EXPRESS

Aniello Desiderio në natën e dytë të “Mitrovica Guitar Days”

Qysh se doli për herë të parë në skenë këtu e 45 vjet më parë, të menjëhershme e të prera do të ishin epitetet për të. Qe tetë vjeç kur u cilësua “gjeni” e “wunderkind” më pas “Orfeu i kitarës”, pasuan titujt si “kitarist i shekullit” e mbi të gjitha “Il Fenomeno”. Krejt këto kombinohen e thuren sapo kitaristi italian, Aniello Desiderio, nis të interpretojë.

E vogël është dukur salla e Muzeut të Qytetit të Mitrovicës për një kitarist si ky në të dytin koncert të edicionit të pestë të “Mitrovica Guitar Days”. Me lojën e tij, Desiderio të enjten mbrëma e ka shndërruar atë në skenë botërore, aso në të cilat ai ka shkelur kaherë përgjatë karrierës së bujshme. Mitrovica nuk është e panjohur për të. Është rikthyer në këtë festival dhe siç kanë thënë organizatorët, ka qenë publiku ai që e ka kërkuar. Desiderio është edhe mik i “Mitrovica Guitar Days”, por kjo është tjetër histori.

Koncertin e ka nisur “Suitat spanjolle“ të Albeniz, Llobet, Torroba e Ruiz Pipo, një interpretim që ka shërbyer si intro me teknikë flamengo, për të kaluar te “Chacone” të Johann Sebastian Bachut që nis qetas, por krejt vepra është si një lloj stuhie, tipike prej këtij kompozitori baroken.

Një kapitull unik ka qenë “Verismo” e Stephen Goss, kompozitorit e kitaristit uellsian, një vepër e vitit 2020 e bazuar në tema kryeveprash të njohura të Puccinit, Mascagnit, e Rossinit. Atmosferë impozante ka shpërthyer te pjesa bazuar në “Figlian” e “Rigolettos” së Verdit, e kulminacioni arrihet me pjesën e njohur të “Berberit të Seviljës” të Rossinit. Shpërthyes është fundi e Desiderrio është mjeshtër në finalizime të tilla.

Pikërisht te publiku, por edhe te vendi nikoqir i tij, Desiderio ka gjetur veçanti. Thotë se i bën shumë përshtypje se si njerëzit këtu bëjnë sakrifica të ndryshme që ta ndihmojnë kulturën.

“Sepse e para është kënaqësi e madhe kur shoh nëpër në botë veçanërisht në Evropën lindore njerëz si Erhan Mujka nga organizata dhe njerëz të tjerë që punojnë për festivalin, që bëjnë sakrifica që të ndihmojnë kulturën. Kjo është diçka absolutisht e rëndësishme. Unë e jap jetën për muzikën dhe sa herë që shoh njerëz si Erhani dhe ju të gjithë, jam gjithmonë gati të ndihmoj në çfarëdo aspekti që mundem”.

Ka treguar edhe për programin e jashtëzakonshëm të cilin e përzgjodhi e i cili ishte dukshëm ndryshe nga ai i vitit të kaluar me të cilin u prezantua për herë të parë në “Mitrovica Guitar Days”.

“Duhej të luaja diçka tjetër në krahasim me vitin e kaluar. E dua muzikën italiane, spanjolle dhe për këtë zgjodha këtë program me disa kompozitorë të ndryshëm dhe pjesën e shkruar nga Stephen Goss e cila është e dedikuar për mua me operën italiane dhe e zgjodha gjithashtu Leo Broëerin, sepse është kompozitori më i njohur nga e gjithë bota dhe gjithashtu ishte profesori im, dhe e dini Johann Sebastian Bach nuk është diçka që e zgjedh ju e bëni sepse e ndjeni veçmas me ‘Chaconne’”.

Muzika është gjithçka për të dhe krejt çka është sot është falë familjes së tij.

“Fillova kur isha gjashtë vjeç. Nuk ishte zgjedhje imja, por e prindërve të mi dhe çfarë kam sot dhe çfarë jam sot, mund të them se jam falë muzikës dhe prindërve të mi”.

Një natë e magjike, një koncert i jashtëzakonshëm me audiencë në numër të madh, saqë vetë organizatorët nuk gjenin fjalë ta përshkruanin këtë ndjenjë.

“Mitrovica Guitar Days” ka vazhduar t’i japë tinguj të mrekullueshëm të kitarës qytetit të Mitrovicës me koncertet dhe master-klasat deri të dielën me 24 shtator.