Përfaqësuesja e Zvicrës ka shkëlqyer në pjesën e parë, por ka vujatur në të dytën. Megjithatë ia doli të mbaj epërsinë ndaj Hungarisë për ta nisur me fitore paraqitjen në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”.
Të shtunën pasdite në Koeln, Gjermania fitoi 3:1 ndaj Hungarisë. Ndeshja i takoi Grupit A.
Pjesa e parë la përshtypjen se dallimi në cilësi mes dy përfaqësueseve është i madh.
Në minutën e 12-të, sulmuesi i Zvicrës, Kwadwo Duah, shënoi gol për 1:0. Ai realizoi pas asistimit të bukur të Michel Aebischer. Në fakt fillimisht u sinjalizua pozitë jashtë loje, por pas rishikimit të situatës në VAR, u pranua goli.
Duah e luajti vetëm ndeshjen e dytë për Zvicrën. Ai debutoi më herët këtë muaj.
Zvicra vazhdoi dominimin dhe në minutën e 45-të e shënoi golin e dytë. Michel Aebischer gjuajti saktë e bukur nga distanca për rezultatin 2:0.
Edhe pjesa e dytë nisi mirë për Zvicrën. Por gradualisht Hungaria mori kontrollin në fushë. Për 2:1 realizoi Barnabas Varga në minutën e 66-të. Ai shënoi me goditje me kokë nga afërsia, pasi fitoi duelin me mbrojtësin zviceran. Hungaria ka provuar të barazojë rezultatin, por Zvicra ia doli të rezistojë deri në fund për tri pikë shumë të rëndësishme. Krejt në fund, në minutën e 93-të, Breel Embolo shënoi për 3:1, pas një gabimi në mbrojtjen hungareze.
Granit Xhaka ka shkëlqyer në mesfushë te Zvicra. Ka nisur shumicën e aksioneve, ndërsa përqindjen e pasimeve të sakta e kishte shumë të lartë. Selektori i Zvicrës, Murat Yakin befasoi duke e lënë në stol Xherdan Shaqiri. Madje ylli shqiptar nuk u aktivizua fare. Në stol mbeti edhe Ardon Jashari.
Në ndeshjen e parë të Grupit A, që ishte edhe hapëse e Evropianit, Gjermania fitoi 5:1 ndaj Skocisë, të premten mbrëma. Pas katër ditësh, Gjermania luan me Hungarinë në Stuttgart, ndërsa Skocia e Zvicra përballen në Koeln.
Xhaka: Është shumë e rëndësishme që startuam me fitore
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka e ka vlerësuar lart fitoren ndaj Hungarisë. Xhaka u shpall më i mirë nga UEFA në fitoren 3:1.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kemi nisur me fitore. Një pjesë e parë shumë e mirë. Nuk ishim më keq as në të dytën, por natyrisht Hungaria është dashur të bëjë më shumë. Në përgjithësi, fitorja është në rregull. Ishte saktësisht ashtu si kemi ushtruar gjatë përgatitjeve. E kemi shtyrë veten deri në limite. Kemi bankë të mirë dhe sot e pamë rëndësinë e kësaj, me zëvendësimet që i bëmë. Na duhen të gjithë dhe kemi bërë hap të rëndësishëm sot”, ka thënë Xhaka.
Sipas tij, Zvicra vetëm duhet të vazhdojë me paraqitje si kjo ndaj Hungarisë.
Duah emocional: Po shpërthej nga brenda
Kwadwo Duah e shënoi golin e parë për Zvicrën në fitoren 3:1 ndaj Hungarisë.
Duah shënoi në vetëm paraqitjen e dytë për Zvicrën. Ai luan në Bullgari në nivel klubesh, kurse për Zvicrën debutoi më herët këtë muaj.
“Mendoj se jam ende duke ëndërruar. Po shpërthej nga brenda. Paraqitja e dytë ndërkombëtare dhe gol. Jam shumë i lumtur dhe me gjasë më duhen edhe disa ditë për të kuptuar këtë. Fillimisht mendova se është ofsajd, por më pas goli u pranua dhe isha shumë i lumtur. Këtë gol ia kushtoj të gjithë atyre që besuan në mua, sidomos trajnerëve. Nuk është e lehtë të marrësh lojtar nga Bullgaria. Njerëzit përreth e kanë vërejtur se kishte skepticizëm për nominimin tim. Por unë po e realizoj ëndrrën”, ka thënë Duah.
Granit Xhaka më i miri i ndeshjes
Granit Xhaka është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes mes Hungarisë dhe Zvicrës. Zvicra fitoi me rezultatin 3:1.
Xhaka ishte kapiten, ndërsa ka udhëhequr mesfushën e Zvicrës me paraqitje thuajse të përkryer.
Ekspertët e UEFA-s kanë vlerësuar paraqitjen “komplete në mesfushë” të Xhakës.
“Ishte i shkëlqyer në posedim, në ndërtimin e lojës dhe dërgimin e pasimeve në thellësi. Shfaqi etikë të shkëlqyer të punës dhe aftësi prej lideri. Ofroi po ashtu aftësi të jashtëzakonshme të organizimit”, kanë vlerësuar ekspertët e UEFA-s.
Hungaria ngushton rezultatin
Hungaria ka shënuar ndaj Zvicrës për ta ngushtuar rezultatin në 1:2.
Shënoi Barnabas Varga në minutën e 66-të, pas krosimit të Szoboszlait.
VIDEO:
VARGA SCORESSSS pic.twitter.com/X26xgZ195h
— Frank🧠🇳🇱 (fan) (@TenHagEra) June 15, 2024
Xhaka, ylli i pjesës së parë për Zvicrën
Granit Xhaka është faktori kryesor i lojës dominuese të Zvicrës ndaj Hungarisë pas pjesës së parë.
Zvicra po udhëheq 2:0.
Xhaka ndërkohë është lojtari me më së shumti prekje (55), më së shumti pasime të kompletuara (48) dhe më shumë pasime (12) në pjesën afër golit të kundërshtarit.
Gjithashtu, ylli i Leverkusenit pati nëntë pasime që thyen linjën e mbrojtjes hungareze, më së shumti në ndeshje.
Zvicra dominuese në pjesën e parë
Zvicra e ka mbyllur pjesën e parë me epërsi 2:0 ndaj Hungarisë.
Helvetikët, të udhëhequr nga kapiteni Granit Xhaka, e kanë dominuar 45-minutëshin e parë.
Kwadwo Duah më minutën e 13-të dhe Michel Aebischer në fund të pjesës së parë ishin vendimtarë në këtë pjesëlojë për Zvicrën.
Aebischer shënon supergol për Zvicrën
Zvicra e ka shënuar edhe golin e dytë ndaj Hungarisë.
Michel Aebischer shënoi për 2:0 në fund të pjesës së parë.
VIDEO:
Goal for Switzerland, Aebischer makes it 2-0.#EURo2024
— Charlton (@LFC_Charlton) June 15, 2024
pic.twitter.com/8PJQ1tjHAp
Zvicra në epërsi
Zvicra ka kaluar në epërsi ndaj Hungarisë (1:0).
Kwadwo Duah ka shënuar golin e parë të Zvicrës në “Euro 2024”. Lojtari i Ludogoretsit shënoi në minutën e 13-të.
Fillimisht, goli u anulua për ‘offside’, por u pranua me intervenimin e VAR-it.
VIDEO:
Cold goal from Duah for Switzerland.. ruled onside pic.twitter.com/dM50orAGCx
— Frank🧠🇳🇱 (fan) (@TenHagEra) June 15, 2024
Formacionet: Hungari - Zvicër
