EXPRESS

Alban Ukaj: “Quo Vadis, Aida?” – homazh për viktimat e Srebrenicës, personazhi im është i mbijetuar i masakrës dhe e njoh personalisht

Aktori shqiptar që jeton në Sarajevë, Alban Ukaj, ka biseduar në “Express” për nominimin e filmit “Quo Vadis, Aida”, në Akademinë Britanike të Filmit – BAFTA.

Drama boshnjake “Quo Vadis, Aida?”, nën regjinë e Jasmila Zhbaniqit, është nominuar në kategorinë për regjinë më të mirë, si dhe në atë të filmit në gjuhë joangleze.

“Po besoj dhe po shpresoj që është një trampolinë e mirë për nominim për ‘Oscars’”, ka thënë Ukaj përmes një video-lidhjeje. Ka treguar edhe për vështirësitë e tij për të portretizuar Tarikun, të cilin e njeh edhe personalisht.

“Unë kam një rol modest, por të cilin unë e dua shumë. Luaj rolin e njërit prej dy përkthyesve, të cilin e njoh edhe personalisht e që i kanë shpëtuar gjenocidit në Srebrenicë. Ia kam lexuar dy librat që i ka shkruar dhe ka qenë përgjegjësi goxha e madhe. Kur luajmë një rol imitojmë dikë që nuk është më mes nesh, edhe imagjinata është ndryshe, por, kur kemi të bëjmë me një njeri, i cili është gjallë për fat të mirë, e të cilin e njoh edhe personalisht, atëherë nuk duhet ta imitoj, por të bëj një lidhje me atë dramën e brendshme të asaj kohe dhe të sotmes, me çka merret sot e si i kujton të dashurit e tij që i ka humbur gjatë luftës”, ka thënë ai.

“Quo Vadis, Aida?” e ka konsideruar si njërin prej projekteve më sfiduese dhe më me përgjegjësi që ka pasur ai personalisht, po edhe shumica e kolegëve që janë në film.

“Është vënë re ai tension edhe gjatë provave të leximit, por edhe gjatë provave në lokacionet autentike ku është xhiruar. Nuk është vetëm një film, është pak përtej filmit. Është një homazh për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës”, ka thënë ai.

Sipas tij, filmi është edhe një thirrje për përgjegjshmërinë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka bërë një lëshim të pafalshëm kur bëhet fjalë për gjenocidin e Srebrenicës.

“Është munduar në një mënyrë me u relativizu kjo punë, sidomos me trysninë e bashkësisë ndërkombëtare, se të gjithë kanë pasur nga pak faj, e nuk është ashtu. Shpresoj që ky film ka me zgju një kureshtje, një pikëpamje ndryshe prej asaj që është plasu viteve të fundit nëpër media ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Ceremonia e BAFTA-s për ndarjen e çmimeve do të mbahet virtualisht më 11 prill.