Murat Yakin befasoi të gjithë me disa zgjedhje taktike. Dhe vendimet e selektorit të Zvicrës dolën plotësisht të qëlluara.
Të shtunën në Koeln, Zvicra fitoi 3:1 ndaj Hungarisë dhe bëri hapin e madh drejt raundit nokaut në “Euro 2024”. Helvetikët janë kthyer në Koeln edhe të martën mbrëma. Në “Rhein Energie Stadion” do të përballen me Skocinë, në kuadër të xhiros së dytë të Grupit A. Ndeshja zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00.
Selektori Yakin është pyetur në konferencë për shtyp nëse ka përgatitur ndonjë befasi tjetër. I është shmangur përgjigjes direkte.
“Kemi ardhur me shumë besim dhe mezi po e presim ndeshjen. Atmosfera do të jetë shumë e mirë, me tifozët e Zvicrës prapa nesh”, ka thënë Yakin.
Skocia kishte pësuar thellë, 5:1, nga Gjermania në ndeshjen e parë të Evropianit. Nuk kishte shfaqur thuajse asgjë. Por Yakin ka folur me respekt për skocezët.
“Skocezët duhet të reagojnë dhe ne e presim këtë. Jemi të përgatitur mirë”, ka thënë Yakin.
Lideri i mbrojtjes së Zvicrës, Manuel Akanji pajtohet me selektorin. Akanji ishte në konferencë për shtyp përkrah Yakinit.
“Skocia mbeti me një lojtar më pak për pjesën e dytë dhe nuk luajti ndeshjen më të mirë. Përfundimisht skocezët do të synojnë ta ndryshojnë këtë ndaj nesh”, ka thënë Akanji.
Por Zvicra natyrisht i ka planet dhe synimet e saj.
“Do të kemi mundësi të kalojmë në raundin tjetër me rezultat pozitiv”, ka shtuar Akanji.
Prej ndryshimeve të Yakinit ishte edhe lënia në stol e Xherdan Shaqirit. Ai nuk e fitoi rastin ndaj Hungarisë, por lojtarët që u paraqitën shfaqën nivel të kënaqshëm dhe fitorja ishte bindëse. Mbetet të shihet nëse Shaqiri do ta fitojë rastin ndaj Skocisë.
Ndaj Hungarisë lojtari më i mirë u shpall kapiteni Granit Xhaka. Xhaka kishte ndeshje thuajse tët përkryer në mesin e fushës. E kontrolloi plotësisht mesfushën dhe niveli i pasimeve të tij ishte shumë i lartë. Xhaka sërish do të jetë lider i Zvicrës në mesin e fushës.
Te Skocia kanë theksuar se po shikojnë para. Futbollisti Andy Robertson ka pranuar se ndaj Gjermanisë kanë pasur shumë telashe.
“Nata e parë nuk ishte e lehtë. Kishim përballë një ekip shumë të mirë dhe nuk kemi treguar atë që kemi dashur. Dhe jemi dënuar për këtë. Por duhet të ecim para. E kemi ndeshjen e dytë shumë afër. Duhet të luajmë shumë më mirë në secilën pjesë të fushës”, ka thënë Robertson.
“Jemi të entuziazmuar për ndeshjen e madhe që e kemi të mërkurën mbrëma. Ne duam të dëshmojmë se e meritojmë të jemi këtu. Ka të bëj me atë se sa do të përmirësohemi. Nëse bëjmë përmirësimet e duhura do të kemi shanset më të mira për të marr rezultatin”, ka shtuar Robertson.