EXPRESS

Arti përballë inteligjencës artificiale

Kanë mjaftuar vetëm pak orë që në “Defy Them” të përgatitet një ekspozitë arti. E tëra kjo është bërë falë inteligjencës artificiale, nëpërmjet së cilës janë realizuar vepra arti. Dhjetë prej tyre janë ekspozuar brenda hapësirës së “Defy Them”, në një ekspozitë e cila i parapriu debatit “Art is Dead”. Anëtarët e panelit kanë shprehur mendime të ndryshme sa i përket inteligjencës artificiale. Megjithatë, një gjë ishte e qartë: ende është shumë herët dhe ende ka shumë gjëra të panjohura rreth inteligjencës artificiale e njohur si “AI”.

Nën menaxhimin dhe direktivat e Çlirim Uskanës, specialist i marketingut dhe regjisor, pjesëmarrësit në punëtori për pesë orë kanë mësuar përdorimin e inteligjencës artificiale për të bërë art. Menjëherë pas saj është hapur ekspozita.

Alban Uskanaj ka përdorur për herë të parë programet e Inteligjencës Artificiale. Ka realizuar një pikturë sureale.

“Te kjo e kam kërkuar një llojshmëri të njerëzve, të cilët i kanë duart lart dhe janë duke kërkuar diku nga qielli, hana, dielli. I kam simbolizuar edhe katër elemente të tjera. I kam thënë të ma bëjë në stilin e pop-artit, llojshmëri të ngjyrave, të ketë poteza të Van Goghut, elemente të vogla dhe secila të ketë pika sikur është duke rënë shi. Në tërësi secila kërkesë që bëhet me specifika të ndryshme t’i japë katër module të ndryshme dhe unë e kam zgjedhur këtë”

Përveç ekspozitës, “Defy Them” ka hapur edhe diskutimin për inteligjencën artificiale. Në panelin “Arti ka vdekur” sociologia Vjollca Krasniqi ka thënë se ai në fakt është dëshmi për të kundërtën.

“Fakti që ne jemi duke diskutuar këtë ditë, e thotë që arti vazhdon dhe jeton. Po ashtu, mund të kemi edhe paradigmën tjetër dhe momentin në të cilën jemi ku të ikësh nga inteligjenca artificiale do të thotë të ikësh nga vetvetja. Me të gjitha rreziqet që janë para nesh sigurisht nuk e kemi luksin të largohemi nga inteligjenca artificiale, por të shohim mënyrën se si mund të kontrollohet dhe të sillet në një aspekt se si grupe të ndryshme përdorin platforma të ndryshme për të shprehur kreativitetin e tyre”.

I pranishëm në panel ka qenë edhe eksperti i sigurisë kibernetike Robert Shala. Teksa ka folur për mënyrën se si funksionon inteligjenca artificiale, Shala ka pohuar se arti nuk është e vetmja fushë që “AI” i bën konkurrencë njerëzimit.

“’AI’ në shumë aspekte të jetës do t’u bëjë konkurrencë njerëzve. Arti nuk është e vetmja gjë. Imagjinoni inteligjencën artificiale sikurse disa alienë po vijnë nga një planet tjetër. Po krijojnë makina të cilat munden të mendojnë dhe veprojnë si ne njerëzit. Në shoqëritë tona moderne, demokratike, kapitaliste i kemi ndërtuar në kuptimin që i kemi lidhur qasjen, resurset e njerëzve me kapacitetin e tyre të prodhimit. Do të thotë sa më i talentuar dikush, aq më shume para fiton dhe me to më pas, mundet të blejë ushqim, të ketë të ardhura për familje dhe të jetojë një jetë të mirë”.

Çlirim Uskana ka thënë se inteligjenca artificiale në të vërtetë arrin të shpërfaqë një numër të madh të njerëzve të cilët kanë pasur ide, por që për një arsye apo tjetrën nuk kanë mundur t’i realizonin. Ka marrë një shembull nga përvoja e tij jetësore.

“Inteligjenca artificiale ka ardhur shumë shpejt, qe një vit e gjysmë. Tash brenda po këtij viti njerëzit nuk po e dinë çfarë po ndodh dhe normal një pjesë edhe bëjnë panik. Mundesh me marrë për shembull pyetjet se çka nënkupton me artistin. A është artisti ai që e bën veprën apo ai që e jep idenë. Unë e kam mendimin që çdo njeri është artist më vete, por nuk dimë ta shprehim atë.

Piktorja Luljeta Gashi ka thënë se “AI” do të jetë mundësi e mirë për mendjet e bukura të cilët nuk kanë ditur se si ta shpërfaqin kreativitetin e tyre.

“Do të doja të bëja një ndarje midis kreativitetit dhe talentit. Një person mund të ketë jashtëzakonisht talent, por mund të mos ketë kreativitet për derisa një person kreativ nuk ka talent dhe nuk ka mundur ta shprehë talentin e vet dhe kushedi sa mendje të bukura janë shuar për shkak të limitit fizik që i është dhënë. Ne tani shohim vepra të artit të personave shumë të talentuar. Për shembull Rembrantin ose Leonardo da Vinçin që kanë bërë piktura të jashtëzakonshme po aty më shumë sheh talent, natyrisht ka edhe kreativitet, por më shumë është punë talenti. Kur vij këtu, AI e shoh më shumë si një aleat të njeriut që mund ta shprehë talentin e vet”.

Nëpërmjet teknologjisë, Panelit i është bashkuar nga SHBA-ja edhe artisti me famë botërore Sislej Xhafa. Ai është i prerë në lidhje me inteligjencën artificiale. Ka krahasuar frikën që sot njerëzit kanë ndaj kësaj inteligjence me atë që matematikanët kanë pasur atëherë kur ishte zbuluar kalkulatori. Ka thënë se inteligjenca artificiale nuk ka mundësi që ta zëvendësojë njeriun.