EXPRESS

Artistet Gjoni e Laloseviq në “Chopin Piano Fest”

Mbrëmja e tetë me radhë “Chopin Piano Fest” ka vënë theksin, midis të tjerash, në kulturën e Malit të Zi për të parën herë gjatë historikut të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Klasike. Me Iliriana Gjonin në piano e vokalin e sopranos malaziase, Milica Laloseviq, është sjellë edhe repertori botëror i veprave klasike. Koncerti ka shënuar edhe mbylljen e Javës së Kulturës të Malit të Zi në Prishtinë.

Salla plot ka qenë për dyshen në piano e këndim. Koncerti recital i dyshes ka sjellë një tjetër provë sa i përket instrumentit të pianos. Atë të përshtatjes me vokal. Është prej kombinimeve më të shpeshta që i përshtatet secilit format. Të hënën mbrëma janë sjellë këngë tradicionale malaziase, ato të repertorit botëror e shqiptar.

Programin e ka hapur dyshja me prezantimin e kulturës muzikore nga Mali i Zi me “Balada o maslini” (Balada e ullirit) të malaziasit Senad Gaqeviq. Me meloditë e pianos, sopranoja Laloseviq me timbrin magjepsës ka sjellë këngët popullore “Poljem se vija”, “Bulbul mi poje”, Dusho, Mare”, dhe “Vanji se konji igraju”.

Kjo ka qenë mbrëmja e parë gjatë krejt edicioneve ku janë interpretuar këngët popullore malaziase në këtë festival.

Sopranoja Laloseviq ka thënë se këngët e interpretuara në koncert e prezantojnë më së miri kulturën muzikore malaziase.

“Kemi prezantuar katër këngë të bukura nga Mali i Zi. Mendoj se këto këngë e prezantojnë kulturën tonë dhe mënyrën tonë të mendimit. Janë shumë të shkurtra, por mendoj se audienca i ka shijuar dhe i kanë kuptuar. Pjesa tjetër e koncertit ka përfshirë repertorin e famshëm italian”.

Në festivalin që mban emrin e kompozitorit dhe pianistit virtuoz polak të periudhës romantike, pianoja përherë ka pozicionin qendror.

Në lojë solo, pianistja Gjoni ka sjellë mjeshtërisht veprat e tij. Ka interpretuar “Nocturne op.27 nr.2, D-dur” që ka ardhur si pjesë nostalgjike që zhvillohet me tinguj minimalisht të lehtë, prej të cilëve lulëzojnë temat e ndjeshme. “Ballade nr.1, op. 23, g-mol” ka qenë kontrasti. Dinamike e me tinguj të shpeshtë vënë në pah anën melankolike kur ulin ritmin. Të dyja veprat kanë qenë thellësisht emocionale, me meloditë shprehëse dhe një lloj ndërlikimi i harmonisë dhe ritmit.

Sa i përket repertorit botëror të veprave për piano ka sjellë “Suite bergamasque” të francezit Claude Debussy. Pjesët e saj “Prelude”, “Menuet”, “Claire de Lune” dhe “Passepied” kanë gërshetuar akorde paralele e harmoni të paqëndrueshme me tonalitete të papritshme.

Kur prezantohet kultura e Malit të Zi, pianistja Iliriana Gjoni e përfaqëson një pjesë të saj me një vepër shqiptare. Ka sjellë variacione për piano në A-dur “Skënderbeu” të Çesk Zadesë.

Pianistja Gjoni ka thënë se ka interpretuar në Prishtinë pas rreth 15 vjetësh për shkak të studimeve fillimisht në Gjermani, e më pas në Belgjikë. Ka thënë se ka interpretuar pjesë nga Chopin si përshtatje me emërtimin e festivalit. Për të koncerti ka qenë edhe mundësi për njohjen e repertorit malazias.

“Unë si ulqinake në Prishtinë ndihem si në shtëpinë time. Ndërsa sa i përket programit, duke qenë ‘Chopin Fest’ kam vendosur të kisha një pjesë reprezentative antologjike, që është Balada e tij nr.1. Kënaqësi të veçantë të luaj si soliste, por edhe me kolegen Milica Laloseviq kemi luajtur një program të larmishëm. Për mua ishte edhe një mundësi interesante të njihesha me repertorin me motive malaziase, sepse nuk e kam luajtur më parë”.

Për “Skënderbeun” e Zadesë ka thënë se shteti i Malit të Zi nuk mund të përfaqësohet pa kulturën shqipe. Ka bërë të ditur se veprën e kishte interpretuar edhe në Bruksel në shënim të Ditës së Evropës, derisa ka thënë se publiku atje kishte ndier lidhje të veçantë me veprat e Zadesë.

“Si shqiptare e Malit të Zi, mendoj se ky shtet nuk mund të përfaqësohet denjësisht pa pasur të përfaqësuar edhe popuj të tjerë të cilët e kanë krijuar atë. Veprën e Çesk Zadesë e kam luajtur para pak kohësh në Bruksel për Ditën e Evropës, më 9 maj. Kam pasur nderin të përfaqësoj kompozitorët e Ballkanit Perëndimor. Dëshira ime ishte që Skënderbeun ta fusja në institucionet evropiane dhe u përcoll me të vërtetë shumë mirë”.

Sopranoja malaziase, Laloseviq, ka interpretuar për herë të parë në Prishtinë. Në fund të koncertit ka thënë se ngjarjen do ta kujtojë si përvojë të bukur.

“Kjo është hera e parë në Prishtinë dhe në festival. Iliriana më ka ftuar të jem pjesë e këtij festivali me të. E njoh tash e disa vjet. U takuam në një festival në Herceg-Novi në Mal të Zi. Vazhduam bashkëpunimin dhe shpresoj se do të interpretojmë prapë së bashku”.

Drejtoresha organizative e “Chopin Piano Fest”, profesoresha Besa Luzha, i ka vlerësuar të dy solistet si artiste të sofistikuara.

“Të dyja artistet ishin shumë të sofistikuara në dinamikë, në konceptin e veprës. Edhe Laloseviq kishte një ngjyrë shumë të bukur, timbër jashtëzakonisht të mirë dhe spostim shumë natyral. Iliriana në fund na shpërbleu me Baladën e Chopin të interpretuar jashtëzakonisht të mirë. Jemi të kënaqur që edhe ky koncert përcolli emocione të bukura”.

Me Iliriana Gjonin në piano e vokalin e sopranos malaziase, Milica Laloseviq, koncerti i së hënës ka shënuar edhe mbylljen e Javës së Kulturës së Malit të Zi në Prishtinë.