Mëngjesi i së hënës e ka gjetur drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë, Tonin Vocaj, para kamerave në një konferencë për media, duke dhënë sqarime për dy aksione policore dhe disa të arrestuar për trafikim të lëndëve eksplozive e montues të mjeteve shpërthyese. Sipas tij, pas një “pune hetimore 4-mujore” e “duke përdorur metoda speciale të hetimit” është bërë goditja e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Midis të arrestuarve ishin tre shtetas kosovarë dhe dy të tjerë ngelin në kërkim.
Por drejtori Vocaj në konferencën pompoze nuk ka përmendur një huqje: ndalimin, arrestimin e keqtrajtimin e një grupi tjetër kosovarësh, anëtarëve të ekipit të shfaqjes “The Handke Project”, produksion i Qendrës “Multimedia”. Pas dy interpretimeve të shfaqjes në “Teatro di Rifredi”, në Firence më 2 dhe 3 shkurt, në ditën e katërt të këtij muaji ekipi ka ateruar në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Më pas kanë marrë rrugën drejt Prishtinës. Në vendin ku bëhet pagesa e shfrytëzimit të “Rrugës së Kombit”, rreth orës 00:30 patrullat e Policisë kanë qenë duke kontrolluar për gjoja kapjen e anëtarëve të grupit kriminal në kërkim. Në një prej makinave ishin tre anëtarë të ekipit. Në sytë e pjesëtarëve të Policisë dolën më shumë se të dyshimtë. U shoqëruan dhe mbajtën në Kukës për tri orë e më pas në Tiranë deri në mëngjes.
Dramaturgu Jeton Nerizaj ka thënë se janë duke e menduar që të mos e lënë me kaq krejt këtë çfarë ka ndodhur.
KOHA gjatë ditës së hënë ka dërguar pyetje në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, atë të Kukësit e në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, por nuk ka marrë përgjigje.
Pavarësisht kësaj, publiku i Firences i ka marrë disa përgjigje për Peter Handken. “The Handke Project” është rrëfim që vjen si akuzë nëpërmjet artit dhe ka prekur shumë cepa të Evropës.
Në projektin teatror të qendrës “Multimedia” bashkë me “Mittelfest” e Teatrin e Toskanës, Teatrin e Dortmundit, Teatrin Kombëtar të Sarajevës e festivalin e njohur botërisht të kryeqytetit boshnjak, “MESS”, Peter Handke zhvillon një bisedë me Joseph Goebbelsin. Udhëheqësi i propagandës së nazistëve i jep atij leksione se si duhen mohuar krimet e si duhet ngritur pyetje nëse ato janë të vërteta. Kasta e aktorëve: Arben Bajraktaraj, Anja Drljeviq, Adrian Morina, Ejla Bavçiq, Klaus Martini e Verona Koxha për rreth një orë e gjysmë përballë publikut dekonspirojnë nobelistin Handke si mohues të gjenocidit serb në Ballkan. Shfaqja shtjellon temën nëse ka kufij etikë e njerëzorë për një krijues. E tërthorazi jep edhe përgjigje. “The Handke Project” pos Italisë, është dhënë edhe në Serbi, Gjermani, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi e pritet të shkojë edhe në Francë.