Nuk është vetëm në fushë që Zvicra ka dhënë spektakël deri më tani realisht në këtë kampionat evropian. Ajo që tifozët e Zvicrës treguan në tri ndeshjet e para në grup ishte gjithashtu shfaqje e shkëlqyer. Me marshimet e mëdha të tifozëve para dy ndeshjeve në Koeln dhe me dhjetëra mijëra mbështetës të zhurmshëm në stadiume, Zvicra bëri bujë në të gjithë Evropën. Të paktën nga këndvështrimi i tifozëve, ne mund të deklarojmë ambicie për titullin e kampionit të Evropës, shkruan “Blick”.
Por vala e madhe e euforisë tani po sjell pasoja financiare për Federatën zvicerane të futbollit.
Një numër i madh dënimesh nga UEFA mbërriti në Federatën e Futbollit të Zvicrës.
Federata duhet të paguajë gjithsej gati 95 mijë euro për sjelljen e shikuesve të saj. Kryesisht bëhet fjalë për hedhje të gotave të birrave që fluturuan në fushë nga shikuesit zviceranë.
Çuditërisht, dënimi më i madh është nga ndeshja e fituar kundër Hungarisë – 41 mijë euro. “Sidomos pas golit të Breel Embolos për 3:1, në fushë ranë gota. 25 mijë euro, Federata e Futbollit e Zvicrës duhet ë paguajë për shkak të shikuesve në ndeshjen 1:1 kundër Skocisë dhe 28 mijë euro të tjera për ndeshjen e fundit në grup kundër Gjermanisë (1:1).
“Kjo pjesë e gjobës përfshin edhe topa letre të hedhur, dy gota dhe flamurin me simbolin e UÇK-së të ekspozuar në sektorin e tifozëve”, shkruan “Blick”.
Në fakt, një flamur me simbol të UÇK-së ishte shfaqur në ndeshjen mes Zvicrës dhe Gjermanisë, të dielën. Reagimi i mediumeve serbe ishte i menjëhershëm.
“Vazhdojnë provokimet e turpshme... skandal i përmasave të jashtëzakonshme në Euro”, ishte titulli i “Kuririt”.
Si zakonisht, nuk kanë munguar vlerësimet fyese të mediumit serb ndaj UÇK-së.
Por edhe “Blick”, mediumi i fuqishëm nga Zvicra, pati shkruar për “provokim në ndeshjen e Zvicrës”, ndërsa pati njoftuar për shfaqjen e flamurit dhe reagimin e gazetës serbe.
Vendimet e UEFA-s ende nuk janë publikuar.
Në shkrim, “Blick” njofton se dënimi u është zbutur.
“Fillimisht dënimet ishin pak më të larta. Megjithatë, Federata apeloi vendimin në UEFA, sepse nuk kishte asnjë qëllim keqdashës pas hedhjes së gotave kundër Hungarisë. Këtij kundërshtimi UEFA iu përgjigj me një ulje të lehtë të masës së gjobës.
Pavarësisht gjobave, përfaqësuesit e tifozëve kanë nxjerrë një përfundim pozitiv nga Evropiani deri më tani.
“Gjendja ishte shumë e mirë, sidomos në dy marshimet e tifozëve. Fatkeqësisht, me kaq shumë njerëz ndonjëherë mund të ketë incidente të vogla. Sidoqoftë, ne jemi më se të kënaqur”, ka thënë udhëheqësi i tifozëve të Zvicrës, Jerome Lambert, për gazetën zvicerane.
Sa i përket fazës së një të tetës së finales të Evropianit, ka një lajm të mirë për të gjithë përkrahësit e Zvicrës. Në Berlin, tifozët e Zvicrës duhet të përmbahen kur festojnë një gol kundër Italisë. Nëse, në euforinë e madhe, një gotë birre fluturon aksidentalisht drejt fushës së lojës, ka të ngjarë të përfundojë diku në tartan të stadiumit olimpik dhe jo në bar. Një gjobë mund të rezultojë gjithashtu, por kjo ndoshta do të ishte më pak e rëndë sesa një gotë përfundon në fushë.
Deri në fund të kampanjës në Evropian, Zvicra do të ketë edhe mijëra përkrahës shqiptarë në përkrahje të shtetit helvetik, sidomos të Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit dhe Ardon Jasharit. Tre futbollistët me prejardhje shqiptare janë pjesë e Zvicrës. Xhaka është lider në fushë. Edhe Shaqiri ka ndikimin e tij të madh, ndërsa Jashari vlerësohet e ardhmja e Zvicrës.