Paradokset e jetës dhe koncepti i lirisë erdhën të inskenuara në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës të shtunën mbrëma. Shfaqja “1984” me tekst të shkrimtarit të madh, George Orwell, dhe regji të regjisorit të shquar francez, Igor Mendjisky, bëri diferencën mes realitetit dhe iluzionit në të cilin jeton shoqëria.
Aftësia për të manipuluar e shtrirë sistemin totalitar shkon deri në atë pikë sa krijon dyshime në vetvete. Historia e dashurisë mes dy personazhesh është thelbi për të mbërritur deri në esencën e shfaqjes. “1984”, që parashikon gjendjen mbi tri dekada para se ngjarja të zhvillohej, ka qenë reflektim për tematikën që përshtatet edhe sot e për të paparashikuarat e së ardhmes.
“1984” sjell përplasjen mes së vërtetës dhe manipulimit të shoqërisë. Shfaqja e bazuar në romanin e vitin 1948 parashikon edhe avancimin e teknologjisë së komunikimit. O’Brien në rolin e anëtarit të udhëheqjes diktatoriale shpesh vjen edhe si narrator i shfaqjes për të biseduar rreth fenomeneve, rrethanave, aktualitetit. Shpejt ai ndikon në dashurinë e Winstonit dhe Xhulias, ku fillojnë të shfaqen shenjat e kontrollit të politikës mbi jetët e tyre. Aktori Adrian Morina, që e ka jetësuar rolin, ka thënë se karakteri personifikon goxha mirë politikanët, pushtetet.
“Në konceptin e dramatizimit dhe nën regjinë e Igorit vjen gati si një personazh që i udhëheq të gjitha levat, por vjen deri te pjesa e fundit kur e tregon pushtetin gati pavërejtshëm. Zakonisht siç vijnë politikanët, siç vijnë pushtetet, gati pavëretjshëm. Është roli negativ, i djemve të këqij, që më janë bërë të shpeshta këto role, po më pëlqejnë pasi të japin mundësi shumë për të luajtur”.
Mbikëqyrja digjitale, frika nga përgjimi, nënshtrimi ndaj të pushtetshmëve për hir të dashurisë, janë prej vetive që nis të zbulojë shfaqja.
Është një botë e errët prej kur njerëzit nuk lejohen të dalin. Të pafajshmit arrestohen kur personat e dashur tradhtojnë. Sistemi shëndetësor bëhet shërbëtor i pushtetarëve kur i shërben shpëlarjes së trurit të popullit. Ndodh edhe që ngjarja përmbyset e pushteti nis të flasë keq për pushtetin. Faktet e ditura manipulohen, besimi mes familjarëve e të dashuruarve zhduket. Njeriu zhduket dhe njeriu mbetet veç një trup i gjallë, pa ndjenja.
Regjisori i shfaqjes, francezi Igor Mendjisky, ka thënë se ka bërë ndërhyrje të tilla në shfaqje që të vërë në qendër historinë e dashurisë.
“Ishte hera e parë që kam punuar me një trupë teatri nga një vend tjetër. Ishte aventurë e vërtetë të punoja me ta. Ishte eksperiencë fantastike. Kur e kam përshtatur shfaqjen jam munduar të vë në qendër historinë e dashurisë dhe kësisoj mendoj se përfundimi ishte më i rrezikshëm, më mahnitës, më shumë si një cunami”.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, është shprehur krenar me punën e trupës dhe gjithë stafit të TKK-së. Ka thënë se synimet janë që shfaqja “1984” të jepet jashtë vendit.
“Jemi shumë të lumtur që kemi arritur të inskenojmë për herë të parë dramën ‘1984’. Problemet të cilat i trajton Orëelli në veprën ‘1984’, që e ka shkruar në vitin 1948, realisht e gjithë bota sot ballafaqohet me probleme të tilla dhe fatkeqësisht mund të ballafaqohet edhe në të ardhmen. E bukura e këtij dramatizimi është edhe fjala e fundit e Orwellit në fund që thotë ‘e kam shkruar për të paralajmëruar se çfarë mund të ndodhë’. Një punë shumë e mirë, mezi po presim të vazhdojmë. Edhe për repriza shumicën e biletave i kemi të shitura, ka pasur interesim të jashtëzakonshëm të publikut, si për gjithë shfaqjet e TKK”-së.
Jashtë “kornizave” të skenës, në anën e djathtë të publikut është shfaqur edhe autori i dramës, shkrimtari George Orwell, rol të cilin e ka luajtur aktorja Arta Selimi.
“Romani e ka inspiruar patentën ‘Big Brother’ që bëhet sot në botë, ajo pjesa e vrojtimit të njerëzve. Është vepër tepër e madhe që është shkruar më 1948 dhe që qëndron edhe sot. Mendoj se gjithçka që kisha me folë e kisha zvogëluar impaktin që vepra në fakt e ka pasë. Kështu që jam e lumtur që unë e kam luajtur vetë George Orwellin”.
Aktori Ylber Bardhi, që ka luajtur njërin prej personazheve kryesorë, ka thënë se roli i tij ka qenë një lloj sfide, por edhe hapësirë për kreativitet.
“Në këtë vepër e luaj rolin e Winstonit, është një prej personazheve kryesore. Normalisht se ka qenë shumë sfidues pasi teksti është shkruar në vitin 1948 dhe është e çuditshme si i përshtatet edhe kohës së sotme. Duke e ditur që publiku është mësuar të më shohë nëpër komedi, edhe për mua ka qenë sfiduese, por ka qenë në të njëjtën kohë privilegj shumë i madh që ma kanë besuar këtë rol”.
Shfaqja ka bërë bashkë emra të njohur të skenës teatrore në sallën e stërmbushur të Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë dhe Sportit.
Drejtoresha e teatrit “Hadi Shehu” në Gjakovë, Albulena Kryeziu-Bokshi, e ka vlerësuar shfaqjen si thirrje për të vërtetën.
“Shfaqja më la përshtypje shumë të këndshme, u kënaqa shumë, e përjetova si një film, pikërisht si disa filma të vjetër francezë. Rridhte këndshëm por, megjithatë, na dha mesazhe shumë të fuqishme. Shfaqje që na flet shumë për njeriun që jemi sot, për kohën që jetojmë dhe unë besoj se teatri është arma e së vërtetës, prandaj kjo shfaqje mund të jetë edhe një thirrje për të vërtetën”.
Në fund bëhet e ditur se drama dyorëshe do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe ngjan se nuk nevojitet rast i veçantë për ta dhënë shfaqjen. Parashikuesi i së ardhmes ka fuqinë të bëhet kuptimplotë çdoherë e më shumë sa koha kalon.