EXPRESS

“Anibari” dhe shikuesit e rinj

Dita e katërt e festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar” është hapur me garën e të rinjve. Të enjten mysafirë në kinemanë “Jusuf Gërvalla” kanë qenë fëmijët e kampit veror “Bone vetë”. Për më pak se një orë, në ekranin e madh u shfaqen pesë filma të kësaj kategorie.

“Kaddy”, “The Rubbish World of Dave Spud”, “A story of story of story a Christmas’ story”, “Siwoo is e picky eater” dhe “Recipes Book” ka qenë pesëshja e filmave që sjellin tema e situata të ndryshme njësoj si teknikat e zhanret. Kanë ardhur në gjuhën angleze, polake dhe frënge.

Në edicionin e sivjetmë mungojnë filmat vendorë e “Anibari” ka kohë që është shndërruar në motor për nxitjen e produksioneve vendore. Në ditën e dytë nënshkroi marrëveshje me Francën, që ia sjell Kosovës gati gjysmë milioni euro pikërisht për këtë qëllim.

12-vjeçarja Bora Demaj ka thënë se do të donte të shihte filma në shqip.

“Mua më ka pëlqyer më shumë filmi i dytë që u shfaq sot e po ashtu edhe i fundit. Për mua këta të dy kanë qenë më interesant. Ndoshta edhe do të vij prapë që të shikoj filma këtu. Unë mendoj që duhet të ketë filma shqip edhe këtu, mirëpo jo më shumë se një film. Më shumë mendoj që duhet të ketë në gjuhën angleze. Po mendoj kështu, sepse fëmijët në këto kohë dinë dhe kuptojnë më shumë anglisht”.

Shoku i Borës, Troi, thotë se filmat e shfaqur të enjten nuk i pëlqyen. Kjo, pasi nuk ishin në gjuhën shqipe dhe nuk i kuptonte as personazhet për shkak të përzierjes së skenave.

“Mua nuk më pëlqeu asnjë film që u shfaq më herët. Të gjitha personazhet e filmave ishin duke folur diçka tjetër me atë që na ishte e shfaqur në ekran dhe nuk po mundem me kuptu. Mendoj se duhet të ketë filma shqip në ‘Anibar’, sepse ne kështu mundemi me i kuptu më mirë filmat dhe është më mirë edhe për ne”.

Drejtori i organizatës “Anibar”, Vullnet Sanaja, ka thënë se për shkak të mungesës së produksioneve vendore në edicionin e sivjetmë të “Anibarit” nuk ka të tillë.

“Ne në ‘Anibar’ kemi filma nga e gjithë bota. Këtu aplikojnë prej të gjitha shteteve, këtë vit kemi pasur rreth 1.500 aplikime dhe prej tyre janë përzgjedhur një numër i konsideruar i filmave. Këtë vit nuk ka pasur filma nga Kosova, kjo sepse ndoshta nuk ka pasur as filma që janë prodhuar gjatë këtij viti. Momentalisht Qendra Kinematografike e Kosovës mbështet dy ose tre filma të animuar, është dashur që të rritej kjo mbështetje dhe të prodhoheshin më shumë filma të animuar. Pastaj ata mund edhe që të programoheshin në festival. Gjithashtu ne jemi duke formuar dhe prezantuar edhe regjisorët e rinj, që më pas ata të mund të krijojnë produktet filmike të tyre”.

Në edicionin e 15-të festivalit të animacionit “Anibar” këtë vit shfaqen 150 filma nga e gjithë bota, me temën “Shembe patriarkatin”.