Me “Aeon”, Baleti Kombëtar i Kosovës vë jetën e njeriut në skenë. Gëzimet e hidhërimet, dashurinë e inatet janë aty. Koha është në majë të piramidës. Gjithçka zhvillohet, por koha nuk zmbrapset dot. Veç kur jeta merr fund, dhe kjo në shfaqje ngjan veç në sekuencat e fundit të koreografisë. Qëndron krejtësisht indiferente. Por kjo është veç një pjesë e konceptit të shfaqjes “Aeon” me koreografi të portugezit Daniel Cardoso, e shfaqur premierë të enjten mbrëma.
Baletin Kombëtar të Kosovës të fokusuar kohëve të fundit kryesisht në shfaqje bashkëkohore si rrjedhojë e kushteve në të cilat funksionon, e shtyn të sjellë vepra që i përshtaten hapësirës së skenës së ngushtë në njërën prej sallave të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet. Aty ku është drejtuar thuaja krejt skena kulturore e vendit. Krejt kushteve ekzistente, tash i është shtuar edhe një sfidë: vapa në sallë.
Ngjan se lëvizjet kanë tendencë të bëhen paralele e të arrihet një lloj koordinimi midis interpretuesve, por ka diçka që nuk e lë të qetë shfaqjen. Ajo hap shumë tema të reja, por jo gjatë trajtohen. Vërehet një lloj temperamenti dhe dinamizmi. Ka qenë shumëdrejtimëshe. Në njërën anë, lëvizjet rrethore të balerinëve në tempin e akrepave të orës kanë qenë të pandalshëm në çdo sekuencë të shfaqjes.
Si dëshmi se vetë koha është e pandalshme. Abstraktja bëhej e dukshme. Koha bashkë me ndjenjat përzihen dhe projektohen në njerëz nëpërmjet baletit “Aeon”.
Autori i koreografisë, Daniel Cardoso, ka thënë se balerinët në shfaqje sjellin tik-taket e kohës. Se veprojnë si një orë që ecën e që nuk ndalet dot. E ka cilësuar shfaqjen një lloj kontinuiteti të pandalshëm, por që shpalos edhe aspektet e jetës.
“Ideja ka qenë kryesisht të shfaqen marrëdhëniet ndërmjet burrave dhe grave, veçmas midis dy karaktereve kryesore: Seadit dhe Aulonës. I ndërlidhëm me tema universale dhe të rëndësishme. Ka të bëjë me lumturinë, mërzinë, jetën në përgjithësi, për ngritjet dhe rëniet në jetë, por edhe për idenë se sa speciale do të ishte nëse do të ishim të aftë ta ndalonim kohën. Ky është mesazhi final i kësaj vepre”.
Kur janë bërë veç disa javë më shumë se një vit prej kur Baleti Kombëtar i Kosovës zbërtheu koreografinë e koreografit portugez me shfaqjen “Correr o Fado”, e cila sillte kulturën e shtetit të Ishullit Iberik në vend, e ka freskuar publikun me “Aeon”.
Trupës i është bashkuar drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, balerini e muzikanti Sinan Kajtazi, në klarinetë. Bashkë me të edhe balerini Muhamet Bikliqi ka luajtur në darabukë.
Kajtazi ka thënë se kjo formë është një shteg më ndryshe për të sjellë diçka të re.
“Performanca ime si muzikant në skenë ka qenë kërkesë e koreografit të provoj diçka të tillë, bashkë me mua në darabukë ka luajtur Muhameti, njëkohësisht edhe në shfaqje. Besoj se ka qenë diçka me të cilën jemi inkorporuar në shfaqje. Artistë inovativë siç është Danieli gjithmonë gjejnë shtigje prej më të ndryshmeve, hulumtojnë mundësi për të krijuar diçka që i bën përshtypje publikut”.
Kur ndriçimi jep efektin prej siluetash të balerinëve, sjell një lloj perspektive se vallëzimi është një lloj treguesi i identitetit a përcaktues për karakterin. Loja solo e balerinëve ka qenë e veçuar. Në qendër shpesh kanë qenë Sead Vuniqi e Aulonë Nuhiu.
Balerina Aulonë Nuhiu ka thënë se shfaqja ka qenë stil krejt më ndryshe nga ajo paraprake të cilën e kishin punuar me koreografin nga Portugalia.
“Shfaqja ‘Aeon’ është premiera e dytë në të cilën kemi punuar me Danielin. Ka qenë shfaqja e suksesshme ‘Correr o Fado’. Mendoj se edhe ‘Aeon’ do të jetë një prej shfaqjeve të suksesshme me të cilën do të kemi udhëtime. Ishte eksperiencë e mirë të punojmë më koreografin. Është stil më ndryshe se shfaqja e kaluar. Kërkon shumë kondicion, punë, mjaft e lodhshme, në të cilën kemi punuar rreth një muaj e gjysmë nëse e kompletojmë pasi kemi punuar në kohë të ndryshme për shkak të udhëtimeve që kemi pasur”.
“Aeon” në të njëjtën kohë sjell manifestimin e gëzimit të jetës dhe të vdekjes. Në të vallëzimi vjen si gjuhë që shpreh dashurinë pa fjalë. Transmeton lodhjen në jetë si rrjedhojë e një lufte të pakuptimtë.