjesë 90 artistë nga vende të ndryshme të Gadishullit. Në mesin e tyre edhe artistët nga Kosova, si: Jakup Ferri, Dren Maliqi, Merita Harxhi-Koci, Driton Hajredini e të tjerë.

Fiks njëzet vjet pas, tani me titullin “Back to the Gorges of Balkan”, veprat e këtyre artistëve tash rikthehen edhe në Kosovë. Vijnë edhe me pyetjen se sa ka ndryshuar arti. Mbi të gjitha, me dilemën nëse ka ndryshuar diçka. Përgjigjet janë të ndryshme. Ka edhe aso në kundërshti.

Debutimin e kësaj ekspozite e kujton mirë publicisti e filozofi Shkëlzen Maliqi. Ka thënë se fillimisht ishte menduar që në Gjermani t’i ekspozonin veprat e tyre vetëm dy artistë. Megjithatë, pasi që kuratori gjerman René Block kishte parë edhe veprat e artistëve të tjerë, kishte vendosur ta zgjeronte grupin.

“Kemi pasur një grup për herë të parë me një numër prej tetë ose nëntë artistësh që kanë marrë pjesë në një ekspozitë të artit bashkëkohor ndërkombëtar. Atje fillimisht kanë qenë të parapara ose të ftuar vetëm dy artistë që kanë qenë më herët të afirmuar, vetëm Sokol Beqiri dhe Erzen Shkololli dhe kuratori ka pasur që të vijë e ti shoh ata. Por, ka qenë një ekspozitë e artit bashkëkohor këtu, me këta artistët tonë dhe më pas ai e ka parë atë ekspozitë dhe i kanë pëlqyer ata dhe ka dashur t’i shohë edhe punët e tyre. Ne ia kemi prezantuar ato që i kemi pasur dhe mandej ai i ka përzgjedhur edhe nja gjashtë të tjerë”.

Tani disenjatore fustanesh, Merita Harxhi-Koci ka treguar se si rikthimi i kësaj ekspozite ia ka rikthyer kujtimet për një kohë kur ajo ishte shumë aktive në këtë sferë. Njëzet vjet më pas, Harxhi-Koci ka kujtuar se vepra e saj nuk ishte kuptuar drejt nga publiku. Shumë prej tyre kishin menduar se ajo po kandidonte vërtet për presidente të Kosovës.

“Nuk mund të them që arti ka ndryshuar shumë, sepse tani po kemi mundësi shumë më të mëdha për t’u shprehur në forma të ndryshme. Në atë kohë unë, kur e kam krijuar këtë vepër njerëzit nuk e dinin çka është arti bashkëkohor. Tërë kohën kur e kanë parë fotografitë nëpër billborde askush nuk e ka ditur që është vepër artistike, por kanë menduar se me të vërtetë unë po kandidoj. Më kanë thirrur në telefon dhe ka qenë shumë e pakapshme se çfarë arti është ky. Shumica në atë kohë kanë menduar që vetëm piktura është art, kështu që me kohë kanë ndryshuar shumë gjëra”.

Ndryshe nga dy parafolësit, kuratori i “Back to the Gorges of Balkan”, Thibaut de Ruyter, është i mendimit se arti në fakt nuk ka ndryshuar asgjë brenda këtyre njëzet vjetëve.

“Mendoj që kjo është arsyeja se pse kjo ekspozitë është kaq e rëndësishme ose pse këto janë vepra të mira, sepse janë vepra arti që vënë në pikëpyetje probleme që janë ende aktuale. Zakonisht marr si shembull veprën e Merita Kocit kur po kandidonte për t’u bërë presidente e Kosovës më 2003. Ju keni pasur dy presidente pas kësaj, por ende në botë vihet në pikëpyetje kur një grua do të bëhet presidente e Francës, dhe nuk është duke ndodhur, madje është shumë larg”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 15 shtator.