Kur fishekzjarrët janë ndezur mbi projektor, parullat janë lëshuar poshtë. “Patriarkati fabrikë e dhunuesve”, “Patriarkati armik i përbashkët” e “Patriarkatit fundi po i vjen”, që e kanë mbuluar projektorin. E në kor është kënduar “Beharët e lirisë”. Jo versioni origjinal, por ai i Eli Gashit, që bën thirrje për kërkim të barazisë.
Kjo ka qenë “skena” e fundit e ceremonisë hapëse të festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”, që të hënën mbrëma ka nisur në Pejë. Tema është revoltë e fortë: “Shembe patriarkatin”.
Sivjet është përzgjedhur që hapja të bëhet nga aktorja Zana Berisha. Të pranishmëve – ku pushtetarët mungonin – ua ka kujtuar se “Anibar” gjithmonë ka pasur qëllim dashurinë, jo urrejtjen, përfshirjen, jo përjashtimin, tolerancën, jo diskriminimin.
“Gjatë 14 edicioneve të fundit shumë shpesh e kemi rikujtuar fuqinë e madhe që ka arti në të bërit protestë. Atë fuqi do ta shfrytëzojmë në shtatë ditët tona programore. Në ditët në vijim do të përballemi me shumë tregime të fuqishme, me perspektiva globale të mirëqenies personale, me kode kolektive, me të bukurat e të hidhurat e të qenit vajzë, djalë, burrë grua e ‘queer’”.
Sipas saj, revolta duhet të vazhdojë derisa zhurma e marshit shemb themelet e patriarkatit. Kjo temë nuk është thjesht një deklarim.
“Është thirrje për veprim. Mollën e Adamit që na ka mbetur në fyt të gjithëve sonte po e përpijmë për me bërtitë pro çlirimit e barazisë”.
Drejtoresha e festivalit, Arba Hatashi, ka thënë se ceremonia e hapjes iu dedikua temës, por gjatë ditëve të Festivalit janë filmat në garë e jashtë garës që janë të ndërlidhur me temën.
“Tema këtë vit është rrjedhojë e temës së vitit të kaluar ‘Dashni’. Në këtë rast kemi dashur të kemi fokus problemet e qytetarëve të Kosovës dhe te sistemet me të cilat veprojmë e ndërveprojmë. ‘Shembje patriarkatit’ është një thirrje për jetë më të mirë për secilin, për një jetë më të barabartë për të gjithë”, ka thënë ajo.
Filmat jashtë gare në natën e parë kanë qenë intro të asaj që e pret publikun. Midis tyre “You Are Overreacting” i polakes Karina Paciorkoeska është njëfarë përmbledhjeje globale e sistemit patriarkal apo synimeve për një të tillë. Aty nëpërmjet animacionit paraqiten edhe deklarata të figurave publike botërore, përfshirë ish-presidentin dhe kandidatin e tanishëm për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Më pas nëpërmjet personazheve tregohet për trajtimin që u bëhet grave në rrugë e në mjete transporti deri te revolta për të ndryshuar gjendjen.
Janë dhjetë kategori ku do të shfaqen 158 filma. Prej tyre gjashtë kategori garuese, katër jashtë garës e tri programe speciale. Prin kategoria e audiencave të reja me 32 filma për t’u pasuar nga ajo e filmave studentorë me gjithsej 27, përderisa ajo e video-animacioneve muzikore do të ketë 22 filma.
Programi përveçse ndahet në atë filmik, që pastaj kategorizohet në gara të filmave – ku janë ato ndërkombëtare, ballkanike, studentore, filmave për të drejtat e njeriut, video-animacioneve muzikore dhe filmave për audienca të reja – përbëhet edhe prej kategorive të veçanta filmike.
Pas ceremonisë hyrëse dhe përcjelljes së disa filmave të shkurtër, mbrëmjen e së hënës e kanë përfunduar me argëtim DJ Oda Haliti dhe grupi arbëresh “Shega”.